Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se zbatimi i marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, është kritik për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës.
Hovenier përmes një postimi në Twitter, ka theksuar se SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë popullit të Kosovës.
“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është kritik për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin e Kosovës për të realizuar një nga prioritetet tona kryesore, të përbashkëta: sigurimin që Kosova të zë vendin e saj të merituar në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar Hovenier.
Implementation of this agreement is critical to unlocking Kosovo's future. We will continue to stand with the people of Kosovo to realize one of our key, shared priorities: ensuring that Kosovo takes its rightful place in European and Euro-Atlantic institutions. https://t.co/1pw6eg0nKs
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) March 20, 2023
Takimi i 18 marsit në Ohër, solli një tjetër pajtim mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket procesit të dialogut. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja. /Telegrafi/