Itali, Grillo kundër të gjithëve

E në fakt opinionet e tilla rezultojnë të sakta, të paktën nga ajo çfarë duket deri më tani. Koalicioni i së majtës, i udhëhequr nga Bersani doli fitues në zgjedhje, ka shumicën e nevojshme për të kaluar qeverinë në Dhomën e Deputetëve, por i mungon një gjë e tillë në Senat, transmeton TCH.
Koalicioni më i mundshëm ishte ai me Mario Monti, por as me forcën politike të këtij të fundit nuk sigurohet numri i nevojshëm në Senat për t’i dhënë bekimin qeverisë. Alternativa mbetet lëvizja e komedianit, Beppe Grillo.
Aleanca me të është një mision i pamundur. 163 të zgjedhur e Lëvizjes 5 Yjet, sipas analistëve kanë në dorë fatin e Italisë, mund të shndërrohen në faktor stablititeti, ose në faktor destabiliteti. E dyta ka më shumë mundësi.
Disa zëra nga brenda kësaj lëvizje deklaruan se nëse shihej një përputhje mes programit të tyre prej 5 pikash dhe alternativës qeverisëse së ardhshme, mund ta votonin atë. Por të mërkurën, Grillo hodhi poshtë këto zëra.
“Askush nga Lëvizja 5 Yjet nuk do të votëbesojë askënd, qoftë Bersani, qoftë Berlusconi. 5 yjet votëbesojnë vetëm pesë pikat e programit të tyre”, deklaroi ai në një intervistë për CNN.
Në fakt mediat e huaja janë i vetmi burim informacioni edhe për vetë ato italiane. Grillo refuzon daljen në këto media duke i akuzuar se së bashku me klasën politike janë bashkëfajtore të gjendjes ekonomike në Itali.
Grillo sulmoi ashpër kreun e PD-së, Bersani duke e quajtur “një të vdekur që flet”. Lideri i qendrës së majtë iu kundërpërgjigj duke deklaruar se ishte i hapur për të gjitha kritikat dhe sharjet e Grillos, por në parlament. /Telegrafi/


































