Dënimin të akuzarve ua ka shqiptuar trupi gjykues i kryesuar nga Hasan Sadiku, dhe anëtarët, Emine Salihu e Veli Kryeziu të enjten kanë shpallur aktgjykimin në rastin e ish kreut të Vitisë Nexhmedin Arifi dhe Kabil Hajdari, raporton rajonipress.

Hasan Sadiku duke shpallur aktgjykimin tha se Kabil Hajdari është fajtor dhe dënohet me 1 vit burgim me kusht dhe ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen ndonjë vepër brenda dy viteve, për veprën e dytë dënohet me 1000 euro me gjobë dhe me 5 muaj burgim efektiv.


Sadiku ndërkaq Nexhmedin Arifin e ka dënuar me 18 muaj burgim me kusht dhe ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen ndonjë vepër brenda tri viteve.

Ndryshe ish kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi akuzohej për veprën penale “korrupsioni zyrtar” derisa Kabil Hajdari për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”.

Sipas aktakuzës i dyshuari Kabil Hajdari në gusht të viti 2008 deri në maj 2011, derisa ka qenë drejtor në NP “Univerzal”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore nga datat 24.03.2009, deri më 01.01.2011, mjetet e trustit pensional për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje: Kadri Halabaku, Bajram Aliu, Berat Ymeri, Ruzhdi Musa, Hysni Beqiri, Sabit Salihu, Sabri Rrahimi, Ali Islami, Taf Mustafa dhe Agron Misini, edhe pse kanë qenë në listën e pagave, trusti pensional atyre nuk u është paguar fare, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë të 16 mijë eurove.

Kabil Hajdari gjithashtu dyshohet se ka shmangur mos pagesën e tatimit në Administratën Tatimore të Kosovës në vlerën e 79.815.29 eurove.

Kurse, Nexhmedin Arifi dyshohet se duke qenë në pozitën e kryetarit të Vitisë më 22 gusht 2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti apo tjetrin, në kundërshtim me Ligjin mbi ndërmarrjet publike, ka marrë vendimin mbi ekzekutimin e vendimit të Kuvendit komunal për derajonalizimin e KRM”Higjiena”, njësia punuese në Viti e cila ishte pjesë integrale e “Higjienës” në Gjilan.

Arifi gjithashtu akuzohet se nuk e ka respektuar shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e as vendimin e Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë atë vendim. Sipas aktakuzës Arifi i ka mundësuar Kabil Hajdarit që të keqpërdor mjetet e kompanisë publike, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 79 mijë eurove. /Telegrafi/