Ajo theksoi se vrulli i rinisë së pamposhtur të Kosovës, i udhëhequr nga Lëvizja Studentore, bëri që programi politik të formësohet si kërkesë për Republikën e Kosovës, si parakusht për të qenë të barabartë në trojet tona, që i parapriu kërkesës për liri, për pavarësi dhe për luftën çlirimtare, për të larguar një herë e përgjithmonë okupimin.

“Organizimi ilegal atdhetar, nxjerrja e periodikut të kohës, i hapi të vërtetat për gjendjen reale të popullit, duke e mobilizuar për kundërvënie dhe për lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e lavdishme dhe me intervenimin ushtarak të NATO-s solli lirinë dhe krijoi Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur, me vizionin e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në NATO, duke qenë në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha presidentja.


“E gjithë kjo rrugë i përket Heroit të Kosovës Fadil Vata, bashkëmendimtarëve dhe bashkëveprimtarëve të idealit, që u shkrinë në veprimtarinë e tyre, duke dhënë kontributin domethënës që çështja jonë kombëtare të zgjidhet drejtë. Që ne sot të gëzojmë shtetin tonë dhe të punojmë për të ardhmen e atdheut, duke pasur udhërrëfyes veprimtarinë e kësaj plejade të rinjsh që nuk pushuan kurrë deri në sakrificën më sublime, të punojnë për të mirën e popullit për të ndërtuar një shtet dhe një shoqëri demokratike në të cilën të gjithë njerëzit i realizojnë në mënyrë të barabartë liritë dhe te drejtat e tyre....Koha në të cilën punoi brezi i Fadil Vatës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe e veprimtarëve të tjerë ishte e vështirë dhe ajo u përballua suksesshëm me punë, angazhim dhe sakrifica të mëdha, duke u bërë kështu ideja udhëheqëse e të gjitha lëvizjeve tona të mëvonshme për çlirim”, tha Jahjaga. /Telegrafi/