Presidenti rus Vladimir Putin ndoshta nuk ka qenë kurrë spiuni elitar sovjetik që bota është shtyrë të besojë, ka zbuluar një hetim nga gazeta gjermane Der Spiegel.
Historitë e bëmave të Putinit si oficer i inteligjencës gjatë viteve të 80-ta ndryshojnë dhe është një epokë disi e mbuluar me mister, pasi ai vetë nuk e ka komentuar kurrë këtë periudhë, transmeton Telegrafi.
Por shumë histori e kanë përshkruar atë si një figurë heroike, i cili, ndër të tjera, i vetëm mbrojti zyrat e KGB-së nga plaçkitësit, dhe kreu misione sekrete ‘top-sekret’, si takimi me anëtarët e Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe, një grup terrorist që shkaktoi kërdi në Gjermaninë Perëndimore dhe kreu një sërë rrëmbimesh dhe atentatesh.
Por sipas raportit të Der Spiegel, shumica e punës së Putinit në fakt ishte e kufizuar në detyra administrative “banale”.
Duke cituar një nga ish-kolegët e Putinit në zyrën e KGB-së në Dresden, ai thotë se “puna e tij konsistonte kryesisht në shqyrtimin e pafund të aplikimeve për vizitat e të afërmve të Gjermanisë Perëndimore ose kërkimin e informatorëve të mundshëm midis studentëve të huaj në Universitetin e Dresdenit”.
Raporti thotë se Putini përmendet rrallë në të dhënat e Stasi – emri i policisë sekrete të Gjermanisë Lindore. Në ato që e referojnë atë, ka të bëjë vetëm me gjëra të tilla si ditëlindja e tij ose detyrat administrative, asnjë nuk ofron prova për të mbështetur historitë e përmendura më lartë.
Horst Jehmlich, ish-oficer i Stasi-t, i cili gjithashtu ka punuar në Dresden, tha për Der Spiegel se Putini nuk ishte asgjë më shumë se një “djalë porosie”.
Putin punoi për KGB-në, shërbimin e inteligjencës së Bashkimit Sovjetik, për gati dy dekada. Ai u transferua në Dresden, në Gjermaninë Lindore, në vitin 1985 – në një kohë kur vendi ishte në ‘këmbët e fundit’.
Vetëm katër vjet më vonë, Muri i Berlinit ra, duke shënuar fillimin e fundit të Luftës së Ftohtë dhe duke hedhur një hap të madh drejt ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990.
Zyrtarisht doli në pension nga shërbimi aktiv i KGB-së me gradën nënkolonel.
Por Oleg Kalugin, ish-oficer i lartë i KGB-së dhe kritik i ashpër i Putinit, tha në një intervistë me Radion Evropa e Lirë në vitin 2015, se lideri i Rusisë kishte gënjyer dhe ishte “thjesht një major”. /Telegrafi/