Intervistoi: Aroma Aliti
Ai është një djalë që tashmë 14 vite merret me sport, bëhet fjalë për karateistin nga Tetova, Driton Halimi i cili në një intervistë për Telegrafi Maqedoni rrëfen rreth karrierës dhe planeve të tij të ardhshme.
Pasi ka kaq vite karrierë ai gjithashtu tregoi dhe qëllimin e tij kryesor për të qenë medalist botëror ose olimpik. Por, se sa e vështirë është për një sportist të arrijë profesionalizëm në një vend si Maqedonia e Veriut, tregon ai në vazhdim.
Si do ta prezantoje veten për ata që s’ju njohin?
Gjithmonë për ata që nuk më njohin prezantohem si sportist dhe si karateist i Maqedonisë së Veriut, më pëlqen më shumë që të prezantohem në këtë formë.
Dritoni përpos sportit të karatesë merret edhe me diçka tjetër dhe bëhet fjalë për një projekt i cili do të ligjërohet në shumë shkolla sportive të disa shteteve përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, kjo sipas tij do të jetë shkak i kontributit të tij në organizatën me të cilën do të zhvillohet projekti.
Me çfarë merret Dritoni momentalisht?
Momentalisht përpos sportit të karatesë jam edhe student pranë Universitetit të Tetovës “Fadil Sulejmani” por momentalisht jam edhe përfaqësues i Maqedonisë së Veriut në Sport dhe po merrem me një projekt shumë të madh ku janë pjesëtar shumë shtete të mëdha dhe po bëjmë një projekt për AntiDoping-un që do të ligjërohet në shumë shkolla sportive në disa shtete të ndryshme, një prej tyre do të jetë edhe shteti jonë falë kontributit që jap unë në këtë organizatë, do të jetë mirë që të gjithë të rinjtë të din për Dopingun sepse shumë të rinj konsumojnë por nuk i dinë pasojat.
Për të gjithë ata që nuk kanë dëgjuar apo nuk e kanë të qartë se për çfarë bëhet fjalë apo çfarë është Dopingu. (Dopingu është përdorimi i barnave të ndaluara për rritjen e performancës atletike nga konkurrentët atletikë si një mënyrë mashtrimi në sport. Termi doping përdoret gjerësisht nga organizatat që rregullojnë garat sportive. Përdorimi i barnave për të rritur performancën konsiderohet joetik, dhe për këtë arsye i ndaluar, nga shumica e organizatave sportive ndërkombëtare, përfshirë Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.)
Ai ka marrë pjesë dhe në Kampionatin Botërorë dhe këtë pjesëmarrje e veçon si një nga eksperiencat më mësimdhënëse dhe më të mira.
Cilën do e veçoje si njërën nga eksperiencat e tua që ju ka ofruar një mësim për sa i përket profesionit tuaj dhe pse?
Kam 14 vite karrierë dhe kam një eksperiencë të gjerë e kam zor të ndaj ndonjërën prej tyre sepse nga çdo eksperiencë mësojmë diçka qoftë edhe shumë e vogël, po mendoj se mund ta veçoj Kampionatin Botëror ku kam marre pjesë, ishte një eksperiencë e mirë ku mësova pak më shumë ngaqë ishte Kampionat Botëror dhe kam parë kultura të ndryshme, për ditë të tëra krijova edhe shumë shoqëri nga shtetet tjera dhe mësova shumë gjëra rreth karatesë në veçanti funksionimin e federatave të mëdha Botërore.
Një sportisti në Maqedoninë e Veriut i duhen 1500 euro shpenzime për të arritur profesionalizëm, sipas Dritonin. Kjo nënkupton një shumë parash që në vendin tonë vështirë të fitohen duke marrë parasysh pagat mujore në vend. Sporti ka kosto të lartë tregon gjithashtu Dritoni.
A është e vështirë të korrësh sukses në Maqedoninë e Veriut dhe a ofrohet përkrahja e duhur për sportistët në vend?
Po është e vështirë të korrësh sukses në vendin tonë ngaqë nuk të mundësohet nuk kemi kushtet e duhura, kemi talentin jemi shumë afër konkurrentëve tonë në arena botërore por ja që nuk arrijmë dot rezultat ngaqë kemi mungesë të shumë gjërave, jo nuk ofrohet përkrahja e duhur për sportistët, sportistët në vendin tonë po mbijetojnë në sport ato i mban familja, familja me një rrogë mesatare në vendin tonë nuk mund t’ju siguroj as ushqimin, sporti ka kosto më të lartë sipas një analize që kam bërë një sportisti i duhet përafërsisht diku tek 1500 euro në muaj harxhime për të pasur profesionalizëm padyshim, përndryshe është shumë e vështirë.
Cilët janë planet tuaja për të ardhmen dhe cili është synimi kryesor sa i përket karatesë?
Unë padyshim besoj në Zot dhe në veten time dhe jam i mendimit se çdo gjë arrihet dhe pse qëllimet e mia janë të mëdha unë punoj vazhdimisht tani më 14 vite pa u ndalur asnjëherë që të arrij qëllimin tim të jem medalistë botëror dhe olimpik, mendoj se nuk është vonë dhe jam në moshën e duhur ngaqë kundërshtarët e mi në këtë moshë po dorëzohen, unë mendoj të vazhdoj edhe shumë më shumë vetëm të kem shëndet dhe mbështetjen e familjes dhe miqve sepse ata janë shtylla kryesore që më mbajnë në sport ngaqë nuk e bëj për të ardhura sepse nuk fitoj aq shumë nga sporti.
Në fund ai i drejtohet rininë me mesazhin e tij motivues.
Një mesazh motivues për rininë?
Të rinjtë nuk duhet të dorëzohen kurrë ata duhet të punojnë shumë më shumë, suksesi vonon nuk vjen lehtë dhe pa punuar, keni qëllime dhe vizione punoni çdo ditë për to dhe padyshim që do e arrini atë që doni. Dhe gjithmonë mësoni nga të suksesshmit shikoni se si funksionojnë ata po patet mundësi të takoheni me një nga to, pyeteni çfarë do t’ju duhet, mësoni nga të gjithë çdo version që do e dini do të jetë mirë për aftësitë e juaja dhe ju kombinoni idetë e tjerëve dhe krijoni strategjinë tuaj./Telegrafi/