LAJMI I FUNDIT:

A kemi nevojë për anglishten e standardizuar?

A kemi nevojë për anglishten e standardizuar?

Linguisti, shkrimtari, ligjëruesi, redaktori dhe prezantues radioteleviziv, David Crystal,  flet për anglishten e standardizuar. Pse ekziston anglishtja standarde? Si po ndryshon ajo? Çfarë lloji të anglishtes apo të anglishteve duhet të na mësojnë mësuesit?

Intervistoi: Ross Thorburn
Përktheu: Daut Dauti

David Crystal, mirë se vini në ‘podcast’. A mund të filloni duke na treguar kur filloi, së pari, ideja e anglishtes standarde? A është diçka që po ashtu erdhi në veprim në shekullin XVIII së bashku me gjërat sikur gramatika preskriptive dhe fjalori i parë i Samuel Johnsonit etj., apo ishte diçka që kishte filluar më herët se kjo?


Duhet bërë pyetjen, për çka ekziston standardi? Standardi është për të garantuar kuptueshmërinë në mes masave të popullit, për shkak se nëse vazhdoni të shkruani në dialektin rajonal, nuk do të kuptoheni në mes veti.

Shenjat e para të anglishtes standarde kanë ardhur në Mesjetë, kur Anglia ishte bërë shtet, më shumë se një grup i mbretërive të pavarura, ku evoluonte shërbimi civil shtetëror [nacional], Parlamenti dhe të gjitha këto gjëra, kurse anglishtja po bëhej gjuha e kombit [shtetit].

Pastaj u bë esenciale që të mënjanoheshin disa nga këto variacione, dhe të gjitha llojet e influencave shkaktuan evoluimin e anglishtes standarde – shkruesit e shërbimit civil, p.sh. autorët individualë sikur Chaucer, influenca e Biblës – dhe shumë e shumë variacione të ndryshme. Por, poenta është se në mes viteve 1400 dhe 1800, ka evoluar anglishtja standarde siç e njohim ne sot.

Nga viti 1800, praktikisht shkruante gjithkush dhe kjo është poenta. Standardi i anglishtes së shkruar në esencë është forma e shkruar e anglishtes e jo forma që flitet. Madje edhe sot, vetëm një pjesë e vogël e botës anglofone flet anglishten e standardizuar në shtëpi si gjuhë të parë. Shumica e njerëzve anglishten standarde e mësojnë në shkollë dhe këtu nuk po flas vetëm për ata që e mësojnë anglishten si gjuhë të huaj. Po flas edhe për ata që anglishten e kanë gjuhë amtare.

Vetëm diku rreth katër apo pesë për qind – madje edhe kjo mund të jetë ekzagjerim – të njerëzve në Angli e flasin anglishten standarde si gjuhë natyrale të shtëpisë. Shumica e njerëzve flasin variacionet rajonale. Shumica e njerëzve thonë “I ain’t got this. We ain’t got no nothing” (Unë nuk e kam këtë. Ne nuk kemi asgjë) dhe gjëra të këtij lloji. Negativa të dyfishuara, të gjitha karakteristika jashtë standardit. Kështu flasin ata normalisht.

Pastaj ata shkojnë në shkollë dhe mësojnë se “kjo nuk është e drejtë, nxënës i dashur. Duhesh ta thuash në këtë mënyrë” dhe mësohet anglishtja standarde. Kjo është e dobishme nëse theksi lokal dhe dialekti nuk e përulin [standardin] në proces e cila gjë natyrisht, ka ndodhur.

Sidoqoftë, diku rreth vitit 1800 anglishtja standarde, në këtë kuptim të universales, u paraqit mjaft e unifikuar në një formë të shkruar, duke iu falënderuar Dr. Johnsonit me fjalorin e tij. Pastaj, njerëzit sikur Lindley Murray dhe ipeshkvi Lowth me gramatikat e tyre dhe John Walker me fjalorët shqiptues, e kështu me radhë.

Ende ekziston një sasi e variacioneve por, në tërësi, është mjaft standarde. Pastaj, në Amerikë erdhi Noah Webster dhe tolloviti gjithçka duke thënë se “ne nuk e duam më atë standard. Ne duam një lloj standardi tjetër për kombin e ri”. Dhe kështu ai zhvilloi standard tjetër për anglishten amerikane.

Sërish, vetëm rreth pesë për qind e anglishtes amerikane dallohet nga anglishtja britanike në aspektin e drejtshkrimit, shenjave të pikësimit, vokabularit, gramatikës e kështu me radhe. Megjithatë, ky pesë përqindësh është shumë i rëndësishëm.

Papritmas, në botë u bënë dy standarde, britanik dhe amerikan. Pastaj, kjo i hapi dyert e vërshimit, apo jo, për shkak se çdo vend tjetër që vjen pas dëshiron ta përdor anglishten e vet. Sapo e adoptojnë gjuhën angleze, menjëherë ndjejnë se kanë nevojë për adaptim të shprehjes së identitetit të tyre mjedisor.

Kjo është kur gjuha jostandarde vjen në shprehje për shkak se atë që gjuha jostandarde e bën, është shprehje e identitetit më shumë se sa kuptueshmëri. Tashti, unë dhe ju jemi duke folur anglishten jostandarde. Ne nuk do ta kuptojmë njeri-tjetrin, por unë jam krenar me anglishten time jostandarde dhe ju jeni për anglishten tuaj.

Natyrisht, kaosi mund të jetë rezultati, por në shumë pjesë të botës ajo që ndodhë është se dy varietetet janë aq të dallueshme sa që nuk përzihen me njëra-tjetrën. Unë në disa raste e përdori anglishten standarde. Në disa raste e përdori anglishten jostandarde.

Tashti, me sa duket, shumica e njerëzve e pranojnë se një version i anglishtes nuk është domosdoshmërisht superior ndaj tjetrës. Vetëm që mësohen në kohëra dhe situata të ndryshme, supozoj.

Po. Me fjalë tjera, është më shumë nocion i përkatshmërisë sesa i korrektësisë. Nocioni i shekullit XVIII ishte se vetëm anglishtja e standardizuar ka qenë korrekte. Të gjitha tjerat nuk kanë qenë korrekte dhe si të tilla, janë mbeturina që nuk duhet kurrë të përdoren. Jeni dënuar nëse e keni përdorur.

Tashti është nocion i përkatshmërisë – anglishtja standarde është përkatëse për disa lloje të funksioneve, jostandardja është përkatëse për lloje të funksioneve tjera. Kjo është kur bëhet e rëndësishme për të gjitha vendet. Ne nuk jemi duke folur vetëm për Britaninë, Amerikën, Australinë, Indinë apo territoret e kolonive të vjetra. Ne jemi duke folur për anglishten e Kinës, anglishten e Japonisë e kështu me radhë.

Çka është anglishtja e Kinës për mua? Anglishtja e Kinës nuk është diçka kur dikush mëson anglisht në Kinë dhe e merr atë gabimisht.

Jo, është kur dikush mëson anglisht nga Kina dhe i cili zhvillon komandë të mirë të anglishtes por që e përdor për të shprehur konceptet kineze dhe kulturën kineze në atë mënyrë që unë nuk e kuptoj domosdoshmërisht. Kjo është për shkak se unë nuk e kuptoj kulturën kineze se jam jashtë saj.

Në tërë botën tashti e shohim këtë ‘anglishte të re’, siç po e quajnë, dhe e cila është shumë më ndryshe nga standardi tradicional i anglishtes britanike dhe asaj amerikane.

Atë që janë duke e bërë është se janë duke e lejuar shprehjen e identitetit të tyre lokal që të institucionalizohet në fjalorë, romane, drama, poezi, gramatikë dhe gjëra tjetra të ngjashme. Tashti ne duhet t’i respektojmë identitetet e kujtdo që mund të jenë – anglishtes indiane, anglishtes nigeriane, anglishtes kineze me të cilën unë mendoj se anglishtja e shkruar nga autorë kinezë, që shprehë ambientin kinez, por me komandë kompetente të anglishtes ashtu që dikush të mos mund të thot “Hej, kjo është gabim.”

Duke e patur këtë parasysh, atëherë vërtetë komplikohet puna e mësuesve të gjuhës angleze, apo jo? Çka është e pranueshme që të mësohet e çka është e pranueshme që të lihet jashtë? Është shumë më vështirë, ma merr mendja, sesa që ishte dikur, apo jo?

O Zot, ashtu është, apo jo? Është fakt që mësimi i gjuhës angleze është bërë më i vështirë për shkak të evoluimit të gjuhës në këtë mënyrë. Nuk është e thjeshtë. “Ah, ka anglishte britanike dhe anglishte amerikane. Nëse i ke ta qarta këto dyja, je në terren tëndin dhe i qetë.”

Më nuk është kështu. Tërë atë që e kam thënë, nëse e keni parasysh, është në fakt relevante vetëm për të kuptuarit e gjuhës e jo aq shumë për gjuhësinë.

A mendoni se duhet që mësuesit, tekstet shkollore dhe shkrimtarët të provojnë të punojnë me shembuj të anglishtes jostandarde dhe theksit jostandard nga të gjitha anët e botës dhe t’i fusin këto në tekstet shkollore?

Absolutisht. Tashti, në këtë aspekt, nuk ka dallime thelbësore në mes folësve vendas dhe atyre jovendas të anglishtes. Unë shkoj në pjesën tjetër të botës sikur që shkon nxënës i gjuhës së dytë në të njëjtën pjesë dhe ne të dy sfidohemi nga identiteti lokal i gjuhës.

Kjo më ndodhë tërë kohën. Unë vizitoj vende. Nuk e di se çka dreqin ndodhë sepse nuk i kuptoj fjalët, shprehjet dhe nofkat lokale të politikanëve. Tërë këto gjëra të identitetit kultural tashti janë gjithkah. Është problem për mua sikur edhe për tjerët.

Sa i përket materialeve, po, mendoj se që nga fillimi duhet të ndërtohet një ndërgjegjësim për variacionin. Disa programe e bëjnë këtë. Mendoj se është më e përgjithshme se kjo. Tërë materialet, natyrisht, gjithmonë kanë patur njëfarë kontributi kulturor.

Kur japim mësim për kohën e tashme [present tense] p.sh. duke thënë “Let us go for a walk down Oxford Street. Let’s buy some things” (Të shkojmë për një sheti rrugës Oxford Street. Të blejmë ca gjëra), dhe për këtë e përdorim kohën e tashme. Është kur ngjarja e përcakton përmbajtjen.

Mundeni, po ashtu, në të njëjtën kohë ta lejoni kulturën që të ndihmojmë në përcaktimin e përmbajtjes. P.sh. e kemi kryer me Oxford Street. Kur dikush thotë “T’a shikojmë orën tuaj” dhe ju thoni “Oh, qenka orë e mirë” dhe personi thotë “Yes, but it’s not actually Bond Street. It’s Portobello Road” (Po, por në të vërtetë nuk është Bond Steet. Është Portobello Road).

Këtë lloj komenti që mund ta bëjë kushdo qoftë – koment tërësisht i pakuptueshëm për shumicën e të huajve që nuk e dinë se Bond Street është rrugë e shtrenjtë kurse Portobello Road është rrugë pazari.

Mundeni me lehtësi të imagjinoni se duke shkuar në një dyqan për të blerë orë, e vëni në funksion kohën e tashme apo mund të plotësohet një panel kulturor diku i cili thotë “Këtu ‑ ky është vend i shtrenjtë për të blerë. Ky nuk është vend i shtrenjtë për të blerë”. Gradualisht, ndërtohet ndjenja e identitetit kulturor të vendit.

Do ta shpjegoj në mënyrë tjetër. Nëse shkoj në Pekin, si përkthehet Bond Street dhe Portobello Road? Si ia bëni kësaj pune? Nëse një kinez ma thotë këtë fjali në anglisht “Shko te pjesa e…”, unë nuk do ta kuptoja nëse nuk më shpjegohet. E dini se çka jam duke menduar kur them se kjo është një çështje shumë e përgjithshme.

Poashtu, dëshiroj që t’ju pyes në lidhje me atë se si krijohen kuptimet e reja për shkak se, natyrisht, kjo është diçka që ndodhë. Mendoj për anglishten e standardizuar dhe atë të pastandardizuar. Mendoj se ju e përmendni tek “A Little Book of Language” (Libri i vogël i gjuhës) në lidhje me inkurajimin e njerëzve që në fjalorë t’i kërkojnë kuptimet e fjalëve. Po ashtu ka të bëjë me rastin kur fjalët shpesh vërtetë marrin kuptim të ri kur njerëzit i përdorin gabimisht? A mund të na thoni se si krijohen kuptimet e reja apo si ato fillimisht mund të jenë jashtë standardit apo edhe të konsiderohen të gabuara?

Sa për të filluar, disa njerëz do të thoshin se çdo kuptim i ri ka qenë përdorim i gabuar. Gjithmonë ka pedantë që do të thonë se çdo ndryshim është gabim. Pastaj, gradualisht, përdorimi zgjerohet dhe njerëzit harrojnë se ky ka qenë problem ndonjëherë. Ata fokusohen në gjëra të reja që ndodhin. Kjo ka ndodhur në mënyrë rutinore.

Kjo ka ndodhur vetëm nga shekulli XVIII. Para kësaj kohe ndryshimet bëheshin, ashtu… Njerëzit e kanë kundërshtuar. Disa kanë provuar që ta ndalojnë, sikur Dryden dhe Swift dhe, sa për të përmendur, Johnson pat thënë, “Ne duhet t’a ndalojmë ndryshimin e gjuhës. Shikoni, francezët e kanë bërë këtë me Akademinë e tyre. Ata e kanë ndalur…”! Natyrisht që nuk e kanë ndalur. Por, ata e kanë provuar dhe mendonin se po e bënin këtë.

Vetë Johnsoni më vonë e pranoi dhe tha: “Madje as francezët nuk ia dolën që ta ndalonin ndryshimin e gjuhës. Kjo është pse ne nuk e duam akademinë për këtë punë”.

Ndryshimi zë vend. Gjithmonë do të ketë reagime. Është proces shumë natyral, shumë subtil. Shumica e ndryshimeve semantike që kanë efekt ndaj vokabularit, ndodhin pa u vërejtur fare nga askush derisa ato të themelohen. Hynë në fjalor dhe marrin kuptim kurse njerëzit thonë “Ah, po. Natyrisht. Ne e kemi thënë këtë me vite të tëra. Vetëm që nuk e këmi hetuar se ka ndodhur”.