Ishte ky vlerësim unanim i pjesëmarrësve në tryezën e rrumbullakët, të mbajtur sot në Prishtinë për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, 3 Majit, në organizim të UNDP-së.

Alessandra Roccasalvo, zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, tha se Kosova ka rënë për dy vende në respektimin e lirisë së fjalës krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte në vendin e 98-të, ndërsa këtë vit është në vendin e 100-të.


“Freedom House tanimë e publikoi raportin më të ri për sa i përket lirisë së mediave në tërë botën. Kosova ka rënë edhe për dy vende më poshtë se që ka qenë, prej vendit 98 në vendin 100 dhe nuk është për t’u habitur që vendet jo vetëm në Evropë, por në tërë botën vendet të cilat kanë lirinë më të lartë të të shprehurit janë vendet skandinave me Norvegjinë dhe Suedinë në krye të listës”, tha Roccasalvo.

Ajo siguroi se UNDP do të vazhdojë të mbështesë lirinë e shtypit dhe mediave në Kosovë.

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, tha se gazetarët kosovarë po përballen me probleme të mëdha, që rrjedhin nga moszbatueshmëria e ligjit, numri i madh i kërcënimeve dhe rrahjeve që po u bëhen gazetarëve.

“Siç e kemi parë edhe raportin e Freedom Kosova dje, Kosova edhe pas 16 viteve vazhdon të përballet pothuajse me telashe të mëdha, të mos ketë zbatim të ligjit dhe vazhdon të ketë numër të madh të kërcënimeve, rrahjeve të gazetarëve dhe pengesa të tjera që u bëhen gazetarëve në Kosovë. Edhe në raport është paraqitur që Kosova ende vazhdon të mbetet një vend pjesërisht I lirë në të gjitha aspektet, jo vetëm në aspektin e të bërit gazetari”, tha Shabani.

Si problem ai ceku situatën në të cilën shumë gazetarë punojnë pa kontrata dhe paguhen shumë pak për punën që bëjnë.
Shabani, si kryetar i AGK-së, u bëri thirrje të gjithë kolegëve gazetarë që të ngrenë zërin dhe të mos hezitojnë të raportojnë problemet e tyre.

E pranishme në tryezën e organizuar nga UNDP-ja, ishte edhe kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, e cila së fundmi u shpërblye nga SHBA-të për guximin e treguar në ushtrimin e profesionit të gazetarisë.

Ajo me këtë rast tha se bizneset të cilat kanë krijuar monopol dhe që janë të lidhura me pushtetin po bëjnë presion të vazhdueshëm mbi gazetarët.

“Nëse shohim në raportin e Freedom House, shohim se radhitemi me shtetet që ne i konsiderojmë që kanë degradim të vazhdueshëm dhe ne vazhdojmë tutje të jemi keq e më keq. Kemi folur për kapjen e shtetit, njëkohësisht kemi edhe kapjen e mediave dhe presioni është i vazhdueshëm. Fatkeqësisht kemi një trend të bartur prej Shqipërisë në Kosovë, ku bizneset të cilat kanë krijuar monopol janë të lidhura me pushtetin dhe presioni vazhdon në ekzistencën e medias dhe të vetë gazetarëve.

Dhe në presionin e vazhdueshëm kemi censurën edhe vetëcensurën dhe normalisht që në presion të jashtëm kemi edhe ato raste që nuk u përmendën ndoshta sot, që në krahasim me vitin e kaluar sivjet ka trend shumë më të rritur të kërcënimeve dhe presioneve që vijnë direkt tek gazetari”, tha Xharra.

Ajo përgëzoi vullnetin e gazetarëve që përkundër presioneve të mëdha brenda dhe jashtë mediave, përkundër pagave të ulëta, në Kosovë përsëri po bëhet gazetari hulumtuese.

Nga Asociacioni i Gazetarëve Serbë të Kosovës, i pranishëm ishte Budimir Niçiq, i cili tha se po bëhet ndarje shumë e thellë mes mediave shqiptare dhe atyre serbe, raporton KP.

“Ajo çfarë është karakteristikë tek ne është ndarja shumë e thellë e mediave shqiptare dhe mediave tjera. Është i dukshëm mosinteresimi i mediave shqiptare për atë se çfarë ndodh në mediat serbe dhe njëkohësisht ajo se çfarë ndodh në mediat shqiptare nuk vërehet nga ana e mediave serbe”, tha Niçiq.

Sipas raportit të UNDP-së, është ardhur në përfundim se qytetarët nuk besojnë në lirinë e shprehjes. Madje, nëse bëhet një krahasim me vitin e kaluar, vërehet një rënie prej 10 për qind në atë se sa mediat e gëzojnë lirinë e shprehjes në Kosovë.

Vetëm 35 për qind e qytetarëve besojnë se në Kosovë ka liri të shprehjes. /Telegrafi/