LAJMI I FUNDIT:

Idetë e Naum Veqilharxhit, për këndelljen e gjuhës shqipe

Idetë e Naum Veqilharxhit, për këndelljen e gjuhës shqipe

Emil Lafe

Në dhjetor të këtij viti mbushen 220 vjet nga lindja e Naum Veqilharxhit, një emër i madh i atdhetarisë dhe i kulturës shqiptare, ideues dhe nismëtar me merita të shquara i zgjimit të vetëdijes kombëtare dhe i përtëritjes së traditës së shkrimit të gjuhës shqipe, tashmë si armë e një programi me synime të larta.

Në kohën kur zhvilloi veprimtarinë e vet N. Veqilharxhi, popujt e Ballkanit kishin filluar të ngriheshin për të formuar shtetet e tyre kombëtare. Greqia sapo kishte dalë si shtet i pavarur në arenën evropiane. Kjo lëvizje politike qe shoqëruar me lëvizje kulturore, ku vendin e parë e zinte kërkesa për të alfabetizuar popullin, për të mësuar shkrim e lexim në gjuhën e vendit.


Prandaj dolën edhe abetaret e para të gjuhëve të Ballkanit. Por gjendja ekonomike dhe kulturore-arsimore e Shqipërisë nën pushtetin osman ishte e mjerueshme. Pashallëqet shqiptare (i Shkodrës dhe i Janinës) që funksionuan si shtete autonome, ishin mbytur me dhunë nga Porta e Lartë. Tradita e shkrimit, e cila kishte marrë një hov të ri në shek. XVII me Budin, Bardhin e Bogdanin, siç ka vënë re E. Çabej, për disa rrethana të brendshme e të jashtme vërtet se nuk u ndërpre krejt në kohën pas shekullit të këtyre autorëve, po megjithatë kishte rënë fashë në shumë pikëpamje.

Gjuha shqipe shkruhej pak, dhe kur shkruhej, përdoreshin kryesisht tri alfabete sipas përkatësisë fetare (latin, grek dhe arab). Dukej atëherë gati si e pamundshme që gjuha shqipe të kishte një alfabet të vetëm, i cili do t’i bashkonte shqiptarët dhe do të ishte hapi i parë për të arritur te një gjuhë letrare kombëtare e përbashkët.

Dihet tashmë se Naum Veqilharxhi botoi dy abetare, më 1844 dhe 1845. E para ishte shumë e thjeshtë, vetëm 8 faqe. Por shqiptarët e pritën ashtu siç pret shiun e verës toka e zhuritur dhe e tharë nga thatësira e gjatë. Naumi u trimërua nga kjo dhe botoi një të dytë me 50 faqe, ku pati hapësirën e nevojshme për të hedhur e për të shtjelluar edhe disa ide të tij në frymën iluministe të lirisë dhe të barazisë e miqësisë ndërmjet popujve.

Ideja themelore frymëzuese e Naumit për ato abetare është ngritja e vetëdijes kombëtare për mësimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, veçanërisht nga brezi i ri, krijimi i bindjes se gjuha shqipe është e aftë të bëhet gjuhë e shkollës dhe e kulturës ashtu si gjuhët e tjera. Këtë Naumi e ka shprehur qartë. Ai e vlerësonte gjuhën amtare si mjetin kryesor dhe të pazëvendësueshëm për shkollimin dhe kulturimin e popullit. Kushti i parë për këtë ishte që shqiptarët të kishin shkronjat e veta, d.m.th. të caktohej një alfabet i përbashkët dhe i pranueshëm për të gjithë. Kjo ishte pjesa më e vështirë e punës. Shkronjat duhet të nxëmë, se gjuhën e marrim bashkë me qumështin e gjirit të nënave: “djali sa do i vogël të jetë, gjithë mundimnë e të rëndit do e ketë sa të nxërë shënimet e të foltmit, do me thënë: ëvet, pastaj gjuhën s’duhet ta mpsonjë se e ka të lertë nga mëm’eti, e çdo kartë që të marë ndë dorë, e këndon edhe e kupëton edhe kur të arinjë mbë mpsomjet e lartëra përsëri mbë gjuhë të ti çpejt mer përpara.” (f. 85). Naumi i këshillon shqiptarët e kamur që të mos i lodhin fëmijët duke i shkolluar drejt e në gjuhë të huaja e në shkolla të huaja, se fëmija “po të njohë gjuhën e ti mirë, çpejt e lehët, mpson çdo të huaj” (po aty).

Por, në ç’gjendje ishte gjuha shqipe në kohën e Naumit dhe cilat ishin detyrat më të ngutshme e parësore për atë që me termat e sotshëm do ta quajmë politikë gjuhësore. Diesit e letërorët tanë të shekullit XVI, Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani, ankohen me të madhe se gjuha jonë po prishej e po bastardohej me të shpejtë duke humbur fjalët e veta e duke u mbushur me fjalë të huaja prej gjuhëve fqinje. Në kohën e Naumit natyrisht gjendja kishte shkuar edhe më keq. Nga njëra anë turqishtja si gjuha e administratës osmane dhe e jetës së përditshme ekonomike të shumë shqiptarëve, nga ana tjetër greqishtja (për Shqipërinë e Jugut) si gjuhë e shkollave të shumta për ortodoksët, gjuhë e kishës dhe institucioneve arsimore e kulturore shumë aktive ndaj shqiptarëve, e kishin rrudhur shqipen në disa funksione të pakta e të thjeshta të komunikimit të rëndomtë në jetën e përditshme.

Hapi i dytë i rëndësishëm ishte pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja që dëmtojnë frymën kombëtare dhe ulin vlerat estetike të saj. Gjatë punës për abetaren e dytë ai vëren se gjuha shqipe për shkak të rrethanave historike e kulturore (nga shumë të sjellat e të kthyerat e kohës) dhe më fort për shkak se nuk ka qenë një gjuhë që të mësohej në shkollë (edhe më fort që s’ka pasur dritat e të mpsuarit), ka marrë shumë fjalë e kuvise (shprehje) të huaja. (fq. 89). Le të shënojmë me këtë rast se ai futi në përdorim i pari termin fjalë e huaj. N. Veqilharxhi u ballafaqua kështu me një problem themelor: ç’duhej të bënte me këto fjalë e shprehje të huaja? Ja përgjigjja e tij: e para e punës ishte që si të mund të nxjerr fjalët e shprehjet e huaja dhe në vend të tyre të formoj të tjera nga brumi i gjuhës sonë; dhe me gjithë që hëpërhë munt të mos tringëllojnë ëmblë mbë të dëgjuarit e veshëve, po kam shpëresë se koha do t’i ëmbëlsonjë (po aty). Kështu fillon ajo që është cilësuar si lufta e rilindësve për pastërtinë e gjuhës shqipe, kështu fillon edhe neologjia e pasur dhe ende e pastudiuar mirë e Rilindjes Kombëtare. Ky qëndrim ndaj fjalëve të huaja përbën një nga pikat themelore në programin gjuhësor të Rilindjes dhe N. Veqilharxhi është autori i parë i atij programi.

Hapi i tretë ishte pasurimi i fjalorit të gjuhës shqipe me fjalë të përshtatshme: a) të mbledhura nga goja e popullit pa dallim në vise të ndryshme nga veriu në jug; b) të krijuara nga letrarët dhe njerëzit e diturive me brumin e gjuhës shqipe, në ngjashmëri me fjalët e gjuhës popullore.

Naumi është një nismëtar i madh në drejtimet e sipërpërmendura. Ai vetë dha shembullin më të ndritur në këtë fushë aq të vështirë dhe u bë udhërrëfyes për brezin e atyre që themeluan Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip (Stamboll, 1879). Është kuptimplotë veprimi i autorëve të “Allfabetares së gjuhësë shqip” Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Koto Hoxhi (1879), cilët vunë në ballinën e librit të tyre vargjet e Naumit: Kurrëkush me mënt të vet/ mos mburretë se ndiç gjet./ Pa dashun’ i madhi Zot,/ fletë pema s’lëshon dot. (me ndonjë ndryshim në vargjet 3 e 4). Kjo tregon se ata e njihnin dhe e çmonin veprën dhe idetë gjuhësore të Naumit. Këto ide Naumi i konkretizoi me shembuj të mjaftueshëm në ato pak faqe të “Ëvetarit” të tij të vitit 1845.

Nuk është rasti t’i marrim e t’i shqyrtojmë një për një fjalët e huaja që ai këshilloi të nxirreshin nga përdorimi, fjalët që krijoi ai vetë për të pasuruar gjuhën shqipe, fjalët e vjetra të “parpleqve” (stërgjyshërve) që ai deshi t’i ringjallte. Por do të ndalem te një shembull. Në një vend të Ëvetarit ai gjen rastin t’u këshillojë lexuesve të tij toskë që në vend të fjalëve të huaja pishmanepsem (nga turqishtja) ose metanoi (nga greqishtja) të përdorin fjalën pënohem (pendohem), të cilën e cilëson si fjalë gegërisht (2). Kjo dëshmon se ai kishte një ide shumë të drejtë për fjalorin e gjuhës letrare shqipe: ta vlerësojmë fjalën jo sipas prejardhjes dialektore, por sipas vlerës së saj për gjuhën letrare; shqiptarët e jugut më mirë le të marrin e të mësojnë fjalët e gegërishtes (sado të panjohura për ta), sesa të përdorin fjalë të turqishtes a të greqishtes – po kështu edhe anasjelltas.

Parimet dhe idetë gjuhësore që parashtroi Naumi në Ëvetarët e tij mund të duken sot thjesht si fryt i një mendjeje të shëndoshë, por kemi arsye të besojmë se ato janë edhe fryt i studimeve dhe i përpjekjeve të Naumit për të zgjeruar njohuritë dhe kulturën e tij filologjike. Gjatë atyre njëzet e ca vjetëve që punoi për të bërë shkronjat e abetareve të tij, Naumi u interesua të mësonte nga përvoja e atyre që ishin përballuar më parë me ato probleme dhe krahas kësaj të njihte sa më gjerë gjuhën shqipe ashtu si flitet në krahina të ndryshme të vendit nga jugu në veri e nga lindja në perëndim. Për të gjuha shqipe ishte një dhe e pandarë, ishte një pasuri e madhe kulturore e përbashkët. Ashtu siç thotë edhe mentori i urtë i gjuhësisë shqiptare, akad. Idriz Ajeti, të cilit sivjet i festuam 100-vjetorin, portat e fjalorit të gjuhës letrare shqipe janë të hapura në të dy krahët për fjalët e ligjërimeve popullore nga të gjitha trevat ku flitet gjuha shqipe, natyrisht kur ato nuk janë fjalë të huaja dhe kur sjellin një vlerë të caktuar emërtuese ose stilistike në sistemin leksikor të shqipes letrare.

Idetë gjuhësore të Naumit gjetën zbatim të gjerë te rilindësit dhe ndër ta më i merituari në këtë fushë është pa dyshim Naim Frashëri. Përmendja e emrit të tij më sjell ndër mend artikullin e Norbert Joklit “Naim Frashëri dhe pasurimi i gjuhës shqipe” (3). Punën e Naim Frashërit për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës shqipe Norbert Jokli e krahason me punën që kanë kryer lëvrues të tjerë të gjuhëve të ndryshme, kur popujt përkatës në rrethana të caktuara historike “janë zgjuar përsëri për të gëzuar një jetë të re mendore”, si p.sh. hungarezët, çekët, serbët.

Te puna që kanë bërë për gjuhët e veta filologu hungarez F. Kazinczy e ndjekësit e tij, filologu çek Josef Jungmann dhe filologu serb Vuk Stefan Karaxhiç, i cili ka ndjekur po atë teori, Norbert Jokli shikon shembullin që dha dijetari i gjithanshëm gjerman G. Ë. Leibniz (1646-1716) për gjermanishten dhe shtron hamendjen se “Është e mundshme që Naim Frashëri ta ketë njohur shkrimin e Leibniz-it “Unvorgreifliche Gedanken betreffend die Ausübung und Verbesserung der deutschen Sprache” (4), shkruar rreth vitit 1697, sepse e përmend emrin e Lajbnicit në “Istori e Shqipërisë” (f. 36), në atë vend ku bën fjalë për formimin e fjalëve shqipe (5) …

Në qoftë se e krahasojmë metodën e Naim Frashërit për pasurimin e gjuhës shqipe me parimet e Leibniz-it, kjo hipotezë i afrohet së vërtetës.” Jokli sqaron se Leibniz-i në librin e vet ka parashtruar këto mjete për pasurimin e fjalorit të gjuhës gjermane: a) kërkimi dhe përhapja e fjalëve të qena, të mira, por pak të përdorura e pak të pëlqyeshme; b) ringjallja e fjalëve të vjetra, por të mbetura në harresë (përkujdesja e gojës së popullit); c) mënjanimi i fjalëve të huaja, kur nuk duhen; c) formimi i fjalëve të reja sipas rregullave të analogjisë, më një anë kompozita e më anë tjetër të prejardhura.

Këtë hamendësim të Norbert Joklit se Naim Frashëri mund t’i ketë njohur parimet që pati formuluar Leibniz-i për gjuhën gjermane, kemi të drejtë ta shtrojmë edhe për Naumin, aq më tepër po të kemi parasysh se ai e njihte gjermanishten, sepse kishte studiuar për drejtësi në Vjenë (6) dhe ishte njeri me kulturë të gjerë dhe me interesa në fushën e lëvrimit të gjuhëve. Naumi kishte vërejtur nga afër se si filologët e vendeve të Ballkanit punonin për përparimin e gjuhëve të veta, duke hedhur themelet e formave letrare kombëtare të këtyre gjuhëve. Vështruar në këtë kontekst mund të themi se Naum Veqilharxhi ishte njeriu i duhur, në kohën e duhur për zgjimin kulturor të shqiptarëve nëpërmjet mësimit dhe lëvrimit të gjuhës së vet amtare.