LAJMI I FUNDIT:

Jeta e shtrenjtë studentore

Jeta e shtrenjtë studentore

Ka një muaj që në Kosovë ka filluar viti i ri akademik 2015-2016. Shumica e studentëve vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës dhe nuk punojnë.

Megjithatë, në kryeqytet studentët duhet të paguajnë për vit akademik, literaturë, për banim, ushqim dhe veshmbathje.

E, për të gjitha këto, ata thonë se shpenzojnë prej 200 deri 350 euro në muaj, varësisht nga kushtet materiale, kryesisht të familjeve të tyre.

Por, si e përballojnë në mënyrë financiare jetën studentore këta studentë? Për rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë, shumica e të anketuarve tregojnë se çmimet janë të larta dhe financiarisht varen nga familjet e tyre.


Gentrit Hajdini, nga komuna e Shtimes, është student në FakultetinEkonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ai udhëton çdo ditë për t’i përcjellë ligjëratat. Ai vlerëson se shpenzimet për një student, janë shumë të larta.

Gentriti thotë se për shpenzimet e nevojshme të tij kujdesen vëllezërit që jetojnë në shtetet perëndimore.

“Kushtet ekonomike në Kosovë nuk janë të mira. Për mua kujdesen vëllezërit që punojnë jashtë Kosovës. Ata më dërgojnë para që ta paguaj semestrin, rrugën dhe shpenzimet tjera për literaturë. Me dëshirë do të punoja dhe t’i paguaj vetë studimet”, thotë Gentriti.

Edhe Milot Gashi, nga komuna e Vushtrrisë, konsideron se studimet janë të shtrenjta. Ai tregon se në familjen e tij punon vetëm babai dhe në këtë mënyrë mbulimi i shpenzimeve të nevojshme, është i vështirë.

“Gjatë studimeve, ka nevoja të mëdha dhe të ndryshme dhe çmimet janë shumë të shtrenjta. Kjo për faktin se niveli i papunësisë është shumë i lartë. Në familjen time punon vetëm babi, kështu që mundësitë për mbulimin e shpenzimeve janë minimale”, tregon Miloti.

Në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, studion edhe Endrit Rrustemi, nga komuna e Ferizajt. Endriti tregon se për t’i përcjellë ligjëratat udhëton drejt Prishtinës. Duke e konsideruar të shtrenjtë jetën studentore, ai tregon edhe mënyrën e financimit.

“Varemi nga familja, unë gëzoj bursë nga universiteti, gjatë sezonit të verës, punoj punë sezonale në vendet perëndimore. Unë udhëtoj dy herë në javë, është më lirë sesa të banojmë në Prishtinë. Por, përgjithësisht jeta është e shtrenjtë”, shprehet Endriti.

Kolegu i Endritit, Qëndrim Arifi, banon në Prishtinë dhe për këtë paguan 50 euro në muaj, pa përfshirë këtu shërbimet komunale. Edhe Qëndrimi thotë se varet nga familja.

Ndryshe, ai thotë se nuk është i interesuar për t’u angazhuar në ndonjë punë, deri në përfundimin e studimeve:

“E shtrenjtë është jeta për një student. Përderisa në vendet tjera përkrahen studentët, në Kosovë vetëm kërkohet prej studentëve. Nuk mundem të punoj, për shkak se jam i përqendruar shumë në studime dhe mendoj se në rast se punoj, do të shpërqendrohem”.

Fitore Berisha, studente në vitin e dytë në Fakultetin e Edukimit, shprehet se shpenzimet për studime paraqiten problem për financim nga prindërit. Ajo është nga komuna e Gjilanit, kurse banon në Prishtinë.

“Studimet janë shumë të shtrenjta. Unë banoj këtu dhe paguaj qira, pastaj na bie të udhëtojmë shpesh. Përveç kësaj, është ushqimi, literatura dhe gjërat tjera”, thekson Fitorja.

Por, Musli Murati, i cili thotë se minimum pesë euro i shpenzon në ditë, financimin për nevojat e tij e vlerëson motivim për studime dhe nota më të larta.

“Shtrenjtë është, literatura, fotokopjet, ushqimi e gjërat tjera të nevojshme. Financimi nga prindërit, gjithmonë është motiv të mësojmë më tepër. Ata po mundohen për ne, kështu që mundi i tyre mos të shkojë kot”, thotë Musliu.

Më lehtë me shpenzime e kalon Fahrije Rexhepi, studente në vitin e dytë në Universitetin e Prishtinës. Ajo me familje jeton në Prishtinë, kështu që nuk paguan qira për banim dhe shërbimet tjera komunale.

“Shtrenjtë është, por ne jetojmë në Prishtinë, nuk paguajmë qira apo shërbime komunale. Semestri për studentët e rregullt është 25 euro, kurse për ata me korrespondencë është 125 euro. E, për ata që vijnë nga qytetet tjera, kushton ushqimi, banesa, uji, rryma”, pohon Fitorja.

Ngjashëm shprehet edhe Besa Gosalci, studentë në vitin e dytë në Universitetin e Prishtinës.

“Librat kushtojnë shtrenjtë, por ne i fotokopjojmë me nga 2- 3 euro. Shpenzimet tjera janë ushqimi, kafe e kështu. Unë në muaj shpenzoj ndoshta 100 euro, pasi nuk paguaj qira dhe rrymë. Derisa të gjej ndonjë punë të mirë, do të varem nga prindërit. Gjithkund nuk punoj”, thotë ajo. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

Lajme
Ramadani: Shpresim Uka ka dhënë deklarata të pavërteta, kam incizuar një bisedë katërorëshe me të në Merdar

Ramadani: Shpresim Uka ka dhënë deklarata të pavërteta, kam incizuar një bisedë katërorëshe me të në Merdar

Lajme
Analistët komentojnë

Analistët komentojnë "ofertën" e Limajt për Kurtin: Vetfaktorizim apo hapje e lojës politike?

Politikë
Publikohet video e rrallë e komandantit legjendar, Adem Jashari

Publikohet video e rrallë e komandantit legjendar, Adem Jashari

Lajme
Ekspertët e sigurisë: Ka foto e prova ndaj dy të akuzuarve për spiunazh, që janë të mjaftueshme për gjykatën

Ekspertët e sigurisë: Ka foto e prova ndaj dy të akuzuarve për spiunazh, që janë të mjaftueshme për gjykatën

Siguri
Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Sociale
Kalo në kategori