Pas disfatës së thellë 6-1 në “Qemal Stafa”, skuadra e drejtuar nga Redi Jupi ka hedhur pas atë zhgënjim, duke u përqëndruar te sfida e radhës ku do të kërkojë të dalë me një rezultat pozitiv ndaj një kundërshtari direkt që pak ditë më parë u mund 2-0 nga luzitanët.

“Hungaria është një skuadër që ka bërë shumë investime dhe është shumë moderne që i bën shumë mirë të dyja fazat kështu që duhet të jemi të kujdesshëm për të respektuar cilësinë e kundërshtarit”.


Trajneri thekson se problemet më të mëdha kjo skuadër i ka në mbrojtje, por në krahun tjetër ai e pranon se sulmi është reparti më cilësor dhe në transfertën e Hungarisë do të luajë me katërshen Çekiçi-Rashica-Manaj-Latifi.

“Në sulm kemi shumë lojtarë cilësorë, megjithatë duke parë edhe shijet e mija për t’i evidentuar këta lojtarë unë do të luaj me të katërt lojtarët”.

Sipas Jupit, grupi që ka në dispzocion po i hedh hapat një e nga një. Ai shton se kjo është një skuadër e re, e cila premton shumë edhe për të ardhmen e Kombëtares Shqiptare.

“Lojtarët e rinj kanë mundësinë si asnjëherë tjetër që një pjesë e madhe e tyre të bëhen lojtarë të ekipit Kombëtar”.

Në vijim ai bën një koment edhe për talentin shqiptar të Interit, Rey Manaj.

“Rey është një djalë shumë i mirë por shumë kompleks. Është shumë mirë që ai luan te Interi por specifikat në U-21 ndryshojnë. Ai do të marrë shumë përgjegjësi që nuk ia kemi dhënë. Te Interi është më i shpenguar sepse nuk presin shumë nga ai”.

I pyetur nga Sport News nëse trajneri Gianni De Biasi po interesohet për elementët premtues, Jupi mjaftohet me një përgjigje diplomatike.
“Nëse do të bëjnë mirë si te U-21 ashtu edhe te ekipet ku luajnë, De Biasi mirëpret çdo lojtar të mirë sepse atij i duhen më të mirët dhe gjatë kohëve të fundit i ka bërë zgjedhjet e tij”.

Ndeshja Hungari-Shqipëri do të luhet të martën në orën 18:45. Kjo është përballja e 4 për skuadrën kuqezi që numëron po kaq pikë në Grupin 4 ku bëjnë pjesë edhe Portugalia, Izraeli, Greqia e Lihtenshtejni.
 

telegrafi sport app