Hetohet shitja e detit shqiptar Greqisë

Bushati ftoi Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla të hap hetimin për shkeljen e interesave kombëtare si nga grupi negociator ashtu dhe nga firmëtarët e paktit të prillit 2009 që ripërcaktonte kufijtë detar me shtetin fqinj.
"Ministria e Punëve të Jashtme ka ngritur një grup pune për të hetuar të gjitha aspektet administrative nëpërmjet të cilit, pala shqiptare ka zhvilluar këtë negocim mbi bazë dhe për zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Dihet që Gjykata Kushtetuese ka thënë se për mënyrën se si është negociuar kjo çështje, ka një territor të caktuar që është humbur sipas marrëveshjes, dhe nuk është respektuar procedura kushtetuese se si shkohet te negocimi. Natyrisht kur jemi për institucionet e shtetit të së drejtës nuk më takon mua që të bëjë akuza të karakterit penal, pres m e qetësi që Prokurori i Përgjithshëm të thotë fjalën e tij, në bazë dhe për zbatim të gjykatës kushtetuese," tha Bushati.
Pakti detar me Greqinë u firmos në 2009-n nga Dora Bakojanis dhe Lulizm Basha, ministrat e jashtëm të kohës për të dy vendet Shqipëri dhe Greqi.
Opozita e kohës e ankimoi këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se vendi humbte 354.4 km katrorë sipërfaqe ujore prej saj.
Në janar 2010 Gjykata rrëzoi paktin duke e shpallur antikushtetues dhe në dëm të interesave kombëtare. /Telegrafi/



















































