Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka sqaruar edhe njëherë vendimin për të rikthyer transmetimin e programeve sportive “Arena sport” në Kosovë.
Vitin e kaluar në kanalet e “Arena sport” ishin shfaqur mesazhe kërcënuese për Kosovën dhe që glorifikonin terroristët e vrarë në Banjskë. Për shkak të këtij gabimi trashanik, KPM-ja kishte ndaluar transmetimin e këtyre kanaleve në Kosovë.
Por sipas Mehmetit, tani kanë ndryshuar rrethanat dhe ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët që këto programe të transmetohen nga operatorët kabllorë në Kosovë.
Ai më tej ka theksuar se janë garantuar nga rrjeti televiziv serb se më nuk do të shfaqen përmbajtje kërcënuese për Kosovën.
“Para 4 muajsh, KPM-ja ka marrë vendim për të pezulluar kanalet e Arena Sport, të cilat janë me origjinë nga Serbia, por që transmetohen në Kosovë përmes operatorëve të licencuar nga vetë KPM-ja. Dhe kjo me arsyen se ka qenë një mesazh politik aty, që ka qenë në kundërshtim me rregulloren tonë dhe ai mesazh kishte të bënte me glorifikimin e sulmit terrorist në Banjskë”.
“Pra, menjëherë ato ditë pas sulmit terrorist, për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të tensioneve ndëretnike, ne kemi marrë masën më të ashpër që e parasheh ligji jonë, e që është pezullimi – largimi i një kanali të huaj dhe kjo deri në një vendim tjetër të KPM-së”, ka deklaruar Mehmeti në “Përballje Podcast” ku është diskutuar për rolin dhe përgjegjësinë e KMP-së, emision që do të publikohet në ditët në vijim.
Ai tutje ka thënë se ia kanë dhënë një shans të dytë “Arenës”, pasi edhe kërkesat kanë qenë të shumta në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në kanalet sportive.
“Dhe tani kemi marrë një vendim tjetër, ku kemi parë se kanë ndryshuar rrethanat mbi të cilat e kemi marrë vendimin e parë. Kemi marrë garancinë pas shumë kërkesave që kanë dorëzuar vetë operatorët e shpërndarjes dhe vetë ‘Arena Sport’ që t’u jepet një mundësi e dytë, në kuptimin që edhe të drejtat sportive, të cilat i kanë siguruar për Republikën e Kosovës, t’u mundësohen qytetarëve të Kosovës që të kenë qasjen në to dhe duke ofruar garancinë se do të respektohen plotëni të gjitha rregulloret e KPM-së dhe duke marrë parasysh të gjitha këto, ne kemi shfuqizuar vendimin paraprak”.
Mehmeti po ashtu ka paralajmëruar se në rast se gabimi përsëritet kanalet e “Arena Sport” do të largohen përfundimisht nga të gjitha platformat e Kosovës.
“Kemi vënë në siguresë të madhe aty që në rast të përsëritjes së gabimit të njëjtë, pra mesazheve politike në kanale sportive, do të bëhet njëherë e përgjithmonë largimi i kanaleve të ‘Arena Sport’ nga platformat e Kosovës”.
Ai mes tjerash ka folur edhe për kritikat e deputetëve të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe kërkesën për shkarkim të KPM-së pikërisht për shkak të vendimit për “Arena Sport”.
“Vendimi i KPM-së do të mbetet sepse është në lirinë dhe në pavarësinë e anëtarëve të Komisionit të marrin vendimet e veta. Nëse anëtarët e Komisionit marrin instruksione nga jashtë, atëherë ata vetë janë në shkelje të ligjit të KPM-së, i cili i ndalon ata të marrin çfarëdo udhëzimi nga jashtë institucionit”.
“Në këtë kuptim, ne kemi dhënë sqarimet tona se përse e kemi pezulluar vendimin tonë të parë. Pra, nuk kemi marrë një vendim të ri, i cili u lejon kanaleve ‘Arena Sport’ të vijnë në Kosovë, sepse ato kanë qenë në Kosovë, por për shkak të gabimit trashanik që kanë bërë, ne kemi pezulluar për një periudhë ato kanale që të mos transmetohen në Kosovë”, është shprehur kryetari i KPM-së. /Telegrafi/