Ia vranë burrin e katër djemtë: Rrëfimi tronditës i nënës që lufta e la të vetme (Video)

Është një ndër nënat më të vuajtura. E quajnë Ferdane Qerkezi, të cilën lufta e la fillikat të vetme në shtëpinë e saj në Gjakovë.
Mosha e shtyrë dhe dhimbja që mban tash e 16 vjet nuk e pengojnë të kthejë në mendime edhe detajet e jetës së saj me familjen që ia zhdukën forcat paramilitare serbe, në luftën e fundit në Kosovë.
“Me portrete me jetu, është vështirë. Prej tetë anëtarëve me mbet vetëm? Çdo herë i kam para syve mendimet e tyre, të ecurit e tyre, bisedat që kam bërë me djemtë, bashkëshortin dhe nuset”, thotë ajo.
Kur afrohej 28 Nëntori, bashkëshorti i Ferdanes e vendoste flamurin në dyqanin që e kishin afër shtëpisë së tyre.
“E kemi pritë me gëzim si të gjithë shqiptarët. Shumë kanë shku për flamur”, thotë ajo, teksa nuk përmbahet nga lotët.
Serbët ia morën katër djemtë dhe bashkëshortin, e disa vjet më vonë iu kthyen vetëm dy trupa të djemve. Burri dhe dy djemtë tjerë vazhdojnë të mbetën të zhdukur.
“Më 27 mars 1999, kur jemi ndarë nga Policia serbe, ai ka qenë momenti i fundit. Policia i mori bashkëshortin dhe katër djemtë, mua me dy nuset na lanë...”, thotë ajo, teksa tregon se pasi iu rritën djemtë, e ruante djepin me shpresë se në të do t’i përkunde nipat e mbesat. Por, i mbetën të zbrazët.
Ajo është e mbushur me mërzi, e cila nuk po i lë vend për ndonjë ndjenjë tjetër. Mall e dhimbje, kaq ndjen ajo. Fakti që çdo mëngjes kur hap sytë sheh se është e rrethuar vetëm me fotografi të mbetura nga më të dashurit e saj, e rëndon atë. Por, kështu ndjehet më afër tyre. I duket se ende ka shpresë. Andaj, ka vendosur që shtëpia Qerkezi të bëhet muze, që kujtimet për familjarët ta shoqërojnë gjatë gjithës kohës. /KosovaPress/

















































