Krahas rritjes dhe sukseseve që ka pasur viteve të fundit, përfaqësuesit e kësaj kompanie kërkojnë edhe mbështetjen e institucioneve vendore, të cilat sipas tyre deri më tani nuk e kanë mbështetur asnjëherë.

Pronari i kompanisë “Fungo”, Fatmir Krasniqi, tregon për Ferma Ime, se me prodhimin dhe perpunimin e kërpudhave kishte filluar të merret në vitet e 90-ta me një kapacitet tejet të vogël prodhues, ku kapaciteti grumbullues ishte vetëm 5500 kilogramë kërpudha. “Në këtë kohë kur kemi filluar kemi pasur vetëm një qendër grumbulluese të kërpudhave. Por pas shumë vitesh me investimet që kam bërë kam arritur të zgjeroj edhe hapësirën operuese në kompani, e po ashtu përmes përvojave që kemi marrë jashtë vendit ne tash jemi zgjeruar duke rritur edhe prodhimin e duke depërtuar edhe jashtë tregut vendor, si në tregjet e BE-së, e sivjet edhe në tregjet e SHBA-së e tregun holandez”, thotë Krasniqi.


Ai tregon se sot kjo kompani ka një kapacitet të madh prodhues të kërpudhave të malit , të cilat arrijnë në mbi 200 ton, frutave të imta mbi 150 ton dhe kërpudha të kultivuara në mbi 100 ton. “Gjatë një viti ne arrijmë të eksportojmë mbi 300 ton kërpudha, apo nëse llogarisim vlerën e tyre kjo arrin në rreth një milion euro”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, ekspertët e kësaj fushe, tregojnë se kjo veprimtari bujqësore është ndër më të leverdishmet në vendin tonë, por edhe jashtë tij.

Profesori Xhavit Ramadani, thotë për Portalin Ferma Ime, se edhe pse është shtuar interesimi për kultivimin e kërpudhave, prapë ato prodhohen në masë të vogël. “Kjo veprimtari bujqësore përveç së është shumë e leverdishme në aspektin ekonomik, ajo duhet të shihet edhe si një produkt që ka vlera të larta ushqyese. Prandaj prodhimi dhe përpunimi i saj në vendin tonë duhet të zgjerohet në masë më të madhe se sa është aktualisht”, tha ai.

Ndërkaq në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), thonë se krahas shumë sektorëve tjerë, sivjet do ta përkrahin edhe sektorin e produkteve jodrusore të malit, ku hyjnë edhe kërpudhat.

Zëdhënësi, Adil Behramaj, tregon se MBPZHR-ja ka ndarë një fond prej 500 mijë eurosh, për të mbështetur kultivuesit dhe përpunuesit e bimëve aromatike e mjekësore. “Duke i parë kapacitetet e mëdha eksportuese të këtij sektori dhe përfshirjen e mbi 3 mijë familjeve në zona rurale në këto veprimtari, sivjet kemi vendosur ta përkrahin për herë të parë edhe këtë sektor”, tha Behramaj.

Kosova vlerësohet se zonat malore i ka tejet të pasura me bimë jodrusore dhe fruta të malit dhe se grumbulluesit e tyre në nivelin qendror i kanë tregjet e siguruara në vendet evropiane dhe nuk kanë probleme me shitjen e tyre. /FermaIme/Telegrafi/