Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara ka thënë se nga e hëna është konfirmuar ekzistimi i varrezave masive në Rashkë të Serbisë.
Gara në një prononcim për Telegrafin ka thënë se do mundohen të jenë të kujdesshëm në dhënien e të dhënave statistikore të numrit të mbetjeve mortore apo dhe ndonjë të dhëne tjetër, duke respektuar siç tha ai familjarët e të pagjeturve në vend.
“Për momentin jemi duke pritur të kemi një ftesë zyrtare për hapat e mëtutjeshëm. Nga e hëna është konfirmuar ekzistimi i varreze masive në këtë lokacion, duke ju falënderuar dhe partnerëve ndërkombëtare. Do të bëjmë përpjeke të jemi të kujdesshëm për shkak të ndjeshmërisë së procesit, po ashtu edhe për të respektuar kujdesin ndaj familjarëve të personave të pagjeture. Të rezervohemi në prezantimin e të dhënave, qoftë në statistikat e mundshme të viktimave apo edhe me cilin rast apo masakër në Kosovë mund të lidhen këto varreza”, ka thënë Gara.
Ai po ashtu theksoi se i posedojnë disa informata nga ky proces i gjetjes së mbetjeve mortore.
Gara sqaroi se rasti i Kizhevakut ndërlidhjet me lokacionin e varrezave masive në Rudnicë të Rashkës.
“Sigurisht që janë disa nga informata që ne i posedojmë pasi jemi pjesë e këtij procesi. Ajo që është me rëndësi të theksojmë që rasti i Kizhevakut, ndërlidhet me lokacionin e varrezave masive në Rudnicë të Rashkës, ku në 2014 janë zhvarrosur mbetje mortore të 54 personave, viktima shqiptare nga lufta e Kosovës. Rasti i Rashkës si regjion nuk ka përfunduar pasi ka dhe disa pika tjera të shënjuara brenda këtij regjioni dhe Novi pazarit, ku ne po vazhdojmë në vazhdimësi duke kërkuar edhe si Komision, si Institut i Mjekësisë Ligjore por edhe me delegacionin e Kosovës në kuadër të grupit punues për persona të zhdukur, që sa më parë të adresohet dhe i kemi dhe datat e gërmimeve për këto lokacione. Ka një lidhje mes Kizhevakut dhe Ridnicës, megjithatë për momentin do të rezervohemi derisa nuk përfundojnë fazat e nevojshme”, ka thënë ndër të tjera ai.
Tutje, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur theksoi se me anë të imazheve satelitore është arritur gjetja e këtyre lokacioneve.
Ndryshe, të hënën janë gjetur mbetje mortore në një pjesë malore mes Rashkës dhe Kizhevakut të Serbisë, të cilat besohen të jenë të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë. /Telegrafi/