Agim Tusi e Mentor Desku duke u përcaktuar për SVP/UDC-në dhe Blerim Bunjaku për EVP-në, kishin zgjedhur parti të njohura deri më tash si jo shume tipike për angazhimin e të huajve në mesin e tyre. Në veçanti SVP-ja njihet në opinion për qëndrimin e e saj se integrimi i të huajve është çështje private e tyre.

Në garën e të dielës, tre kandidatët e përendur shqiptarë kanë humbur por “nuk janë koritur”. Duke qenë se kanë kandiduar për herë të parë për një post të tillë dhe janë hedhur në një garë me konkurrence të fortë, ata kanë arritur rezultate që nuk mund të quhen zhgënjyese.


Kështu, kandidati për SVP/UDC-në, Agim Tusi ka fituar 6'078 vota ndërsa kolegu i tij nga partia, Mentor Desku 5871. Që të dy gjenden diku rreth “mesit të artë” të listës sa i përket numrit të votave.

Ndërsa Blerim Bunjaku, kandidat i EVP-së, ka fituar 1620 vota, një rezultat jo shumë i kënaqshëm por, që mund të kuptohet kur merren parasysh problemet që janë paraqitur rreth kandidimit të tij në partinë e përmendur. Nga ana tjetër, numri më i madh i dy kandidatëve tjerë shqiptarë (nga SVP) shpjegohet me sistemin zgjedhor dhe me faktin se partia që ata i takojnë është shumë më e madhe dhe më e votuar se EVP, rrjedhimisht, ata marrin edhe votat e partisë.

Blerim Bunjakut i kanë munguar 2’295 vota për të hyrë në asamble për shkak se partia e tij EVP kishte 4 ulëse kurse Agim Tusit i kanë munguar 462 vota gjegjësisht Mentor Deskut 669 vota për shkak të 13 ulëseve të partisë së tyre, SVP-së.

Kandidati Bunjaku, ka thënë me këtë rast albinfo.ch se përkundër humbjes, ia ka vlejtur të merrte pjesë në këto zgjedhje.

"Unë jam i kënaqur se i kam realizuar së paku dy qëllime: së pari, ky ka qenë guri im i provës për të hrë në politikë dhe kam arritur të bëhem figurë e njohur në gjithë Zvicrën. Veç kësaj ose si rezultat i kësaj, kandidimi im ka ndikuar te shumë të rinj që të interesohen për politikën. Këtë e di në bazë të shumë e-maileve mbështetëse nga shumë të rinj që kam marrë gjatë fushatës", tha Bunjaku.

Por, Blerimi ka edhe një arsye të tretë për tu ndarë i kënaqur nga e gjithë kjo: atij, pas zgjedhjeve i është ofruar një post në partinë ku aderon, në EVP. Për cilin post konkretisht bëhet fjalë, ai nuk e di ende, por kjo do të dihet në javët e ardhshme. Kjo, sipas tij, tregon për besimin që EVP ka treguar për të.

Të dielën më 9 shkurt zgjedhjet për Asamble dhe qeveri kanë mbajtur edhe në Cyrih. Por në to, në mesin e mbi 1000 kandidatëve nuk ka pasur asnjë kandidat shqiptar. /albinfo.ch/