Kjo është shtëpia luksoze e Shkëlzen Berishës! (Foto)

Po nuk është vetëm Argita që i ka rregulluar punët e veta gjatë qeverisjes së babait të saj.
Shkëlzen Berisha, i datëlindjes 27 shkurt 1979, emri i të cilit shfaqet në skandale nga më të rëndat gjatë këtyre viteve, bën gjithashtu një jetë luksoze, para së cilës as Suedia ku ai jetoi deri para riardhjes së babait të tij në pushtet, me sa duket nuk ia vlen më.
Në foton që shoqëron këtë shkrim shihet një vilë me përmasa kështjelle. Ndodhet në zonën e vilave që mund të shihet nga rruga Tiranë-Elbasan në ish-komunën e Farkës, tashmë e shkrirë me Tiranën.
Kjo është një nga shtëpitë e 36-vjeçarit Shkëlzen Berisha. Kur dy vjet më pare dikush e përmendi këtë vilë, djali i ish-kryeministrit tha se e ka me qera.
Edhe në rastin e kësaj vile, “letrat” dëshmojnë pronësinë e një biznesmen libanez që ka një sipërmarrje çimentoje në Shqipëri. “Letrat” flasin për qera, diçka mbi 2000 euro në muaj.
Kur Sali Berisha u bë kryeministër i vendit në 2005, deklarata e pasurisë së nënshkruar nga Shkëlzen Berisha paraqiste një situatë normale financiare, që i vinte më së shumti nga bashkëshortja me qëndrim në Suedi, duke patur vetëm 10 për qind të një apartamenti prej 100 metrash katrorë atje.
Në 2007 ai thoshte se jetonte në një banesë në Tiranë kundrejt qirasë dhe kësaj here krahas fitimeve nga studio e konsulencës ligjore, shtoi të ardhurat nga puna si drejtues i zyrës juridike në një kompani që iu shit turqve. Një vit më vonë ai do të deklaronte një rritje të ndjeshme të të ardhurave.
Kështu, vit pas viti, deklarimi i pasurisë shënoi shifra të reja.
Vila në fjalë ndodhet pranë vilës së ndërtuesit të kësaj zone biznesmenit Samir Mane dhe është e vetmja që e konkurron atë për nga madhësia dhe luksi.
Në pjesën tjetër të këtyre vilave që kushtojnë nga 300 mijë në rreth dy milionë euro dhe më shumë, jetojnë politikanë, gjykatës, ministra, ish-ministra dhe disa kokrra të medias, kryesisht të njëjtët që blejnë me të njëjtat çmime të kripura edhe në fshatrat e ngjashëm turistikë në bregdet. /Gazeta Tema/





















































