Sipas portalit zhurnal.mk, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, që njëherësh është edhe politikani më i votuar në Kosovë, në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm në Qeverinë e Kosovës ka ardhur pas marrëveshjes së arritur ndërmjet partisë së tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku Thaçi ia lë postin e të parit të ekzekutivit partnerit të tij qeverisës, për ta marrë atë të Presidentit të Republikës në vitin 2016.

“Mbase edhe votëbesimi dhe pesha politike që ka në Kosovë, po bën që Thaçi të pritet nga krerët kryesorë të shteteve, por agjendat e tij jashtë vendit po janë edhe më të ngarkuara se të një kryeministri apo presidenti të shtetit”, shkruan zhurnal.mk.

Më tej shtohet se ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që dikur nga publicistët kosovarë shihej si i izoluar prej politikanëve të huaj, siç raportojnë tash mediat kosovare, gjatë këtij tremujori të qeverisjes së re ka vizituar hiç më pak se rreth 10 shtete të ndryshme.


“Edhe e veçanta e vizitave të tij nuk janë takimet bilaterale me homologët e jashtëm të tij, siç bëjnë zakonshëm edhe ministrat e tjerë, por në shumicën e shteteve që ka vizituar zyrtarisht dhe nuk ka shkuar për të tërhequr ndonjë mirënjohje apo shpërblim, ai ka takuar edhe presidentin, kryeparlamentarin dhe kryeministrin e shtetit nikoqir”, theksohet më tej.

Në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm, sot Thaçi po qëndron edhe në Kroaci dhe pas vizitës që është duke i bërë këtij shteti, ku është duke u pritur përsëri nga krerët kryesorë, ai ka paralajmëruar ta vizitojë edhe Slloveninë për t’u takuar edhe me krerët e shtetit slloven.

“Një nderim i tillë shtetëror dhe pritjet prej burrështetasi të organizuara për Hashim Thaçin, i cili njihet si politikan i shkathtë dhe praktik, mund të vijnë edhe si shenjë respekti që mund të kenë për të dhe për të kaluarën e tij, si lider politik i UÇK-së apo si kryeministër i shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe si politikani më i fuqishëm në Kosovë, por në shumicën e këtyre shteteve ai po pritet edhe si president i ardhshëm i Kosovës”, përfundohet në editorialin e zhurnal.mk. /Telegrafi/