Të shtunën më 17 shtator RTK festoi 10 vjetorin, një show i vërtet, spektakël shoqëruar me shumë personalitete dhe këngëtar, Bendin e RTK-së, një përpjekje për te emetuar model BBC-në. Ndërsa, më 27 shtator lajmi më interesant, ngjarja më e ngarkuar me elementet e faktorëve të lajmit, siç thuhet në zhargonin e gazetarisë është dorëheqja e drejtorit gjeneral Agim Zatriqi. Ti kthemi RTK-së nga fillimi, për ta analizuar kohën e kthesave të mëdha. Si u ndërtua dhe cilat ishin sfidat e historikut 10 vjeçar dhe cilat janë ato që e presin radiotelevizionin tonë publik, thjesht: çfarë do të ndodhë me RTK-në ditët dhe muajt e ardhshëm?

Çfarë kemi ndërtuar pas luftës, Radiotelevizion publik apo shtetëror e partiak?


Dihet se RTK është themeluar nga EBU me idenë fillestare të OSBE-së dhe filloi transmetimin më 17 shtator 1999. Qëllimi i themelimit të RTK-së, sipas njërit nga themeluesit e RTK-së Richard W. Dill, siç shprehet në librin e tij botuar më 2003 me titull Transformimi i medieve në Evropën Lindore , ishte krijimi i një mediumi publik një Radio televizioni, për të gjithë, për popullin, i financuar nga populli dhe i mbështetur e i përkrahur nga ai . Por, rezultati i bërjes së RTK-së, si radiotelevizion publik, përgjatë një procesi 10 vjeçar pati vështirësi të arrij qëllimin, siç ishte paraparë në fillim, edhe pse projekti RTK, në pika të përgjithshme mund të quhet një sukses, i përcjell akoma me një mori çështjesh të pazgjidhura: Dhjetë vite pas, e gjejnë RTK-në si televizion Publik, pa pronën e definuar, me çështjen e pa zgjidhur të financimit, përmes mbledhjes së taksës publike prej 3.5 Eurosh nga KEK-u. Në ketë kontekst u bë një gabim i madh, sepse ju besua KEK-ut të mbledh taksën për RTK, duke u menduar se kjo mënyre do të ishte e detyrueshme për secilin banor që paguan rrymë ta paguan edhe taksën për RTK-në.

Vështirësitë e martesës mes RTK-së dhe KEK-ut, deri diku për fazën fillestare kanë dhënë rezultate, përjashto këtu konfliktet gjatë dy viteve të fundit 2006 dhe fillimin e vitit 2008. Metoda e mbledhjes së taksës për RTK do të duhej bëhej si në Gjermani, përmes një GEZ-ti. Deri në vitin 1971 kjo metodë e pagesës u bë me (KE gjerman) por nuk funksionoj, atëherë shtrohet pyetja pse u dashka të përsëritet një model që nuk ka funksionuar as në Gjermani. Çështja e dytë ka të bëjë me Modelin e rregullimit ligjor: Përgjithësisht thuhet se RTK ka marrë për model BBC-në. Përgjigja në këtë referencë i përngjan një idealizmi pasi, siç dihet botërisht RTK nuk mund të krahasohet as për afërt me radiotelevizionin anglez, dallimet janë të theksuara. Ky krahasim mund të jetë më shumë krahasim fiktiv (idealist që nuk ka mbështetje reale në praktikë). Dr. Werner Rumphorst ish këshilltar juridik i EBU-së e përforcon këtë pohim. Krahasimi mes RTK dhe BBC-së, sa i përket çështjeve organizative, nuk mund të bëhet, thotë Rumphorst edhe për faktin se BBC ka 20.000 punëtor, ndërsa RTK afërisht 225, por natyrisht RTK-ja mund të krahasohet me televizionet publike në Evropë, thotë z. Rumphorst.

Edhe për nga struktura organizative dhe baza ligjore, RTK dallon shumë me radiotelevizionet Evropës Perëndimore. P.sh. për kah mënyra e zgjedhjes së anëtareve të bordit, mënyrës së burimeve të financimit etj. Modelet më të njohura të rregullimit evropian të radiotelevizioneve publik janë modeli anglez, ai gjerman dhe ai francez. RTK- ja. Në disa pika RTK më tepër mund të krahasohet me modelin anglez, në teori, prej nga edhe ka ardhur paketa e rekomanduar e projektligjit, sesa me modelin gjerman dhe francez. Por kundërthënia e parë shihet tek zgjedhja e drejtorit gjeneral, te cilin në Angli e propozon qeveria gjegjësisht kryeministri, ndërsa atë në RTK, bordi i RTK-së pa shpalljes së konkursit. Kurse modeli gjerman ka ngjashmëri me atë të RTK-së veç se Drejtori Gjeneral apo Intendanti në Gjermani zgjidhet nga Bordi i Radiotelevizionit publik në të cilin vegjeton shumica edhe anëtar të propozuar nga politika, parlamenti, fraksionet parlamentare, shoqëria civile etj.

Ndërsa kur jemi te mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTK-së, mund të thuhet se modeli ynë nuk përkon me modelin gjerman, ndërsa ngjashmëria me modelin francez është edhe më e largët, si për nga mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të bordit, por edhe mënyrës së financimit. Si facit i këtij konkludimi del se megjithatë, në pika të përgjithshme se RTK- ja identifikohet në themel si radiotelevizion publik, i cili i është dizajnuar nga huazimet parciale të modeleve të ndryshme evropiane. Importimi i një modeli të caktuar apo i disa elementeve të tij, ka rezultuar në praktikë si tejet problematik, për shkak të specifikave vendore pengesave objektive, dhe nga ky mish-mashë është krijuar një tip ballkanik radioteleviziv me fytyrë publike. Konsekuencat e importimeve të tilla të sistemeve dhe modeleve mediatike, që janë bërë gati në gjitha Shoqëritë ish- komuniste nuk kanë mundur të rrjedhin ndryshe as me Kosovën, me rastin e transformimit të radiotelevizionit nga ai shtetëror në atë publik. Që është e vërteta në Kosovë nuk pati transformim fare, por u fillua nga zeroja. Kështu mendon zëvendëskryetarit të EBU-së Boris Bergant, i cili është edhe anëtar i Bordit të RTK-së. Bergant thotë se nga RTP- ja nuk kishte çka të reformoj. Serbët i kishin marrë gjitha asetet, bazën teknike. Pas luftës duhej filluar nga zero. Çdo gjë filloi nga e para, dhe si rrjedhojë e këtij zhvillimi u bë edhe rekrutimi i kuadrove. Në pyetjen tonë pse RTK-ja adaptoi elitën e RTP-së, Bergant thotë, nuk di se ka ndonjë nga ish- elita e RTP-së, përpos drejtorit gjeneral, ndonëse themelimi i RTK-së nuk mund të bëhej pa u mbështetur në elitën e ish- gazetarëve të cilët, me disa rifreskime mbetën të njëjtit (apo po themi u bë një rikonfigurim i strukturave udhëheqëse të RTP-së).

Kuazi transformimi nga RTP drejt RTK-së, u bë në një mënyrë duke shpikur një emërim të ri, i cili nuk duhej ta trashëgonte ish-radiotelevizionin shtetëror gjegjësisht RTP-në. Çka ndodhi? Procesi i transformimit të RTP-së tek RTK ngjau ngjashëm, ashtu siç ndodhi në shumë vende të Evropës Lindore me transformimin e radiotelevizionit shtetëror në atë publik. Shkencëtarët Pavlik dhe Shilds në rastin e transformimit të radiotelevizionit shtetëror çek, argumentojnë se nomenklatura e vjetër gjatë këtij procesi ishte filtruar nga radiotelevizioni shtetëror në atë publik dhe e kishte privatizuar servisin publik. Teza e tyre konsiston në atë se shoqëritë e Evropës Juglindore përbëjnë një model të veçantë kur kemi të bëjmë me radio televizionet publike. Ato nuk ngjajnë në modelet perëndimore, modelin amerikan dhe atë Evropian. Pavarësisht se si emërohen këto televizione, si publike apo shtetërore , ato gjithmonë do të udhëhiqen nga elita qeveritare në pushtet (Sparks), përkundër dëshirës që vendet dhe shoqëritë e vendeve ish- socialiste dëshirojnë ti takojnë Evropës Perëndimore, është pikërisht elita e tyre politike e cila nuk mund ti harrojnë veset e vjetra. (Milev). Kur jemi te rekrutimi duhet thënë se rekrutimin e gazetarëve nga ish elita e RTP-së nuk ishte ndoshta i gabuar por postet udhëheqëse i zunë udhëheqësit që kishin shkollat e Kosovës nga koha moniste. Kjo edhe u bë halë në sy, riprodhoi kualitetin gazetaresk tipik, monist dhe kjo strategji u imponoi zgjedhjen e lajmeve, bërjen e kronikave dhe zhanreve të tjera gazetareske televizive. Se sa po bëhen sot këto zhanre në mënyrë profesionale nuk ka ndonjë hulumtim shkencor, as gatishmëri për përkrahje në këtë drejtim as nga ana e shtetit por as nga RTK-ja, me ndonjë bursë apo mbështetje tjetër financiare për hulumtime shkencore.

Kur jemi tek punësimi i gazetarëve të rinj me themelimin e RTK-së, dihet se në mungesë të kuadrove të mirëfillta, aty u punësuan kuadro me vitaminë B. Kushti kryesor ishte, njohja e gjuhës angleze e më pas kandidatët, gjegjësisht të punësuarit u pajisën me ndonjë kurs 3-4 mujor në fushën e gazetarisë. Defekti shoqëroi edhe anën organizative që u manifestua me vite rresht, dhe që i ngjante një ngërçi, i cili shtyri zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së, proces ky që nuk dihet se kur do të përfundoj në mënyrë që RTK-ja të mund funksionoj si institucion i pavarur ashtu siç obligohet me ligj? Edhe pse kishte përpjekje me muaj e vite të tëra se problemi i Bordit të RTK-së do të fillon të zgjidhet qysh në vitin 2006, kjo nuk ndodhi. Me pas, vitin e fundit shpërthyen konfliktet e brendshme mes Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së dhe menaxhmentit. Mollë sherri u bë edhe largimi i gazetarit redaktues Mentor Shala. Ndërsa vlerësimet e raportit të RTK-së nga Bordi i RTK-së dhe zyra e Auditorit gjeneral e rënduan edhe më shumë situatën dhe acaruan imazhin publik të RTK-së. Me që rast auditori nxjerri mbi sipërfaqe konfliktet e interesit. Fill pas këtij raporti reagoi komisioni parlamentar dhe e quajti raportin e auditivit ndaj RTK-së si raport i porositur dhe kritikuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën e mbajtur më 30 prill 2009 me që rast u kërkuar qartësim mbi të hyrat e RTK-së gjatë vitit 2007 dhe 2008. Me këtë rast deputetët e kuvendit të Kosovës kërkuan të ngrihet një komision i pavarur parlamentar për ti hulumtuar të gjeturat në RTK, të cilat do të duhej ti dorëzohen pastaj prokurorisë apo kjo e fundit ta marrë mbi vete çështjen e hulumtimit të menaxhimit të RTK-së për vitet në fjalë. Nisma e 40 deputetëve të opozitës për krijimin e një komisioni hetimor dështoi për shkak se nga dyzetë nënshkrime sa ishin vënë nga deputetët 9 prej tyre janë tërhequr dhe kështu ka dështuar procedimi i më tejshëm i kësaj çështje. Arsim Rexhepi deputeti i cili ka kërkuar debat mbi RTK-në në emër të nismës prej 40 deputetësh ka thënë se komisioni parlamentar ka konstatuar shkelje flagrante të Ligjit të prokurimit dhe ligjit të RTK-së, posedim të gjashtë xhirollogarive bankare, pastaj punësimi i 240 individëve mbi të ashtuquajturën kontratë mbi vepër dhe shkelje ligjore me rastin e lidhjes së marrëveshjes me Universitetin AAB për shkollimin e kuadrove profesionale dhe marrëveshjet me CMB-në etj.

Si të dilet nga kjo gjendje?

Për të dalë nga kriza s pari duhet sqaruar bilanci i të hyrave në xhirollogari dhe fitimi nga reklamat. S dyti RTK- ja duhet të reformoj edhe kuadrot që ka brenda: Me këtë rast duhet të praktikohet një mentalitet tjetër në zgjedhjen e kuadrit profesionist, duke filluar nga drejtori gjeneral. Njeri që duhur të bëhet sot udhëheqës i Radio televizionit duhet të jetë një figurë karizmatike dhe profesioniste, njëri që ka studiuar gazetarinë, që di ABC-në gazetarisë televizive, që di të bëjë një kronikë, dokumentar, reportazhe më mirë se çdo tjetër i punësuar në RTK në mënyrë që shefi pastaj të mund ta kontrollon apo ta vlerëson punën e ekipit të tij. Ose siç po thonë, duhet të jetë menaxher i mirë . Praktika e deritanishme nuk ka dhënë rezultat për vet faktin se në RTK- nuk u implementua ligji i të drejtave të autorit, e kjo e tregon se sa kemi te bëjmë këtu me një menaxhim të mirëfilltë ekonomik. Shih për këtë opinioni publik (kundërshtarët e Poli-it A) në Kosovë herë pas here kanë lëshuar akuza në adresë të drejtorit gjeneral dhe stafit udhëheqës ku drejtori akuzohet për mungesë kulture të komunikimit të avancuar dhe të pavarur. Megjithatë drejtori gjeneral cilësohet nga (përkrahësit Poli B) si menaxher i mirë, i cili ka patur përkrahje edhe nga themeluesit e RTK-së dhe, nga vet përfaqësuesit e EBU-së. Dr. Werner Rumphorst thotë se është fat i mirë që Kosova e ka një menaxherë (drejtor) si Zatriqi, sepse po të mos kishim Zatriqin nuk do të kishte RTK.

Nga këto vlerësime diametralisht të kundërta, vështirë është të jepet një vlerësim objektiv, pa paragjykime, sepse në këtë rast shpëtimtari dhe rrënuesi bashkëjetojnë shumë pran njëri-tjetrit.
Problem në vete mbetet edhe çështja organizative, siç është zgjedhja e anëtarëve të bordit, një teren i minuar. RTK-ja me vite e ka një bord që po i vazhdohet kontrata në baza ad hoc, d.m.th. nuk është ndërruar truri i atij institucioni, pak a shumë janë njerëzit e njëjtë (Ardita Zejnullahu). Ndërsa ish- drejtori i TVK Migjen Kelmendi pohon se përfaqësuesit e Bordit që hyn në këto poste nuk obligohen për punë profesionale, por hyn aty vetëm sa për të marrë një rrogë si anëtar Bordi i RTK-së, dhe se politika ka gisht mbi këtë çështje pse nuk u zgjodh bordi i ri akoma duke akuzuar kryeministrin Hashim Thaçi se po e përdor RTK-në si të ishte ky Radiotelevizion i PDK-së. Sipas tij jo vetëm Hashim por edhe kontrahenti i tij lideri i AAK-së Ramush Haradinaj sa ishte në pushtet, me një thirrje telefonike mund ta ndërronte gjithë rrjedhën e ditarit. Këtë thënieje Migjen Kelmendi e argumenton me përvojën e tij sa ishte drejtor i TVK gjatë vitit 1999-2000.
Pohimet e Kelmendit nuk përkrahen nga ekspertët ndërkombëtar, ndoshta për shkaqe objektive sepse ata nuk mund ta përcjellin programin sepse nuk dinë shqip, dhe nuk mund të besojnë se në RTK, ndodhin gjera të tilla. Vlerësimet e tyre mbi kualitetin e lajmeve dhe cilësinë e programit, nëse japin vlerësime, ato i bëjnë vetëm duke u thirrur në vlerësimet e Bordit të RTK-së, të kolegëve të tyre kosovar.

Dalja nga kriza në korniza afatgjata nuk duket fare në horizont ose duhet pritur një ndërrim gjeneratash , siç thotë ish- eksperti ligjor i EBU-së. Nuk mund të presësh nga RTK më shumë seç pritet nga i gjithë sistemi, kulturor, politik e mbarëshoqëror . Shpresohet në një të ardhme shumë premtuese, në një kohë tjetër, ndoshta deri sa të vijnë gjeneratat e reja, njerëz me përgatitje profesionale. Pyetja se kur do të ndodh ky ndërrim gjeneratash, në kushtet e tanishme mbarë shoqërore, mbetet një pikëpyetje e madhe. Ndërrimi i gjeneratave përfshin një gjysmë jetë njeriu afërisht 35 deri ne 60 vjet.
Si të dilet nga kriza?Nga ajo që u tha më lartë, përfund mund të nxjerrim disa rekomandime: Së pari duhet një reflektim më i detajuar një qasje ndaj fenomenit të Reformimit . Ky reformim duhet të bëhet s pari në kokat e njerëzve, me personazhe që i kërkon koha, tek atëherë do të mund të flasim për një epokë normale të gazetarisë publike. Së dyti: Ka gjasa se me forcimin e shtetit edhe RTK-ja do të stabilizohet me ardhjen e një drejtori supermen, rezistent dhe i pa thyeshëm , ndaj politikës. Ky drejtor duhet të vij, bashkë me ndryshimin e ligjit, i cili ligj duhet ta definoj qartë kohën e reklamës dhe financimin nga shteti nëse për këtë ka nonsens shoqëror. Dhe ndoshta kjo do ta pastroj RTK-në nga reklamat alla Top Shop dhe emisionet miserabël, të sponzoruara fund e krye, pa asnjë element të gazetarisë publike.
Së treti: Një reformim i mundshëm i RTK-së mund të bëhet nëse drejtori gjeneral dhe ekipi i ardhshëm menaxhmues zotohen bindshëm se do ta përkrah imazhin, etikën dhe konceptin klasik të mediumit publik në Kosovë.

Për këtë RTK-së i duhet edhe një bord më profesionist, më transparent. Për ketë ka gatishmëri edhe politike. RTK meriton një Bord profesionist, të paanshëm që bënë politikën e mediumit dhe siguron financat e tija siç e kanë sot radio televizionet publike në Evropë. Që të arrihet kjo duhet të plotësohet ligji i RTK-së, të caktohen premisat se kush kë e kontrollon, pastaj të përcaktohet në mënyrë strikte financimi dhe shpallja e konkursit si dhe aprovimi i posteve udhëheqëse nga parlamenti i Kosovës ngjashëm siç zgjidhen drejtorët apo udhëheqësit e ndërmarrjeve tjera publike. Pastaj duhet të kërkohet transparencë e plotë nga menaxhmenti apo drejtori i përgjithshëm se si harxhohen taksat publike. Një domosdoshmëri që len shumë për tu dëshiruar është edhe aspekti i riedukimit dhe vetë-disiplinimit i udhëheqësve në bordet e institucioneve publike. Udhëheqja institucioneve publike përmes bordeve nuk është diçka e keqe, por siç shihet Kosova nuk ka një traditë në ketë drejtim andaj duhet kohë deri sa të kuptohet në esencë praktika e udhëheqjes në borde.

Përfund, unë shpresoj se shoqëria jonë kosovare, do të mësohet me këtë kulturë të re. E ardhmja është në duart tona. Përpara nesh kemi shumë sfida, të cilat do të dimë ti tejkalojmë. RTK- ja do të bëhet radiotelevizion publik, i besueshëm dhe i qëndrueshëm. Këtë ja kemi borxh Kosovës, brezave të shkuar, të tanishëm dhe atyre që do të vijnë pas nesh.

(Autori është magjistër i Publicistikës dhe shkencës së komunikimit masiv mbrojtur universitetin e Lirë të Berlinit FU shkurt 2009 me temën: Radio Televizioni Publik i Kosovës)