Schook, në një konferencë për media në Prishtinë, ka thënë, se ende askush nuk e ka kontaktuar nga kjo Zyrë, për dyshimet se ai mund të ketë krijuar midis tjerash, marrëdhënie joprofesionale dhe të afërta me ish-kryeministrin Ramush Haradinajn dhe ministrin e Energjisë dhe të Minierave, Et’hem Çekun.

Duke thënë se nuk e di prej nga kanë ardhur akuzat, Schook ka dhënë përgjigje për gjërat për të cilat ai mendon se është i fajshëm…"Për vendosmërinë time që të kryhen punët, për miqtë dhe armiqtë dhe për tolerancë të ulët për çka do që mund ta pengojë Kosovën në rrugën drejt më të mirës”, ka thënë Schook, duke përmendur këtu edhe respektin që ka për punën e Ramush Haradinajt si kryeministër, për bashkëpunimin e tij shembullor me Tribunalin e Hagës dhe përkrahjen që i Schook i ka dhënë propozimit të Martti Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur.

Schook gjithashtu ka thënë se nuk do të lejojë që këto akuza apo edhe të tjerat të kenë ndikim negativ në procesin e statusit të Kosovës apo në përgjegjësitë që ai ka si zëvendës i parë i shefit të administratës ndërkombëtare. /REL/