Mirëpo, në disa raste, deputetët nuk i presin vetëm masat ndëshkimore të kryesisë së kuvendit, por iniciojnë raste dhe bëjnë edhe kallëzime penale ndaj tyre në prokurori, transmeton Telegrafi.

Janë punonjësit e Gardës, ata që gjithmonë janë të pranishëm në seancë dhe formojnë kordone sigurie, sapo fillojnë përplasjet fizike mes palëve të ndryshme. Po ashtu, ata zbatojnë edhe vendimet e byrosë kryesuese të Kuvendit, duke penguar deputetët e përjashtuar që të hyjnë në komisione apo seancë parlamentare.


Në legjislaturën aktuale parlamentare të Shqipërisë, tërheqja e vëmendjes ishte vendosur si masë ndaj Sali Berishës dhe Taulant Ballës më 19 shkurt të 2015. Byroja e Kuvendit vendosi gjithashtu të përjashtojë për 10 ditë nga punimet e parlamentit dhe komisionet parlamentare ish-kryeministrin Sali Berisha, për shkak të fjalorit fyes të përdorur në seancën e 19 qershorit 2014.

Në lidhje me incidentin e datës 28 maj 2014 të ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë, byroja ka vendosur masën e tërheqjes së “vërejtjes” për deputetët Xhemal Qefalia, Armando Prenga, Gentian Bejko të Partisë Socialiste dhe Gent Strazimirin e Partisë Demokratike, të përfshirë në konflikt. Ndërsa, kur situata e njëjtë u përsërit në 11 gusht 2014, Byroja e Kuvendit ishte mbledhur me urgjencë pas incidentit dhe kishte marr masa ndëshkuese ndaj deputetëve të përfshirë në konflikt. Arben Ndoka, ishte përjashtuar për 7 ditë nga Kuvendi, Pjerin Ndreu, deputet i Partisë Socialiste, ishte përjashtuar për 3 ditë, ndërsa Gent Strazimiri i Partisë Demokratike iu tërhoq një vërejtje.

Pak orë pas incidentit të majit të përmendur më sipër, grupi parlamentar i Partisë Demokratike kishte dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit një kallëzim penal ndaj deputetëve të mazhorancës Armando Prenga, Xhemal Qefalia dhe Gentian Bejko. Sipas demokratëve, me sulmin ndaj deputetit Gent Strazimiri, tre deputetët e Partisë Socialiste kishin bërë veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës” . /Telegrafi/