Site icon Telegrafi

“Java e fundit për votimin e buxhetit” – Hyseni apelon për miratim

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka bërë thirrje për seancë urgjente të martën dhe u kërkon partive politike dhe asamblistëve që të votojnë buxhetin e qytetarëve.

Hyseni, thekson se janë në javën e fundit të afatit ligjor kur Kuvendi Komunal mund dhe duhet ta votoj buxhetin e qytetit tonë për vitin 2025.

Sipas tij në takimin e fundit me partitë politike opozitare në Gjilan i është kërkuar që i gjithë procesi i aprovimit të buxhetit të kthehet nga e para.

“Edhe pse ne kemi mbajtur dëgjimet buxhetore dhe kemi ndjekur çdo hapë ligjor për aprovimin e buxhetit, opozita nuk mori pjesë në asnjë dëgjim buxhetor dhe nuk dërgoi asnjë propozim të vetëm”, tha kryetari Alban Hyseni.

Më tej ai shtoi se tani kur ditët janë të numëruara është tepër vonë dhe jashtë çdo afati ligjor për dëgjime buxhetore apo procedura tjera.

“Prandaj me datën 25 shkurt, vetëm tri ditë para përfundimit të aftit ligjor do të thërrasim një seancë tjetër urgjente për aprovimin e buxhetit. U bëjë thirrje partive politike dhe të gjithë asamblistëve të Kuvendit Komunal që të votojnë e aprovojnë buxhetin e qytetarëve të Gjilanit”, tha Hyseni. /Telegrafi/

Exit mobile version