Hyseni kërkon njohje nga Jemeni, Pakistani, Katari...

Në takime të veçanta, ministri Hyseni, siç thuhet në një komunikatë të Zyrës për Informim të MPJ-së, ka zhvilluar biseda shumë përmbajtësore me ambasadorin e Jemenit në Arabinë Saudite, Moh’d Ali Mohsin Al-Ahwal, ambasadorin e Pakistanit, Umar Khan Alisherzai, ambasadorin e Katarit, Ali bin Abdullah Al Mahmoud, ambasadorin e Irakut, Ghanim A. Al-Jumaily, dhe ambasadorin e Egjiptit, Mahmoud M. Auf.
Në takimin me ambasadorin e Jemenit, Hyseni ka folur për përparimin që ka bërë Kosova që nga shpallja e pavarësisë, për nevojën për më shumë njohje, dhe në këtë kontekst, ka ripërsëritur thirrjen për njohjen e shtetit të Kosovës nga Republika e Jemenit. Nga ana e tij, ambasadori Moh’d Ali Mohsin Al-Ahwal e ka siguruar ministrin Hyseni se do t’ia përcjellë kryeqendrës së tij kërkesën për njohje.
Edhe në takimin me ambasadorin e Pakistanit, Umar Khan Alisherzai, Hyseni ka ripërsëritur thirrjen për njohje nga Pakistani, duke e njoftuar njëherësh atë me zhvillimet më të fundit në dhe rreth Kosovës.
Ministri është përqendruar, midis tjerash, te paqja dhe stabiliteti që ka sjellë pavarësia e Kosovës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe te fakti i njohjes së Republikës së Kosovës nga të gjithë fqinjët e saj të afërt, me përjashtim të Serbisë.
Ambasadori pakistanez, ndërkaq, e ka uruar ministrin për njohjet e deritanishme nga shumë vende. Ai, ka thënë se do t’ia përcjellë kërkesën për njohje kryqendrës së tij, duke shprehur shpresën se, “së shpejti do të pranoni lajmin e mirë”.
Në një takim tjetër shumë miqësor me ambasadorin e Irakut, Al-Jumaily, ministri Hyseni ka marrë po ashtu sigurime se ripërsëritja e kërkesës për njohje do t’i përcillet Qeverisë së Irakut, dhe se do ta nxisë Qeverinë për të lëvizur në drejtim të njohjes.
Njësoj, siç thuhet në komunikatë, është shprehur edhe Ambasadori i Katarit.
Në takimin me ambasadorin e Republikës Arabe të Egjipit, Mahmoud M. Auf, ministri Hyseni ka rikujtuar takimet e mëparshme që ka zhvilluar me homologun e tij nga Egjipti, dhe ka përsëritur thirrjen e tij drejtuar Kajros zyrtare për njohjen e shtetit të Kosovës. Nga ana e tij, ambasadori Auf i ka përcjellë ministrit Hyseni përshëndetjet e ministrit të Jashtëm të Egjiptit, Abdul Gheit, dhe e ka siguruar ministrin se do t’ja përcjellë çdo mesazh të tij ministrit të Jashtëm dhe Presidentit të Egjiptit. /Telegrafi/






































