Çdo të diele, këngëtarët pjesëmarrës të këtij festivali do t’i prezantojnë këngët e tyre në emisionin ‘E diela shqiptare’, në TV Klan.

Edhe Telegrafi.com, ekskluzivisht për lexuesit e saj çdo javë do t’i prezantojë këngët konkurruese.


1. Lynx - Është për ty kjo melodi

Grupi muzikor “Lynx” i përbërë nga Aurel Gjini, Rei Sylejmani, Renato Rexha dhe vokalisti Endrik Beba vjen për herë të dytë në festivalin Kënga Magjike. Edhe kësaj here grupi “Lynx” nga Shqipëria, paraqitet me një këngë të rrymës muzikore rok. “Është për ty kjo melodi”, titullohet kënga e tyre e kompozuar nga vet këngëtarët. Në edicionin e kaluar të festivalit “Kënga Magjike”, grupi “Lynx” arriti të futej deri në gjysmëfinale, por rruga drejt finales ishte e largët për rokerët e rinj dhe të talentuar.

2. Adelina Tahiri - Ti mos u kthe

Këngëtarja 19-vjeçare nga Maqedonia, Adelina Tahiri, ishte ndër të parat këngëtare që konfirmoi pjesëmarrjen në festivalin “Kënga Magjike” 2011. Adelina debuton në këtë festival me këngën “Ti mos u kthe” të kompozuar nga kompozitori Elgit Doda. Me tingujt e bukur të muzikës R&B, biondina këndon për një dashuri të humbur.

3. Klevis Saliaj - Kur perëndoj-e

Kjo është pjesëmarrja e dytë e këngëtarit që vjen nga spektakli “Akademia e yjeve” 2008, Klevis Saliaj. Sikurse Adelina Tahiri edhe Klevisi muzikën ia ka besuar kompozitorit Elgit Doda. Pjesëmarrja e tij e parë në festivalin “Kënga Magjike” nuk ishte aq e suksesshme, por kësaj here këngëtari shumë energjik në skenë paraqitet me një këngë ndryshe nga hera e kaluar.

4. Beatrix Ramosaj – Dilema

Beatrixi vitin e kaluar debutoi në festivalin “Kënga Magjike” më këngën “E dua beat-in”. Edhe pse ajo nuk arriti të kurorëzohet me ndonjë çmim, kënga e saj ishte një prej këngëve më të dëgjuara të festivalit të edicionit të kaluar. Edhe këtë vit, Beatrix Ramosaj, këngëtarja që i pëlqen veshjet e lëkurës, paraqitet me një këngë të bukur ritmike të titulluar “Dilema”.

5. Grifshat - Jashtë lëkure nuk do dal

Këngëtarja Semi Jaupaj që vjen nga ‘Akademia e Yjeve’, nuk konkurron e vetme në festivalin “Kënga Magjike” 2011. Semi, kësaj here shoqërohet nga grupi “Grifshat” dhe se bashku sjellin një këngë të veçantë të stilit rok alternativ. “Jashtë lëkure nuk do dal” është një këngë që shumë i përshtatet zërit eksploziv të solistes së grupit “Grifshat”.

6. Devis Xherahu – Akoma se besoj

Pas pjesëmarrjes në festivalin e këngës në RTSH, këngëtari Devis Xherahu ka vendosur të paraqitet edhe në festivalin “Kënga Magjike”. Këngëtari korçar me një zë potent, i cili aktivitetet e tij i zhvillon edhe në Greqi, vjen më një baladë mesdhetare të quajtur “Akoma s’e besoj”. G.Sahitu. /Telegrafi/