Ardhja e ish-numrit një të shërbimit të fshehtë të Kosovës në skenën publike politike të vendit nuk është asnjë befasi. U bënë dy vite që Kadri Veseli u bë numri dy i partisë më të madhe të Kosovës, më shumë se një vit që prej se është në krye të parlamentit të Kosovës, e tash ai është ngjitur edhe në pozitën numër një të PDK-së.
Një pjesë e opinioni publik ka shumë pyetje për t’i bërë Veselit. Kundërshtarët e PDK-së dhe të tij nuk kanë ndonjë pyetje por do të vazhdojnë vetëm me akuza nga të gjitha llojet.
Përkrahësit e PDK-së dhe të tij po ashtu nuk kanë ndonjë pyetje për t’i bërë pos që do ta lavdërojnë kush më shumë që mundet pa asnjë kriter.
Kategoria e tretë do të mund të jetë ajo e cila do të duhej t’i shtrojë pyetje Veselit për arsyet dhe synimet e tija të ngjitjes kaq të shpejt në pozitën e kreut të PDK-së dhe të Parlamentit.
Koha e shkurtër e këtij rrugëtimi në këto dy pozita është një dëshmi se sa i fortë ka qenë rroli i Veselit brenda kësaj partie edhe më parë, e me këtë pra edhe në skenën politike kosovare. Ai këtë nuk mund ta mohoj assesi.
Pse Veseli është në këto pozita ? A do sjellë ai diçka të re dhe nëse po, çfarë do të sjellë ai të re në skenën politike të Kosovës. Çfarë do të ndryshojë ai përbrenda PDK-së ? A ka Veseli një listë të planeve për ndryshuar diçka për të mirë në PDK dhe në Kosovë? Cila është analiza e tij për situatën e krijuar në Kosovë pas afro 17 vitesh lufte, e tetë vitesh pavarësie të brishtë? çfarë mësime ka nxjerrë ai nga kjo përvojë e hidhur e dështimeve të rënda të gjitha partive që ishin deri më tash në pushtet në Kosovë në ligj rend, ekonomi, papunësi, investime të huaja, korrupsion kronik, krim të organizuar… Lista është e gjatë, apo jo ?
Çfarë synon ai të ndryshojë në skenën ekonomike dhe sociale në Kosovë? A e dëshiron ai vërtetë këtë ndryshim ? Nëse po, si mendon ai se duhet bërë? Të gjitha këtyre pyetjeve Veseli nuk u ka dhënë përgjigje edhe pas dy viteve prej se e mori librezën e anëtarësisë në PDK dhe ishte numri dy i partisë.
Para katër vitesh ai i pat deklaruar një faqeje interneti në Gjermani se Kosova nuk duhet që të orientohet nga Turqia, por nga Gjermania dhe BE për të rimëkëmbur ekonominë e saj.
Ja disa nga citat e intervistës së tij në “Grand Tourisme” :
“Aktualisht turqit po blejnë gjithçka që shitet në Kosovë. Kjo para së gjithash është një përparësi e madhe për ekonominë turke, por jo edhe për ambiciet tona për një të ardhme evropiane të përbashkët. Në këtë drejtim kjo më shumë na dëmton”!
“Aeroporti, Energjetika dhe Telekomi duket se pa kthyeshëm do të blihen nga turqit. Personalisht konsideroj se është shumë e pa këndshme që ne si një vend evropian t’i nënshtrohemi dhe biem nën ndikimin kaq të madh turk. Para njëqind vjetësh ne mezi kishim dalë nga tirania 500 -vjeçare osmane. Zhvillimet aktuale në këtë drejtim sjellin me veti rrezikun e një vetëvrasjeje për ne”!
“Ne jemi të interesuar që të tërheqim investues gjermanë në Kosovë”!
“Ekonomia e vendit, në kundërshtim me interesat tona po u shitet vendeve jashtë kontinentit evropian. Kështu kemi përshtypjen se po shitemi dhe ne. Qëndrimi ynë është se Kosova është një vend i destinuar për investime evropiane dhe jo që pasuritë tona të shkojnë në Azi”!
Që nga këto deklarata të forta e deri më tash, shumë gjëra kanë shkuar në drejtim të kundërt me ata çfarë thoshte asaj kohe Veseli. Pra, trendi i vjetër po vazhdon. Investimet gjermane dhe nga vendet e tjera evropiane mbeten vetëm fjalë. Thënë shkurt investimet gjermane nuk erdhën, por ato po shkojnë në Maqedoni dhe Serbi.
Kësaj jave Veseli ishte në Berlin, përkatësisht në Parlamentin gjerman për një konferencë për anti-semitizmin. Kalimthi ai e pati një shtrëngim dore edhe me Angela Merkelin dhe një foto. Veseli dhe njerëzit e tij e shndërruan këtë në lajm bombastik. Mediat vendore dhe shqiptare në rajon e përcollën këtë shtrëngim dore. Por, komunikata për shtyp e Veselit ishte një monolog i llojit të vjetër e të demoduar të politikanëve shqiptarë.
Veseli më pastaj u takua edhe me parlamentarë të CDU-së. Komunikata nga zyra e tij, thotë se u bisedua për kolegët e Merkelit u “interesuan për mundësitë ekonomike të Kosovës në tërheqjen e investimeve kapitale”.
Sa për informatë për Veselin: Kosova deri më tash ka nënshkruar marrëveshje vetëm me një shtet për mbrojtje të investimeve (SHBA), ndërsa Maqedonia me mbi 40 sish.
Deputetët e CDU-së e dinë se PDK-ja ishte pjesë e qeverive të cilat dështuan për të sjellë investime. Ndërmarrjet gjermane, e dinë shumë mirë pse nuk erdhën në Kosovë, por shkuan dhe vazhdojnë të investojnë në Maqedoni dhe Serbi.
Shembulli më i mirë është ai i Draexlmaier Automotive Electronics dhe përvoja e kësaj kompanie në vitin 2008 në Kosovë. Thaçi duhet t’i ketë treguar Veselit, pse kjo kompani iku pas tre muajsh nga Kosova dhe u vendos një vit më vonë në Maqedoni.
Si do t’i bind Veseli tash këta deputetë dhe ndërmarrjet gjermane dhe evropiane për të investuar në Kosovë ?
Të gjithë politikanët shqiptarë e ndërtuan karrierën e tyre në fillim me foto të këtilla me politikanët dhe zyrtarët perëndimorë. Vazhdojnë që ta bëjnë këtë me pompozitet edhe sot. Këtë metodë po e përdor edhe Veseli. Nga ky kënd-vështrim ai mbetet i njëjtë me Hashim Thaçin.
Krejt klasës politike në Kosovë, e bashkë me të edhe Kadri Veselit i mungon kreativiteti pozitiv. Përvoja tregon se ata në të vërtetë nuk janë të interesuar që të lodhin mendjen për të sjellë kreativitet në të mirë të qytetarëve dhe të vendit, pos për të rritur dhe mbrojtur interesat dhe pozitat e tyre personale.
Kjo vlen 100 për qind për të gjithë ata dhe të gjitha partitë që ishin dhe janë në pushtet. Ende nuk vlen për VV, sepse ajo nuk ishte në pushtet qendror.
Nëse Veseli nuk pajtohet me këto vlerësime ai duhet që të dëshmojë të kundërtën duke sjellë risi të mira në skenën politike në Kosovë dhe rezultate konkrete e jo foto dhe monologje nga Prishtina e kryeqytetet e vendeve të BE-së. Ai duhet që të arsyetojë deklaratat e tij të para katër viteve se duhet tërhequr investime gjermane dhe evropiane duke treguar rezultate përmes koalicionit të PDK-së së tij dhe LDK-së së Isa Mustafës dhe jo foto dhe shtrëngim dore me zyrtarët gjermanë dhe perëndimorë për të mbushur faqet e mediave kot së koti. Ai duhet ta arsyetojë veten se nuk është ‘Hashim Thaçi i II-të’ duke e ndërruar kursin dhe drejtimin e PDK-së krejtësisht e bashkë me këtë edhe mënyrën e të qeverisurit aktual me LDK-në.
Lista se çfarë duhet bërë konkretisht është tejet e gjatë duke filluar që në çështjet nga raportet Kosovë-Serbi dhe dialogu i dhimbshëm me Beogradin i cili shoqërinë kosovare e ka ndarë rëndë dhe në dysh të madh.
Servilizmi me perëndimorët i llojit ‘gjithçka në të mirë të stabilitetit në rajon’ po bëhet në dëm të Kosovës e në dëm të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo formulë e shfrytëzuar tinëzisht nga Beogradi dhe perëndimorët duhet të shlyhet nga koka e Veselit dhe të tjerëve. Servilizmi i politikanëve kosovarë ndaj kërkesave të BE-së në raport me Serbinë po shkakton ndarje dhe armiqësi të rënda në shoqërinë kosovare. Për shkak të kësaj qasjeje të gabuar Kosova sot ndodhet në krizën më të rëndë politike që nga paslufta.
Shqetësimi i opozitës për rrezikun e shndërrimit të Kosovës në një model jo funksional siç është Bosnja përmes AKM-së për pakicën serbe është real. Mjafton të krahasohet përmbajtja e kësaj marrëveshje me atë çfarë Boris Tadiq e pat prezantuar në Këshillin e Sigurimit të OKB në vitin 2004 për autonominë serbe në Kosovë për të konstatuar se përmbajtja dhe forma janë të njëjta, por ndryshon vetëm emri.
Veseli po deshi që të ndryshojë diçka për të mirë dhe të dëshmojë konkretisht se nuk është “Thaçi i II-të”, duhet të fillojë me këtë së pari, e të vazhdojë me ndryshime rrënjësore në frontin ekonomik e social përmes ndikimit që ka tash në koalicionin qeveritar.
Në të njëjtën kohë, qasja ndaj opozitës duhet që të ndryshojë. Një formë e re dialogu – e pse jo edhe me ndihmën e perëndimorëve – me opozitën duhet gjetur për t’i dhënë fund krizës e për të evituar situatën e mbivotimit të çdo gjëje në parlament me arsyetimin se dialogu duhet zhvilluar vetëm në parlament.
Mbivotimi nuk është dialog institucional, por është lojë e paskrupullt e muskujve me vota në emër të institucioneve. Dëshmia më e mirë është edhe mënyra e votimit të Thaçit në postin e kryetarit të vendit.
Nëse të gjithë të tjerët nga pushteti, pra edhe vet Veseli, pretendojnë se gjenden në këto pozita meqë ia duan të mirën qytetarëve dhe Kosovës, një minimum komunikimi duhet gjetur edhe me krerët e opozitës.
Konfrontimi banal dhe i çoroditur midis politikanëve në Kosovë po i përçanë gjithnjë e më shumë edhe qytetarët e thjeshtë.
Konfrontimi midis të dy kampeve do ta fundos edhe më shumë Kosovën në amulli në dëm të qytetarëve dhe të vendit.
Dëshmia e dështimeve të të gjitha qeverive të deritashme janë edhe shifrat alarmante të numrit të azil-kërkuesve nga Kosova në BE në vitin 2016. 66,885 kosovarë u larguan nga Kosova vitin e kaluar. Në vitin 2014 kjo shifër ishte 37,875.
Kjo është dëshmia më e mirë se sa të zhgënjyer dhe të pashpresë janë qytetarët e Kosovës si pasojë e pushtetarëve të deritashme në vend.
Nuk kemi dëgjuar ndonjë nga pushtetarët të ketë shprehur shqetësime për këtë ikje masive dhe rekorde të qytetarëve për në BE.
Pala kundërshtare e PDK-së thotë se Veseli nuk është gjë tjetër veçse kopje e të tjerëve. Nëse ai ndjehet i bezdisur nga këso lloj vlerësimesh, le të dëshmojë pra të kundërtën. Tash ai e ka fuqinë dhe momentin që ta bëjë këtë. Por së pari duhet nisur me vullnet.
A ka Kadri Veseli dëshirë, vullnet dhe mënyrë dhe plane konkrete për të bindur kundërshtarët se ai nuk është « Hashim Thaçi i II-të” apo PDK-ja e tij do të vazhdojë që mbetet ajo e vjetra që ishte dhe ndër fajtoret kryesore – dhe jo e vetme – e dështimeve të rënda 17 vjeçare në kurriz të qytetarëve dhe Kosovës.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Tre persona të plagosur në Klinë, njëri në gjendje të rëndë

Çfarë do të thotë për Evropën fitorja e Friedrich Merz?

Mbyllja e qendrave ilegale për punë sociale në veri, analistët paralajmërojnë për raportet me SHBA-në

Egli tha se nuk e njeh, kundërpërgjigjet Xheneta: E di shumë mirë se kush jam

Merz përjashton edhe një herë koalicionin me AfD - pasi Weidel thotë se duart e saj janë 'zgjatur' për t'u bashkuar me një qeveri

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Egli tha se nuk e njeh, kundërpërgjigjet Xheneta: E di shumë mirë se kush jam

Mbyllja e qendrave ilegale për punë sociale në veri, analistët paralajmërojnë për raportet me SHBA-në

Zelensky: Kemi nevojë për 20 sisteme raketore Patriot, do t’i paguajmë

E zgjodhi për ta rikthyer në lojë, G Bani tani ndërron mendim për Gjestin - e quan lojtar të shkëlqyer

Merz përjashton edhe një herë koalicionin me AfD - pasi Weidel thotë se duart e saj janë 'zgjatur' për t'u bashkuar me një qeveri