LAJMI I FUNDIT:

Heinrich Schliemann – aventurier, hajdut, hero!?

Heinrich Schliemann – aventurier, hajdut, hero!?
Pamje nga kërkimet e Schliemannit për Trojën (1893)

Nga: Robin Lane Fox / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Të joshin dhe të magjepsin ndryshimet e karrierës në mesomoshë. Komediani bëhet lider politik dhe kolumnisti zhbirues i Financial Times-it bëhet mësues matematike. Dy ish-kryeministra tash do t’i kërkojnë rrugët e reja. Unë nuk ndryshoj në mesomoshë, ndaj më tërheqin të tjerët që e bëjnë ndryshimin. Herë pas here më kontaktojnë drejtorët e mërzitur të kompanive, për të më njoftuar se po synojnë që të bëhen arkeologë. Sa mirë do të ishte, pyesin ata, ta zbulojnë atë entitet të pakapshëm – varrin e Lekës së Madh?

Para se t’i injorojmë, më kujtohet pararendësi i famshëm i tyre – Heinrich Schliemann. Deri në mesin e të tridhjetave, ishte biznesmen global – aktiv nga Rusia e deri në Kaliforni – por më pas u zhvendos në Paris për ta studiuar filologjinë, filozofinë dhe antikitetin. Energjia e tij ishte vërtet e mahnitshme, qoftë duke u ngjitur në male, duke kampuar, duke notuar apo duke shkruar – deri atëherë – dhjetë mijë letra. Nga viti 1870 e deri në 1890, i drejtoi gërmimet e vetëfinancuara në Turqi dhe në Greqi. Doli me rezultatet e famshme botërore.


Fillimisht i zbuloi shtresat e varrosura – prej kohësh të humbura – të Trojës së lashtë. Më pas u zhvendos në Mikenë të Greqisë, ku organizoi gërmimin e një rrethi varresh, ari i të cilave është ende shfaqja kryesore në muzeun arkeologjik të Athinës. Në vitet 1880 filloi të gërmonte në vendin e rëndësishëm grek të Orhomenusit, dhe më 1884 në lokacionin e Tirintit të famshëm për muret masive të ndërtuara me gurë. Në vitet 1887-88 ishte në Egjipt ku, në të vërtetë, një nga planet e tij ishte ta gjente varrin prej kohësh të humbur të Lekës.

Tani ai është në mendjen time. Këtë javë e dorëzova tekstin përfundimtar të librit tim për Homerin dhe për Iliadën e tij që do të botohet gjatë verës së ardhshme. E nisa që në izolimin e parë të pandemisë, duke i thënë vetes se me të do ta paguajë faturën time të harruar të energjisë elektrike. Është rritur dhe thelluar përtej pritshmërive të mia, por gjithashtu edhe fatura e energjisë elektrike. Teksa shkruaja për Homerin, u hodha në çështjen e Schliemannit dhe të reputacionit të tij. Ai është shembulli klasik i asaj që mund të arrijë një i jashtëm në karrierën e vonshme. Vendet e Trojës, Mikenës e kështu me radhë, nuk ishin zbulime të tija, por shpërtheu në një fushë që ecte ngadalë dhe e transformoi atë me gërmime të vrullshme dhe madhështore.

Në maj, me ftesë nga pasardhësit e tij të gjallë, isha në Berlin për hapjen e një ekspozite të madhe: Botët e Schliemannit: Jeta, zbulimet, Miti i tij. Deri në janar ishte e hapur në Muzeun Neues dhe në Galerinë James Simon. Ishte dyqindvjetori i lindjes së tij dhe Matthias Wemhoff dhe ekipi i tij i kuratorëve kanë bërë punë të jashtëzakonshme për ta shënuar këtë përvjetor. Madje, shumë objekte të vogla ari të gërmimeve të tij në Mikenë, i kanë marrë hua nga Athina. Ekspozimi i tyre më shpiu në nivelin e gjerë të Schliemannit dhe në historinë e jetës së tij.

Më shumë se 700 eksponate e kanë ndjekur atë gjatë 68 vjetëve të tij, që nga koha si tregtar në Rusi dhe në Kaliforni, duke u shitur ar edhe Rothschildsve, deri në jetën e kaluar në Japoninë e porsahapur dhe në Paris, e përfundimisht në Athinë. Një heroinë paralele i shfaqet gjatë rrugës – gruaja e tij e dytë Sofia, grekja e re me të cilën ai u martua kur ajo ishte vetëm 17 vjeçe. Ajo më së miri mbahet mend për fotot e tij me të, teksa i mbante ato që ai i quajti, nga fantazia, xhevahiret e Helenës – objektet e gjetura nga ai në Trojë. Si e ve për rreth 40 vjet, ishte ajo që bëri shumë për ta mbajtur gjallë mitin dhe kujtesën e Schliemannit. Jeta jonë e përtejme varet nga të tjerët.

Në natën e hapjes së ekspozitës, i pashë nxënësit e shkollave të Berlinit që para publikut të entuziazmuar gjerman shfaqnin episode nga Lufta e Trojës. Në një vlerësim të balancuar mirë, Wemhoff na tha se si Schliemanni u përkujtua pas vdekjes me një monument të madh në Varrezën e Parë të Athinës. Në mënyrën e Greqisë së lashtë, i përkushtohet heroit Schliemann, ndërsa basorelievet ilustrojnë jetën e tij si gërmues. Më habit se sa pak turistë në Athinë shkojnë për ta parë atë dhe se sa pak e vizitojnë rezidencën e tij pranë Sheshit Sintagma, të cilën e drejtonte Sofia. Schliemanni e quajti Iliou Melathron (Salla e Trojës). Është mirë e dekoruar dhe afresket e saj klasike dhe dyshemetë me mozaikë janë rezultat i shijes së Sofisë.

Ndjeva se publiku gjerman ishte në anën e heroit Schliemann. Në studimet anglofone, reputacioni i tij është dërrmuar. Arkeologët profesionistë e shohin si vandal, gënjeshtar, trillues dhe hajdut. Përdori dinamit për të përshpejtuar gërmimet. Pa kërkuar leje nga sundimtarët osmanë në Turqi, i tërhoqi objektet që gjeti në Trojë; megjithatë, disa prej gjetjeve të tij të mëvonshme ia dha Athinës ku mendonte se ato përkisnin. Mbajti shënime shumë të dobëta për gërmimet e veta: megjithatë, ditarët e tij janë të detajuar dhe ia vlen të lexohen. Në Aleksandri, në vitet 1887-88, futi në dhe antikitete në vendin që donte të gërmonte -për ta kërkuar varrin e Lekës. Më pas i “rigjeti” dhe pretendoi se ato e mbështetën kërkesën e tij për të marrë leje për të gërmuar më tej.

Në Trojë, Schliemanni gaboi me atë që e quajti Thesari i Priamit dhe me datën e kësaj: ndoshta ato i grumbulloi nga gjetje të ndryshme. Vite më vonë, hajdutët e kohëve të fundit, pushtuesit rusë, nga Berlini i kohës së luftës morën shumëçka nga ky thesar dhe i çuan ato në Rusi. Më i bukuri nga gjerdanët e thesarit të artë është ende në Berlin, por pjesa tjetër, kam frikë, nuk do të kthehet së shpejti.

Duke shkruar për Homerin, e pash veten se si po zmbrapsem nga Schliemanni, por edhe duke e admiruar atë. Një nga zbulimet e tij më të mëdha ishte arkeologu Wilhelm Dörpfeld, i cili i udhëhoqi gërmimet e Tirint, dhe që pas vdekjes së Schliemannit i dha shumë më tepër kuptim Trojës. Megjithatë, Schliemanni fillimisht e kuptoi se kishte datuar shumë vonë nivelet e hershme të Trojës. Ai gjithashtu nisi ta kuptojë rëndësinë thelbësore të qeramikës së lashtë, për t’i datuar shtresat e shumta në një vend. Ai nuk ishte fanatik kokëfortë, siç disa kanë pretenduar.

Sidoqoftë, autobiografitë e tij janë plot me “kujtime” të rreme. Një herë e përshkruan zjarrin e madh të San Franciskos të vitit 1851, por kurrë nuk ishte dëshmitar i kësaj: përshkrimi i tij është shumë i gjallë, i shkruar si gazetar nga raportet bashkëkohore. Sipas standardeve moderne shkencore, gërmoi shumë shpejt, jo gjithmonë në vendin e duhur, siç dëshmon puna në një pjesë të tumës së lashtë në Trojë. Megjithatë, pa sulmin e tij të egër, ne mund të merreshim ende me nivelet e sipërme të lokacionit, pa pasur asnjë ide se sa thellë shkonin shtresat e qyteteve të mëparshme. Kur Schliemanni gërmoi, nuk kishte shkencë të pranuar të stratigrafisë për të kalibruar ndryshimet e nivelit në një vend të lashtë. Gërmimi kishte ende shumë të përbashkëta me gërryerjen dhe minierat.

Gabimet e tij shpesh nxiteshin nga një forcë të cilën edhe unë e pranoj: dashuria për poemat epike të Homerit dhe një obsesion për atë që fshihej prapa tyre. Pasi hoqi dorë nga karriera e biznesit, Schliemanni fillimisht eksploroi Itakën, ishullin e origjinës së Odisesë. Në Trojë u shty nga keqleximi literal i i Iliadës: poemën e Homerit donte ta vërtetonte si historikisht të saktë. Teksa Homeri e gjeti mbretërinë e Agamemnonit në Mikenë, ishte e kuptueshme që Schliemanni donte të gërmonte edhe atje dhe se më pas besonte se kishte zbuluar maskën e vdekjes së Agamemnonit të Homerit.

Në vitet 1870, nuk ishte i vetmi fundamentalist historik për poemat e Homerit, por dashuria e tij për to ishte e fortë. Fëmijëve ua vuri emrat Andromaka dhe Agamemnon. Recitoi 100 rreshta të Iliadës përmendësh kur e çoi Agamemnonin në pagëzim dhe e mbajti një kopje të Homerit në ballin e Andromakës, përpara se ajo të pagëzohej.

A i justifikon dashuria e tillë ndaj Homerit, trillimet dhe gabimet në atë që duhet të ishte punë shkencore? Sigurisht, Schliemanni nuk do të fitonte kurrë ndonjë punë moderne akademike, por gjithashtu kishte talent që pak arkeologë akademikë mund barazohen me të: ishte gjuhëtar i mrekullueshëm. Në moshën 24-vjeçare fliste gjermanisht, frëngjisht, holandisht, italisht, anglisht, spanjisht, portugalisht dhe rusisht. Së shpejti i shtohet polonishtja dhe suedishtja, pastaj danishtja dhe sllovenishtja dhe në fund latinishtja dhe greqishtja moderne dhe e lashtë.

I mësoi ato me një metodë të qëllimshme: recitoi një pjesë të gjatë në një gjuhë dhe e mësoi atë përmendësh, para se të mësonte fjalorin dhe gramatikën e saj. Më pas i kombinoi me mësimet e përditshme nga një mësues i gjuhës. Kjo metodë ishte para dashurisë së tij për Homerin. Atij i kujtohej, me siguri me të drejtë, se si në adoleshencë dëgjoi një mullixhi, një të dehur të refuzuar nga një shkollë e mirë gjermane, i cili i recitonte 100 vargje nga Odisesë së Homerit. Schliemanni thotë se qau me tingullin ritmik dhe iu lut Zotit që ta mësonte greqishten e vjetër. Mësimi dhe recitimi gojor u bënë çelësat e tij gjuhësor.

Edhe këtë javë kam menduar për këtë. Kolegët e mi janë gati të fillojnë intervistimin e kujdesshëm të aplikantëve në Universitetin e Oksfordit, si dhe vlerësimin e punës së tyre të dorëzuar paraprakisht. Kur fillova të intervistoja aplikantët në vitin 1977, intervistat kryheshin në frëngjisht ose gjermanisht, nëse një kandidat aplikonte për ato lëndë. Tani pothuajse të gjithë ata që njohin një roman gjerman, e dinë atë vetëm nga një përkthim në anglisht. Sa i përket greqishtes klasike dhe latinishtes, njohuritë për kryeveprat e tyre kanë rënë që nga vitet 1970. Metoda e Schliemannit ende respektohet në Sorbonë. Shkollat angleze, që kalojnë nëpër ndonjë pjesë të një gjuhe, duhet të bëhen gati për ta zbatuar këtë. Schliemann e transformoi Trojën: ai gjithashtu mund t’i transformonte monoglotët britanikë. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
145

145

Poezi
Art me letër

Art me letër

Kulture
REFLEKTIME

REFLEKTIME

Poezi
Kalo në kategori