Ish-kryeministri i Kosovës, dfeputeti i LDK-së Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të ndërprerë Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e quajtur atë një goditje të rëndë me pasoja afatgjata, nëse nuk ndryshon kursi politik në vend.

“Ky vendim i SHBA-së do të ishte i shmangshëm sikur Presidentja Osmani të kishte përmbushur detyrimin e saj kushtetues, duke marrë përgjegjësinë për të mbrojtur Kushtetutën, institucionet gjyqësore, prokurorinë, gazetarët, bizneset dhe komunitetet nga sulmet e Kurtit dhe Vetëvendosjes. Në vend të kësaj, ajo ose heshti, ose u rreshtua pas Kurtit”, ka shkruar Hoti.


Ai theksoi se Kosova tashmë është nën masa financiare të BE-së për më shumë se dy vjet, ndërsa vendimi i SHBA-së është një tjetër “zile alarmi” për klasën politike dhe institucionale.

“Zilja ra sërish dhe shumë fuqishëm. Nesër, kur mund të bëhet vonë, askush nuk mund të thotë se nuk u zgjua ngase nuk i ra kush ziles. Zilja kishte rënë edhe në fillim të vitit 2020. Atëherë, LDK-ja zgjodhi partneritetin me SHBA-në para ruajtjes së pozitave qeveritare”, ka shtuar Hoti.