Ekziston një gjë shumë e rëndësishme që Interi mund të mburret ndaj Manchester Cityt që shkon në finalen e Ligës së Kampionëve dhe Pep Guardiola e pranon se presioni është i gjithë mbi ekipin e tij.
Skuadrat përballen në stadiumin Ataturk në Stamboll të shtunën më 10 qershor dhe kjo është një mundësi për Cityn për të fituar tripletën, pasi tashmë ka fituar Ligën Premier dhe FA Cup këtë sezon.
“Më shumë se fakti për tripletën është fakti për të fituar Ligën e Kampionëve”, ka thënë Guardiola. “Ne tashmë fituam FA Cup, fituam Ligën Premier”.
“Të gjithë e dinë. Ne kemi bërë sezon të jashtëzakonshëm – pesë Liga Premier, dy Kupa FA, Kupa Carabao – por ne duhet të fitojmë Ligën e Kampionëve për t’u njohur ashtu siç e meriton skuadra të njihet”.
“Duhet ta pranojmë, pa Ligën e Kampionëve – ka qenë e mahnitshme, ka qenë argëtuese – por na mungon (diçka). Duhet ta bëjmë”.
“Ne japim gjithnjë e më shumë merita për atë që kemi bërë këto vite, kemi bërë shumë gjëra, por unë u thashë lojtarëve ‘duhet të bëni presion mbi veten tuaj, që të njiheni si diçka e mirë duhet të fitoni Evropën’”, ka shtuar më tej trajneri spanjoll.
Nuk mund të ketë dyshim se skuadra e Guardiolës është favorit në këtë ndeshje dhe kjo mund të jetë gjëja më e madhe që shkon në favor të Interit.
Nerazzurrët fituan Ligën e Kampionëve tre herë tashmë dhe gjithashtu morën tripletën në vitin 2010, ndërsa Manchester City për të gjitha shpenzimet e tyre rekorde në tregun e transferimeve dhe dominimin e fundit të Ligës Premier nuk ka qenë kurrë në gjendje ta marrë atë trofe.
Mund të duket paradoksale, por dështimi për të mposhtur Interin në finalen e Ligës së Kampionëve mund të konsiderohet një dështim për Cityn, ndërsa lojtarët e Simone Inzaghit nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur dhe gjithçka për të fituar. /Telegrafi/