LAJMI I FUNDIT:

KEK-u merr edhe 84 milionë euro

KEK-u merr edhe 84 milionë euro

Korporata Energjetike e Kosovës(KEK) ka marrë edhe 84 milionë euro nga buxheti i Kosovës, duke çuar në total shumën në gati 500 milionë euro që nga përfundimi luftës.

Megjithëse nuk ka shifra të sakta, besohet se deri më tani janë investuar mbi një miliard euro, ku mbi 600 milionë janë dhënë nga donatorët ndërsa pjesa tjetër nga buxheti i Kosovë.

Marrëveshja financiare është nënshkruar nga ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala dhe u.d. të drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj.

Nga kjo shumë 9.4 milionë euro do të përdoren për përfundimin e riparimit të Bllokut A5 në TC Kosova A, ndërsa pjesa tjetër prej 75 milionë euro do të përdoret për blerjen e ekskavatorëve të rinj dhe riparimin e disa sistemeve ekzistuese, të nevojshme për vazhdimin e shfrytëzimit të mihjeve ekzistuese dhe hapjen me kohë të mihjes së re të linjitit në Sibovcin Jugperëndimor.


Ky investim do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me linjit të termocentraleve edhe pas vitit 2010.

“Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve dëshmon qartë angazhimin e Qeverisë për të mbajtur premtimet në drejtim të përmirësimit të furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike, sa më parë që kjo të jetë e mundur”, tha drejtuesja e Energjetikës, Justina Pula.

Qeveria, konform programit qeveritar parashikon që kjo mbështetje financiare për KEK-un të vazhdojë edhe në vitet që vijnë, thuhet në komunikatën për opinion të Zyrës për informim në MEM. /Telegrafi/