Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance njoftoi se të premten do të vizitojë Grenlandën si pjesë e një delegacioni të lartë amerikan, bashkë me gruan e tij, e cila edhe më parë ka vizituar këtë vend.
“Po pres me padurim vizitën në Grenlandë të premten”, shkroi Vance në një mesazh në rrjetin social X, ku bashkëngjiti edhe një video që njofton udhëtimin.
Vance tha se do të vizitojë anëtarët e Forcave Hapësinore amerikane në bregun verilindor të Grenlandës dhe do të kontrollojë “çfarë po ndodh me sigurinë” në këtë zonë.
Ai theksoi se “shumë shtete të tjera” kanë kërcënuar Grenlandën dhe janë përpjekur të shfrytëzojnë territorin dhe ujërat e saj “për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe popullin e Grenlandës”.
Looking forward to visiting Greenland on Friday!🇺🇸 pic.twitter.com/p3HslD3hhP
— JD Vance (@JDVance) March 25, 2025
Zëvendenësi i Donald Trumpit shtoi se po flet në emër të presidentit amerikan, që ata dëshirojnë të forcojnë sigurinë e qytetarëve të Grenlandës, sepse e konsiderojnë këtë të rëndësishme për sigurinë e gjithë botës.
“Për fat të keq, liderët në SHBA dhe Danimarkë e kanë injoruar për një kohë të gjatë Grenlandën, kjo ka qenë e dëmshme për Grenlandën dhe për sigurinë e botës së tërë. Mendojmë se mund ta çojmë situatën në një drejtim tjetër”, tha ai.
Gruaja e tij, Usha Vance, e cila këtë javë njoftoi gjithashtu se do të vizitojë Grenlandën si pjesë e delegacionit amerikan që do të vizitojë vendet historike dhe do të mësojë për trashëgiminë e Grenlandës.
Ndryshe, Trump kishte deklaruar javë më parë se SHBA-ja me siguri do ta aneksojë këtë vend, pavarësisht kundërshtimeve të tyre. /Telegrafi/