Në shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, po mbahen një sërë aktivitetesh për ta përkujtuar këtë ditë kur filloi çlirimi i Kosovës nga forcat serbe.
Pas mbajtjes së ceremonisë solemne të organizuar nga Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Lorenzo D’Addario, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miku i madh i Kosovës, Bill Clinton ka arritur në Kosovë.
Clinton ka ateruar në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ku është pritur nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, transmeton Telegrafi.
Jahjaga ka shfrytëzuar llogarinë e saj në Facebook, për ta falënderuar ish presidentin Clinton për kontributin e tij për Kosovën. Ajo ka shkruar se lidershipi i Presidentit Klinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës, dhe u bë garantues për rivendosjen paqes dhe të stabilitetit në të gjithë rajonin.
“Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Klinton për të mbështetur fushatën e NATO-së në dhënien fund të luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan. Lidershipi i Presidentit Klinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqes dhe të stablitetit në të gjithë rajonin. Mbështetja a palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është simbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën! Përjetësisht mirënjohës”, ka shkruar ajo, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, presidenti Clinton është pritur nga presidenti Hashim Thaçi, me një ceremoni shtetërore.
Presidenti Hashim Thaçi duke i uruar mirëseardhje ish-presidentit Clinton ka thënë se ai ka dhënë kontribut që nuk mund shpërblehet me asgjë.
“Është kënaqësi t’ iu mirëpres pasi që keni dhënë kontribut për lirinë e Kosovës, për pavarësinë e Kosovës. Iu shpreh mirënjohje të lartë nga institucionet e Kosovës, juve personalisht, bashkëpunëtorëve tuaj për vendimin e drejtë, historik, dhe shumë humanist që keni ndërmarrë në vitin ’90 për të filluar bombardimet për të ndalur spastrimin etnik të mbi një milion shqiptarëve të Kosovës të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, si mundësi për tu rikthyer në shtëpitë dhe pronat e tyre të djegura, për të filluar ndërtimin e jetës së re”, ka thënë Thaçi.
Ai ka dekoruar ish-presidentin Bill Clinton me medaljen “Urdhri i Lirisë”, për kontributin e tij.
“Sot pas 20 vitesh Kosova e pavarur u është mirënjohëse për këtë rrugëtim. Mbështetja e juaj dhe SHBA-së ka qenë jetike për lirinë, pavarësinë dhe tash në rrugëtimin euroatlantik. Storia e Kosovës është storie e suksesit të përbashkët. Ju jeni heroi ynë dhe në emër të qytetarëve iu falënderoj shumë. Duke u bazuar në kompetencat si President, sot ndaj çmimin në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës “Urdhër i Lirisë”. Nuk ka çmim që mund të shpërblej kontributin tuaj sepse dekorimi më i madh është liria e vendit të Kosovës që ka reflektuar me paqe dhe stabilitet në rajon”, ka thënë Thaçi, transmeton Telegrafi.
Ndërsa ish-presidenti, Bill Clinton, ka thënë se Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të jetuar në paqe me fqinjët.
“Sot e gjithë bota, në gjithë këtë trazirë duhet ta shohë Kosovën si vend të demokracisë, i përkushtuar të përmirësohet e të rritet, dhe të jetojnë në paqe me fqinjët. Gjë kjo e cila është diçka për të cilën duhet të punojë çdo shtet, i madh e i vogël , brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Unë mendoj që e keni mundësinë të bëheni shembull i botës edhe për 20 vjet tjera”, ka thënë ai.
Ish presidenti, Bill Clinton, gjatë fjalimit të tij në takim me presidentin Thaçi
Ai ka thënë se ajo çka është arritur deri më tani është falë vendimit të popullit kosovar për të ndërtuar vendin.
“Jam krenar që isha president i SHBA-së në kohën kur populli i Kosovës kishte nevojë, që të mos ketë më njerëz që lënë shtëpitë të tyre, të mos ketë më vrasje, dhe të bëhet më mirë. Dhe ajo çfarë është arritur deri më sot është falë vendimit të popullit kosovar për të ndërtuar shtetin, shoqërinë dhe qeverinë dhe për të ecur drejt paqes”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
Clinton ka thënë se Kosova meriton të jetë pjesë e BE-së, NATO-s por edhe organizatave tjera, që mund të jetë një shtet i pavarur.
“Kosova meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në organizata tjera. Ish Presidenti George W. Bush ka bërë punë brilante pasi e ka njohur këtë shtet vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë. Të jeni të sigurt se Amerika do të vazhdojë ta përkrah shtetin e Kosovës dhe secili amerikan do të veprojë kështu”, ka thënë ai”, ka thënë ai.
Pas takimit me Thaçin, ish presidenti Clinton, është pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me ish presidentin Bill Clinton.
Ndonëse para mediave nuk kishte deklarime, Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit të ish presidentit Clinton, populli i Kosovës jetësoi të drejtën për liri dhe demokraci, dhe ndërtoi shtetin e Kosovës.
“Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës! Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën!
President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj. Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.
Në këtë takim, kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i dhuruan pullën e parë postare të punuar në bronz me imazhin e tij.
Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, së bashku me kryeministrin Haradinaj, i dhuruan pullën e parë postare të punuar në bronz me imazhin e Bill Clinton
Po ashtu në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë ka arritur, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright. Ajo është pritur nga-ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Jahjaga në llogarinë e saj në Facebook, duke i uruar mirëseardhje ka shkruar se vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretares Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen tonë.
“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright – njërën nga kontribueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretares Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar – lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen”, ka thënë ajo, transmeton Telegrafi.
Albright është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i ka uruar mirëseardhje Albright.
“Mirë se erdhët përsëri Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq në mbrëmje, Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka shtruar një darkë për nder të miqve të Kosovës, ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton dhe ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
“Një dolli për miqtë e mëdhenj të popullit tonë, miqtë e Republikës së Kosovës, për presidentin Clinton, sekretaren Albright dhe miqtë tjerë në këtë darkë të përbashkët. Qofshi përjetë të bekuar!” ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ndryshe nesër do të shënohet 20-vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, me ç’rast janë organizuar ngjarje të ndryshme për të shënuar 20-vjetorin. Gjatë ditës së nesërme personalitete të rëndësishme botërore do të jenë pjesë e këtij përvjetori të rëndësishëm për shtetin e Kosovës.
Tubimi kryesor do të nisë në ora 11:00 dhe do të mbahet deri më 12:30. Po ashtu nesër do të bëhet edhe përurimi i bustit të Albright./Telegrafi/