LAJMI I FUNDIT:

Garanci për statusin dhe porosi nga Britania

Garanci për statusin dhe porosi nga Britania

Ekipi i Unitetit ka marrë garanci nga Britania e Madhe për zgjidhjen e statusit te Kosovës, por edhe porosi që të dyja palët - Serbia dhe Kosova - të heqin dorë nga fjalët dhe veprimet provokative. Ndërkaq anëtarët e Ekipit të Unitetit kanë paraqitur në Londër kërkesën për përshpejtimin dhe përfundimin sa më parë të procesit të statusit të Kosovës.

Gjatë një takimi në Ministrinë e Jashtme, Foreign Office, në Londër, shefi i diplomacisë britanike, David Miliband i ka thënë Ekipit të Unitetit se, "zgjidhja e statusit të Kosovës është me rëndësi themelore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor", njofton BBC.

Kjo, është shprehur Miliband, "kërkon lidership dhe vizion nga të dyja palët". Të dyja palët, u ka thënë Miliband anëtarëve të Ekipit të Unitetit, “duhet t’i qasen negociatave të mbetura me kreativitet, kurajë dhe shpirt kompromisi". "Ata duhet të ecin në një hap me partnerët e tyre në komunitetin ndërkombëtar", ka thënë ministri i jashtëm britanik.

Zyrtari më i lartë në Foreign Officen britanik ka deklaruar se shpreson që "procesi i negociuar nga treshja do të çojë drejt një marrëveshjeje. Por nëse kjo nuk ndodh, Plani Ahtisaari do të jetë rruga më e mirë përpara. Sidoqoftë, ka vijuar ai, “ne do të punojmë për zgjidhjen e statusit sa më shpejt, pas përfundimit të procesit të treshes me 10 dhjetor".


Çeku: “Do ta shpallim pavarësinë disa ditë pas 10 dhjetorit”

Anëtarët e Ekipi të Unitetit kanë paraqitur në Londër kërkesën për përshpejtimin dhe përfundimin sa më parë të procesit të statusit të Kosovës.

I pyetur drejtpërdrejt nëse pas 10 dhjetorit Kosova do ta shpallë pavarësinë, po qe se nuk arrihet marrëveshja, Sejdiu është përgjigjur: “Ne po i koordinojmë aktivitetet me fqinjët tanë, shtetet të cilat i janë përkushtuar projektit të ardhmërisë së Kosovës.

Kosova nuk mund të jetë peng i procesit. Vendimet që do t’i marrim, do t’i marrim në “koordinim… Pas 10 dhjetorit, do të ketë edhe disa konsultime shtesë”. Ai nuk i është përgjigjur pyetjes nëse kanë marrë mbështetjen e Londrës për shpalljen e pavarësisë, duke thënë se gjatë takimit është marrë konfirmimi për mbështetjen e parezervë nga Britania e Madhe.

Por, kryeministri, ka qenë më i drejtpërdrejtë. Sipas fjalëve të kryeministrit, Çeku, pa pavarësinë e Kosovës nuk do të kishte stabilitet në rajon. “Ajo çfarë po bëjmë ne është se kërkojmë tërë mbështetjen e mundshme të cilën mund ta marrim. Por, nuk jemi të gatshëm të presim deri në atë çast kur të gjithë të merren vesh. Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme, ajo duhet të ndodhë. Duhet të ndodhë shumë shpejt pas 10 dhjetorit. Flasim për disa ditë pas 10 dhjetorit.”, ka thënë Çeku.

Veç takimit me ministrin e Jashtëm, delegacioni kosovar ka pasur takime me zyrtarë të tjerë të lartë, përfshirë, ministrin për Evropë, Jim Murphy, stafin e kryeministrit në selinë e Qeverisë britanike, Downing Street, homologun opozitar të ministrit të jashtëm, William Hague, ish-liderin liberal-demokrat dhe ish-përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, Paddy Ashdown, si dhe zyrtarë në Departamentit për Zhvillim Ndërkombëtar dhe të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. /bbc/