Jose Mourinho ka hedhur poshtë sugjerimet se Roberto Martinez ishte i pari në listë për punën e trajnerit në Portugali, duke thënë se ai ishte “zgjidhja e vetme” gjatë një faze.
Fituesit e Euro 2016 e gjetën veten në tregun e një trajneri të ri, pasi i ndërprenë lidhjet me Fernandes Santos që kishte shërbyer për një kohë të gjatë pas humbjes zhgënjyese në çerekfinale ndaj Marokut në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Mourinho u faturua menjëherë si kandidati ideal për të plotësuar postin e spikatur, me një propozim për ndarjen e punës të përfolur për shefin aktual të Romës, por në fund ai shmangu interesin nga vendlindja e tij dhe hapi rrugën që ish-trajneri i Belgjikës Martinez të emërohej me një kontratë për tri vite e gjysmë.
“Ajo që më interesoi që në orën e parë ishte përcaktimi i profilit. Ne folëm, brenda kësaj, me shumë njerëz. I vetmi propozim konkret që bëmë për të qenë trajner, ishte Roberto Martinez”, ka thënë Presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Fernando Gomes, pas prezantimit të Martinez.
Megjithatë, Mourinho i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke folur për gazetarët pasi pa Romën të kalojë në çerekfinale të Kupës së Italisë.
“Sot mund të flas me ju dhe të them diçka që ndoshta nuk ju intereson shumë, por dua të falënderoj presidentin e Federatës Portugeze”, ka thënë fillimisht Mourinho.
“Ajo që tha më bëri shumë krenar, duke thënë se nuk isha zgjedhja e parë, por e vetmja e tij dhe se do të kishte bërë gjithçka për të më kthyer në shtëpi”.
“Më bëri shumë të lumtur. Por unë nuk shkova, jam këtu dhe po jap gjithçka”, përfundoi portugezi. /Telegrafi/