Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se janë duke vazhduar hetimet për gjetjen e personit që ka bërë ndërhyrje në uebfaqen e presidencës, duke e prezantuar Jakup Krasniqin si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Osmani e quajti të papranueshëm një ndërhyrje të tillë, transmeton Telegrafi.
“Unë do të kem takime me institucionet e sigurisë sa i përket veprimeve të policisë, kurse hetimet sa i përket kompanive që kanë qenë më herët të angazhuara për menaxhim dhe janë tani e po vazhdojnë. Takimet janë duke vazhduar derisa të gjendet personi që e ka bërë atë ndërhyrje të papranueshme”, u shpreh ajo.
Osmani tha sapo të zbulohet kush ka bërë ndërhyrje, do të japin më shumë detaje.
Ndryshe, të dielën, Nisma Socialdemokrate ka reaguar lidhur me rastin derisa kanë thënë figurën e ndritshme të Jakup Krasniqit nuk mund ta njollosin shkarravinat e “Presidencës së Kosovës”.
Nisma thotë se askujt nuk ja kishte marrë mendja se mund të ndodhte një gjë e tillë që Jakup Krasniqi të paraqitej si i “arrestuar për krime lufte kundër njerëzimit”.
“Askujt nuk ja ka marrë mendja se ndërrimet në institucionet qendrore të Kosovës mund të shkojnë deri në atë shkallë sa në faqet zyrtare të institucioneve shtetëror të paraqesin urrejtjen patologjike që kanë ndaj atyre që ua shkatërruan ëndrrën e jugosllavizmit!”./Telegrafi/