Në fillim të këtij viti kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama kishte paralajmëruar vendosjen e kamerave të sigurisë me inteligjencë të lartë në kryeqytet, lajm ky që kishte nxitur mjaft debat.
E disa muaj pas paralajmërimit tashmë ka nis procesi i vendosjes së kamerave, fillimisht në udhëkryqet kryesore.
Lajmin për nisjen e projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë e konfirmoi për Telegrafin, Arlinda Kastrati nga Zyra për Media e Komunës së Prishtinës.
Kastrati në një deklaratë me shkrim për Telegrafin tha se projekti për vendosjen e kamerave ka filluar të realizohet dhe kamerat e sigurisë janë duke u vendosur së pari në udhëkryqet kryesore të Prishtinës.
Ajo tha se kjo po bëhet sipas planit të hartuar nga Policia e Kosovës.
Zyrtarja e Komunës së Prishtinës tutje bëri të ditur se projekti është trevjeçar dhe se këtë vit do të zbatohet faza e parë.
“Pajisjet për monitorim do të instalohen në objektin e Policisë së Kosovës, pasi që edhe monitorimi do të bëhet nga ana e Policisë së Kosovës”, tha Kastrati.
Ndryshe, në fillim të vitit, në janar, edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte thënë se kamerat e sigurisë do t’i monitorojë policia e vendit.
Rama kishte njoftuar se këto kamera kanë një inteligjencë të lartë artificiale, prodhim amerikano – kanadez, të cilat do të ndihmojnë që përmes policisë, të bëjnë identifikimin e personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare apo vende ku nuk lejohet.
Ai ishte shprehur se me këto kamera kryeqyteti do të jetë më i sigurt!.
Por, me këtë nuk ishte pajtuar ish kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa. Ai kishte thënë se nuk pajtohet që kryeqytetasit të futen në vëzhgim.
Mustafa në një postim në Facebook kishte shkruar se nuk është e drejtë që të mbikëqyret mbikëqyrim çdo lëvizje të këmbëve e duarve, hundës e buzëve, e se kush me kënd gjendet në makinë… çdo përshëndetje të burrave e grave, të vajzave e të djemve, sepse mund tu krijojmë probleme, pa e bërë ata asnjë faj.
Ndërkaq, një qytetar nga Prishtina kishte dërguar ankesë në adresë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Policisë së Kosovës, Anëtarëve të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Avokatit të Popullit lidhur me paralajmërimet për vendosjen e kamerave me inteligjencë të lartë artificiale në Prishtinë.
E Krenare Sogojeva – Dërmaku, komisionere për Informim dhe Privatësi, pas paralajmërimit për vendosjen e kamerave me inteligjencë artificiale në Prishtinë, ka thënë se Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) do të jetë gardian i privatësisë së qytetarëve. /Telegrafi/