IDF: Këto janë gjashtë objektivat kryesore që goditëm sot në Iran

Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) konfirmuan zyrtarisht sot se kryen sulme ajrore të koordinuara ndaj objektivave të shumta strategjike në Iran këtë pasdite, duke synuar kryesisht objektet e lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) dhe Forcat e Sigurisë së Brendshme.
Sipas një postimi të IDF në rrjetin social X, objektivat e goditura përfshinin qendrat e komandës dhe infrastrukturën e IRGC, si dhe selinë e milicisë Basij, e njohur për zbatimin e ligjit islamik dhe shtypjen e popullsisë civile.
Korpusi Alborz, i cili mbikëqyr operacionet e sigurisë dhe ushtarake në rajonin e Teheranit, dhe qendra e komandës "Thar-Alah", përgjegjëse për mbrojtjen e kryeqytetit nga kërcënimet e sigurisë, u vunë gjithashtu në shënjestër, transmeton Telegrafi.
Korpusi "Sayed al-Shuhada", përgjegjës për shtypjen e trazirave të brendshme, dhe Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës e Forcave të Sigurisë së Brendshme, e cila menaxhon mbikëqyrjen dhe kontrollin e informacionit dhe medias, u goditën gjithashtu.
Ndryshe, fillimi i sulmeve të Izraelit ndaj Iranit ndodhi më 13 qershor 2025, kur ushtria izraelite kreu sulme ajrore të papritura ndaj objektivave bërthamore dhe ushtarake iraniane, duke përfshirë figura kyçe ushtarake iraniane dhe shkencëtarë bërthamorë.
Sulmet e para shënjestruan, ndër të tjera, objektet bërthamore në Isfahan, Fordow dhe Natanz, dhe sipas burimeve iraniane, u goditën edhe pjesë të Teheranit. Ushtria izraelite njoftoi në atë kohë se qëllimi i sulmit ishte dobësimi i programit bërthamor dhe infrastrukturës ushtarake të Iranit. /Telegrafi/



































