Jessie J ndan lajmin tronditës me fansat - zbulon se është diagnostikuar me kancer në gji

Këngëtarja e njohur britanike, Jessie J, ka ndarë me ndjekësit e saj një lajm të ndjeshëm dhe personal: ajo është diagnostikuar me kancer në gji.
Në një postim emocional në rrjetet sociale, artistja 37-vjeçare tha se sëmundja është kapur në fazat e hershme, duke shtuar: “Kanceri është i tmerrshëm në çdo formë, por po mbështetem tek fjala ‘herët’”, shkruan DailyMail.
Jessie ka zbuluar se e ka marrë diagnozën përpara publikimit të këngës së saj më të fundit "No Secrets", e cila u publikua më 25 prill. Ajo deklaroi se do t’i nënshtrohet një operacioni pas performancës që do të mbajë në 'Summertime Ball' në Londër më 15 qershor.
Pas katër viteve pauzë, gjatë të cilave solli në jetë djalin e saj Sky me partnerin, basketbollistin Chanan Colman, Jessie J u rikthye fuqishëm me këngën "No Secrets", që për të ishte një rikthim shumë domethënës.
Në videon e publikuar, Jessie J u shpreh: “Kam hezituar për pak kohë nëse duhet ta ndaj apo jo. Por e ndjej që dua. Gjithmonë kam ndarë gjithçka me fansat e mi, dhe edhe këtë e ndjej si detyrim”.
https://youtube.com/shorts/AwvHUKJjNr0?si=hAKwauVmN50cGmY3
Ajo shtoi: “U diagnostikova me kancer në gji në fazë të hershme, përpara se të dilte kënga 'No Secrets'. Kam kaluar nëpër shumë analiza gjatë kësaj periudhe, por nuk e kam përpunuar plotësisht emocionalisht, sepse kam qenë shumë e angazhuar me punë”.
Këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës është Jessica Cornish, do të kryejë operacionin gjatë verës. Ndërkohë ajo ka vazhduar me promovimin energjik të këngës së saj, përfshirë edhe një performancë të fuqishme në BAFTA Television Awards, ku këndoi "The Award Goes To".
“Kam dashur të jem e hapur, sepse, ndoshta egoistisht, nuk kam folur mjaftueshëm për këtë. Nuk po e përjetoj sa duhet emocionalisht, sepse jam shumë e përfshirë me projekte”, tha ajo.
Jessie shtoi se ndarja me të tjerët dhe historitë e mbështetësve të saj gjithmonë e kanë ndihmuar në përballimin e sfidave: “Jam një libër i hapur. Më dhemb zemra që ka kaq shumë njerëz që kalojnë gjëra të ngjashme, ose edhe më të vështira. Kjo është pjesa që më vret”.
Me një ton më të lehtë, Jessie shtoi me humor: “Të diagnostikohesh me këtë, ndërkohë që ke planifikuar të publikosh një këngë të quajtur No Secrets, dhe më pas një tjetër që quhet 'Living My Best Life'... s’ka si të jetë më ironike”.
Ajo shtoi me shaka: “Një mënyrë shumë dramatike për të bërë një ‘boob job’. Do zhdukem pak pas 'Summertime Ball' për të bërë operacionin, dhe do rikthehem me gjoks të ri dhe me muzikë të re”.
Në përshkrimin e postimit të saj, Jessie shkruajti me humor: “Tani s’kam më sekrete… Apo është shumë herët për të bërë një remix që quhet 'Living My Breast Life?'”
Më tej shtoi: “Nëse lë mënjanë shakatë (sepse e di që është mënyra ime për të përballuar kohë të vështira), këto dy muaj kanë qenë të mrekullueshëm, por ky lajm në prapaskenë më ka dhënë një perspektivë krejt të re”.
Në një Story në Instagram, ajo shkruajti: “Sapo ndava diçka shumë personale që e kam mbajtur për vete për nëntë javë. Koha ka qenë e çuditshme, por e bukur. Tani më duhet ta përpunoj dhe… më duhet një përqafim”.
Ajo përfundoi: “Ju më keni dashur gjithmonë, në të mirën dhe të keqen. Nuk dua që kjo të jetë ndryshe”. /Telegrafi/



























































