Imami: Rishikim të reduktimit për Kosovën

Zoti Imami u ndal në zhvillimet dhe situatën më të fundit në Kosovë. "Për shkak të tensionimit të situatës në Veriun e Mitrovicës, vlerësoj se planet e NATO-s për reduktimin e trupave në terren duhet të rishikohen dhe përshtaten në varësi të sigurisë në Kosovë", tha ai, raportoi BW.
Sipas tij, zgjidhja e vetme për problemet në Veri të Kosovës mbetet zgjidhja politike, që duhet të vijë si fillim nga Beogradi. "Fakti është se e gjithë kjo përpjekje e NATO-s vjen për shkak se Beogradi mbështet pikërisht këto struktura paralele, dhe në një mënyrë ose në një tjetër edhe grupet kriminale kanë fijet edhe lidhjet e tyre në Beograd. Sigurisht që ka nevojë për një zgjidhje politike, në këtë kuptim, besoj se zgjidhja politike në radhë të parë i takon Beogradit për të respektuar nevojat dhe interesat e paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka theksuar ministri Imami.
Zoti Imami bëri një ekspoze të statusit aktual dhe proceseve të reformimit dhe ristrukturimit nëpër të cilat po kalojnë Forcat e Armatosura shqiptare, angazhimet e deritanishme në operacione, rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë në rajon, në interes të paqes dhe sigurisë, si dhe ndihmesën e ofruar vendeve të rajonit në kuadër të nismave rajonale dhe më gjerë.
Ministri Imami është shprehur se pavarësisht shtrëngesave buxhetore, Shqipëria mbetet e angazhuar për t'u qëndruar detyrimeve të saj, dhe për të kontribuar për avancimin e kapaciteteve ushtarake të Aleancës dhe për të kontribuar në misionet e saj. "Shqipëria është e vendosur t'i shkojë kësaj rruge, të mbështesim siç vendosëm edhe dje së bashku, të gjithë ministrat, fjala vjen vëzhgimin tokësor. Kontributet do të rriten. Ky është një detyrim për shkak se ne sigurinë tonë kombëtare e kemi të mbështetur tek kjo siguri kolektive", tha ai./Telegrafi/



















































