JP Saxe anulon turneun në SHBA për shkak të shitjeve të ulëta të biletave: Synova shumë lart

Këngëtari kanadez JP Saxe ka anuluar turneun e tij të planifikuar në SHBA, pasi shitjet e biletave rezultuan shumë më të ulëta se sa pritej.
Artisti 32-vjeçar, i njohur për hitin “If The World Was Ending” me ish-partneren Julia Michaels, pranoi në rrjetet sociale se kishte synuar “shumë lart” dhe se nuk arriti të shesë rreth 20 mijë bileta që do ta kishin mbajtur turneun gjallë.
Turneu “The Make Yourself At Home”, me 32 data të planifikuara nga shtatori deri në fund të tetorit, ishte planifikuar për ambiente me kapacitet prej 2,000–3,000 vendesh, shkruan DailyMail.
Por, për shkak të interesit të ulët, Saxe u detyrua ta anulojë, duke pranuar publikisht se ndjehej në siklet dhe i zhgënjyer.
“Jam jashtëzakonisht mirënjohës për ata që blenë bileta”, tha ai në një video pasuese, duke theksuar se transparenca në dështim është më e vlefshme se fasada e suksesit.
JP Saxe dhe Julia Michaels, të cilët nisën lidhjen gjatë bashkëpunimit për këngën e vitit 2019, u ndanë në vitin 2022, por kënga e tyre u bë hit i madh dhe u nominua për çmimin Grammy për Këngën e Vitit. /Telegrafi/




















































