Kritikave që i ka bërë analisti Naim Rashiti, kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti për vendosjen e shtyllave të vogla përreth trotuareve u është bashkuar edhe pararendësi i Ahmetit, Isa Mustafa.

Ai ka thënë se trotuaret e kryeqytetit nuk ndërtohen me kunja e rrethoja.


“Do të ishte mirë që kryetari i Komunës dhe të tjerët të pyesnin se pse janë hequr shtyllat dhe rrethojat, t’i pyesin edhe qytetarët se a preferojnë që këmbësorët të përplasen për shtylla në trotuare, e se a kemi mbërri deri në atë nivel që duhet të mbrohemi me instrumente të tilla. Si qytetar i Prishtinës mendoj se rendi në qytet (kryeqytet) nuk vihet me rrethoja dhe me kunja. Prishtina nuk është burg i askujt”, ka shkruar Mustafa.

Ish-kryetari i komunës së Prishtinës, ka përkujtuar se shumë vite është punuar që të hiqen shtyllat dhe rrethojat nga objektet dhe rrugët e Prishtinës.

“Ka qenë e rrethuar me parmak Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Shërbimeve Publike, Komuna e Prishtinës, ka mbetur i rrethuar Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Rrethoja aspak të arsyeshme janë rreth objektit të përfaqësisë së Bashkimit Evropian, rreth EULEX-it rreth AKP-së”, i ka numëruar rastet Mustafa.

Këto institucione, sipas tij, më shumë përngjajnë në burgje.

“Në një shtet dhe në një vend me logjikë normale, bota dhe jeta nuk fillon me çdo ndryshim të qeverive”, ka theksuar lideri i LDK-së.

Ndërkaq, Rashiti ka shkruar se ajo çka po bën këto ditë është tërësisht në kundërshtim me atë që Shpend Ahmeti ka proklamuar për më shumë gjelbërim e më pak beton në Prishtinë.

“Komuna ia shton me mijëra stuba hekuri keq të punuar betonit pakufi në Prishtinë. Po duket tmerrshëm dhe frikshëm”, ka thënë Rashiti.

“Sot në rrugë ku ata stuba ishin vendos dhjetëra vetura ishin parkuar mu në rrugë skaj trotuarit duke shkaktuar kaos. Pak vite më pare u hoqën grilat rreth ndërtesave në qytet. Kjo historia e stubave ka fillu që me qeverinë e parë të vitit 2001 të cilat i kemi kritikuar vazhdimisht. Po nuk ma ka marrë mendja se qeveria komunale vazhdon me stuba hekuri në vitin 2014”, ka shkruar Rashiti, duke shtuar se: “Nuk rregullohet trafiku me stuba hekuri. Duhet rregulluar trafiku me ligje, parkingje etj”.

Ai ka përkujtuar se në vitin e ardhshëm komuna do të ketë edhe policinë komunale.

Por, Ahmeti, s’i ka mbetur borxh të paktën Mustafës.

Ai ia ka kthyer me të njëjtën masë, në të njëjtën formë. Pra, nëpërmjet rrjetit social, Facebook.

Ahmeti ka ofruar fotografi nga Parisi, Lublana e Berlini, për t’i parë zgjidhjet e këtyre qyteteve për bllokimin e trotuareve.

“Trotuaret nuk janë për t’u parkuar. Diku me shtylla e diku me drunj do t’i çlirojmë trotuaret nga makinat. Derisa të mësohen njerëzit mund edhe të ketë keqkuptime por kjo është mënyra e vetme. Prioritet janë këmbësorët. Paralel me këtë jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për parkingjet në qytet që në qendër do të jenë të kufizuara në kohë dhe me pagesë. Banorët e lagjeve do të jenë të privilegjuar”, është zotuar Ahmeti. /Tribuna/