LAJMI I FUNDIT:

Kamenica dhe zorra qorre

Qytetarët e Kosovës menjëherë pas çlirimit të vendit, dhe hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, menduan se çdo gjë do të shkojë si duhet, se çdo gjë do të rregullohet, se çdo gjë do të shkojë mbarë e mirë, se do të punësohen e do të jetojnë një jetë solide me dinjitet si të gjithë qytetarët e Evropës. Por në Kosovë ndodhi e kundërta, qytetarët e Kosovës ndoshta përjetuan probleme dhe vështirësi më të mëdha socio-ekonomike sa para vitit 1999. Kurse Kamenica sot shënon numër rekord për nga papunësia, mbi 60% e qytetarëve të saj janë të papunë, dhjetëra familje jetojnë në varfëri ekstreme, ka të tilla që durojnë edhe për bukën e gojës. Gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2007/08, Kryeministri i Kosovës, Komunës së Kamenicës i premtoi 50 milionë euro investime, por që nuk e investoi asnjë.

Rinia e Kamenicës ka mbetur pa perspektivë, të papunë, pa përkrahje, pa një jetë më të mirë ashti siç e meriton. Të rinjtë e Kamenicës, po ikin çdo ditë e më shumë nga Kosova, bile-bile më shumë së në kohën e represionit, dhunës e terrorit serb! Sporti Kamenicas është në degradim e sipër, shumë klube sportive në Kamenicë pas vitit 1999 i kanë ndërprerë aktivitetin e tyre shkaku i mjeteve financiare. Në Komunën e Kamenicës kishte me dhjetëra klube të: Futbollit, hendbollit, volejbollit, karatesë, ping-pongut, atletikës, ku tanimë janë shuar shumica prej tyre. Që nga 1999 në Komunën e Kamenicës janë shuar këto klube sportive: KF “Bujku”-Roganë; KF “Besa-Shipashnicë”; KF “Bashkimi”-Koretin; KF “Kika”-Hogosht; KF “Dardania”-Topanicë; KF “2 Korriku”; klubi i karatesë “Arbëria”; klubi i hendbollit “Dardana”; Klubi i Atletikës “Arbëria”; Stadiumi i Qytetit “Agush Isufi” ka mbetur vetëm si një relikt i së kaluarës. etj. Tani vetëm KF ”Kaolini” zhvillon aktivitetin sportiv me shumë mund, pa mjete financiare, pa përkrahje, pa kushte minimale, edhe pse ky klub meriton më shumë.

Dikur këto klube garonin me shumë suksese gati në të gjitha ligat e Kosovës, edhe pse ndiqeshin nga policia serbe, maltretoheshin, rreheshin, fyheshin, thirreshin në biseda informative udhëheqësit e klubeve, por kishte vullnet dhe shpresë se së shpejti do ta bëjmë shtetin tonë, që do të kujdeset për rini dhe për sport, atëherë klubet sportive financoheshin nga lokalet afariste, nga dashamirët e sportit, nga fshatarët, dhe ishin më të organizuara se sa sot! E sot askush s’mërzitet për sport dhe për vlera kulturore-sportive.


KF “Kika”, dikur ishte krenaria e komunës sonë, ishte anëtare e Ligës së Parë e Kosovës në futboll, ajo i mundte gati të gjitha ekipet e mëdha si KF “Prishtinën”, KF “Besën”, KF “Gjilanin”, KF ”Flamurtarin”, etj etj. KF “Kika”, ishte edhe nënkampione e Kosovës në vitin 1998. Stadiumi në Hogosht mbushej deri në 12.000 mijë shikues. E sot ku është krenaria jonë? U shua! Kush e shoi? Ne, ne, dhe vetëm ne, sepse tani nuk e kemi okupatorin të na ndalojnë që të merremi me sport! Ne kemi punë të tjera më të mençura se sa të merremi me sport.

Kamenica ishte fuqi e madhe ekonomike për Kosovën, kishte kompani të mëdha e serioze ku punon me mijëra Kamenicas si: “Magnokromin”; “Xim- Srtezocin”; ”Karaçeva”; “ish- Trajko Periçi”; “Fabrika e Pllakave”; ajo e tekstilit në Crep; “Kriva Reka”; Kodrat e Koretinit mbillesheni me luledielli; ferma e pulave në Roptovë; “Kosovatransi”, etj etj, po ato u shitën disa u bënë çajtore e disa restorante e autolarje, disa u shitën për hekur, e tani në to punojnë nga 3-4 kamerierë, apo nga 2 vetura-larës, kurse ajo fuqi punëtore që kalonte shifrën mbi 5000 mijë vetë mbetën rrugëve. Privatizimi jo korrekt e shkatërroi Kamenicën, e ne qytetarët kurrë s’u interesuam për pronën tonë, që po shitej e po vidhej nga të huajt e jo nga ne, kurse ne flinim gjumë dhe vazhdojmë ende të flemë.

Dhe pse ndodh kjo?! Ndodh sepse kamenicasit janë të përçarë, se jemi bërë pikë e pesë, një shtëpi e shtatë parti, s’jemi unik, nuk duhemi, lokalist, jemi injorant, njerëz me nga dy maska, një e mbajmë në shtëpi dhe një e kemi kur shëtisim nëpër “çarshi”, nuk jemi ata të para vitit 1999 gjë si të mirën si të keqen e ndanim bashkë. Kamenica sot është më e varfëruar se kurrë më parë, Kamenica dhe zorra qorre kanë të dyja diçka të përbashkëta, te dyja gjenden në qoshqe, të dyja nuk janë funksionale, të dyja nuk lidhin asgjë të rëndësishme, të dyja janë statike dhe jofunksionale.

Kamenicën para së gjithash nuk e përfaqëson askush në Parlamentin e Kosovës, sepse Kamenica nuk i votoi njerëzit e saj, i votoi të huajt “jabanxhinjtë” sepse ata na i “dinë” hallet tona më mirë se ne, kurse tani s`ka kush që të ngreh zërin atje ku duhet, po zërin ngrehin vetëm nëpër oda kur pimë çaj rusi, ja kur e pimë ndonjë gotë raki në kafiteri.
Fatkeqësisht realiteti mbetet i hidhur për ne, Kosova vendi më i korruptuar në Evropë, Kosova mbetët vendi më i izoluar në Evropë, vendi më i varfër, vendi me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në Evropë, vendi më i pa zhvilluar ekonomikisht, vendi më i pa pastër në Evropë.

Kosova dhe xhungla kanë diçka të përbashkëta, ne të dyja këto vendos ligji i më të fortit, për më të ligun Kosova s’ofron asgjë! Por ky popull i nëpërkëmbur një ditë do të shpërthej, nuk do të durojë skamje, injorim, përçmim të dinjitetit personal e familjar, nuk është e largët dita kur populli do të kërkojë atë që ia premtuat e kurrë s’ja dhatë! E lehtë është paguash me para të popullit e të investoni në luks, këto duar që sot lëmosh kërkojnë ju kanë votuar dje, që sot ju të jeni këtu, po ju s’bëtë asgjë për të. Të rinjtë e Kosovës nuk do të dëshirojnë të jetojnë në një vend të zymtë e pa perspektivë, në një vend ku nuk dilet nga rrethi vicioz, ata meritojnë më shumë, më shumë se kjo Qeveri e ndërtuar me dajë e kushërinj!