LAJMI I FUNDIT:

Gani Mehmetaj: Kapërcimi nga publicistika në letërsi nuk është i vështirë, është aq i natyrshëm

Gani Mehmetaj: Kapërcimi nga publicistika në letërsi nuk është i vështirë, është aq i natyrshëm

Gani Mehmetaj është gazetar, shkrimtar, dramaturg, producent filmi

Ka shkruar kritika filmi, ese e studime, tregime, drama e romane. Ishte redaktor, analist e komentator në gazetën e përditshme “Rilindja”. Ishte ndër nismëtarët dhe themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryetar Ibrahim Rugovën, partisë që i vuri kornizat dhe themeloi shtetin e pavarur të Dardanisë. Gjithashtu, drejtor i gazetës “Bota sot”, profesor në Fakultetin e Arteve Mediale, drejtor i “Kosovafilm”…

Intervistoi: Bajram Sefaj


U shkolluat dhe punuat si gazetar: cila ishte gazetaria (dhe gazetarët) dhe cilët janë sot, sipas mendimit tuaj?

Çdo brez ka vërejtje ndaj brezi më të ri. Ne punuam në rrethana të vështira, të jashtëzakonshme. Gjithnjë na rrinte mbi kokë si sëpata e Damakleut mundësia e arrestimit, burgut, pushimit nga puna, ndërsa të të pushonin nga puna do të thoshte të ta mbyllnin karrierën dhe ta rrezikonin ekzistencën. Edhe në këto rrethana përpiqeshim të shkruanim diçka të qëndrueshme, nuk na mungonte guximi, angazhimi dhe përkushtimi ndaj fjalë publike. Dhe mendoj se brezi im arritëm të krijonim individualitetin, autonominë profesionale dhe simpatinë e lexuesve. Disa gjëra i thoshin troç, shumë të tjera i thoshim në mes rreshtash, ndërsa lexuesi i kapte.

Si janë gazetarët dhe gazetaria sot?

Shpesh me dëshpërojnë. Gazeta nuk kemi, jemi i vetmi shtete në Evropë pa gazeta. Portalet nuk e zëvendësojnë gazetën as revistën. Në televizione në vend të informacionit dhe ballafaqimit të mendimeve ndryshe, ka fyerje e sharje të një niveli që nuk e kishim. Gazetaria e portaleve dhe e televizioneve me duket shumë e instrumentalizuar. Nuk e kanë integritetin që e kishim ne në kohë diktature.

E veçoni ndonjë gazetë, ndonjë emër gazetarie të kohës, gjurmët e të cilit do t’i ndiqnit me qejf!

Emra nuk do të përmendja, por grupi i gazetarëve të Rilindjes nga rubrika e kulturës shquheshin mbi të tjerët. Ata ishin model i trajtimit të temave e të problemeve me guxim dhe në mënyrë profesionale. Në “Rilindja”, ku nisa punë me 1978 gjeta ambient të mirë që me ndihmoi në ngjitjen profesionale dhe në guximin intelektual.

Kur isha student pëlqeja autorë të ndryshëm e stile të ndryshme: Xhon Rid me “Dhjetë ditë që e tronditën botën” mi kishte hapur horizontet e një gazetarie të aventurave, veçmas me cyste të fantazoja se si do të raportoja nga ndonjë vatër e krizës. Emër tjetër ishte atëherë Alber Londër, që me zhvillonte imagjinatën.

Karrierë e filluat si gazetar e kritik filmi, cila ishte kritika e filmit dhe përgjithësisht kritika e artit letrar, teatror, muzikor…

Në atë kohë të ne është kultivuar gazetaria e specializuar. Gazeta “Rilindja” kishte dhjetë kritikë të artit: letërsisë, teatrit, filmit, muzikës, arteve figurative etj. Vetëm rubrika e kulturës nëse s’gabojë kishte trembëdhjetë gazetarë me emër për fusha të ndryshme. Por kishte edhe bashkëpunëtorë të jashtëm. Unë shkruaja vetëm për filmin. Ishte diçka që sot është e paimagjinueshme për shtypin shqiptar. Shtypi perëndimor e kishte këtë lloj gazetarie. E ka edhe sot. Kritika letrare- artistike ishte në nivel për t’u lakmuar. Nuk ishim prapa republikave tjera të ish-Jugosllavisë. Kritika profesionale, dashamirëse dhe e përgjegjshme e nxiste krijimtarinë artiske, e ndihmonte dhe e popullarizonte artin, hapte horizonte të reja. U preferoj studentëve të mi që të lexojnë se si është shkruar kritika e teatrit, filmit, televizionit, arte që ua mësoja në fakultet. Atëbotë me vlera konkurronim me qendra të ndryshme të Jugosllavisë, sot nuk konkurrojmë me askënd, jemi mbyllur dhe na mjafton vetja.

Erdhi koha që u bëtë edhe ligjërues në Akademinë e Artëve në Prishtinë. Cilën lëndë mësimore keni dhënë dhe cilat janë titujt e veprave që i keni shkruar deri me tash kushtuar kësaj dege arti dhe, përgjithësisht, e çfarë niveli është historia kinematografike shqiptare?

Kam dhënë Estetikën e filmit, Historinë e Filmit në vitin e parë, pastaj Adaptim filmi në vitin e tretë. Literaturë filmi në gjuhë shqipe ka pak ose fare pak. Kjo me nxiti të shkruaj doracak për studentë, por edhe ta trajtoja filmin në aspektin teorik. “Kolosët e filmit”, e botova për studentë, pjesë nga historia e kinematografisë botërore, që ua shpjegoja gjatë vitit akademik. “Magjia e ekranit” dhe “Sharmi i filmit”, ishin libra për estetikën e ilmit, ndërsa “Adaptim filmi-si të shkruash skenar origjinal ose të frymëzuar nga romani, drama e kronika sociale e gazetës”, është shqyrtim teorik pedagogjik për mënyrën e përshtatjes së një vepre letrare në ekran, meqë dihet se dy të tretat e filmave në botë bëhen nga letërsia. Përshtatja filmike ka ligjet dhe rregullat e veta, që i kam shtjelluar në këtë libër.

Jeni edhe autor i dalluar i disa vepra publicistike, si e vlerësoni nivelin ideoartistik të kësaj veprimtarie ndër ne?

Kohën e fundit e kam botuar libri- portret “Rugovën, si e kam njohur”. Është një kronologji e ngjarjeve dinamike të kohës, ndërsa përmes këtyre ngjarjeve jam përpjekur të bëjë skicën e një personaliteti të madh të politikës shqiptare. E kisha njohur personalisht, rrugët tona janë kryqëzuar disa herë, ishim bashkëmendimtar. Në libër jam përpjekur të nxjerrë ato që ishin me peshë për kohën dhe që i bëjnë ballë kohës. Kritika dhe mediat e kanë pritur mirë. Shpresoj të kem thënë gjërat e duhura.

Ndërkaq, lexuesi me njeh dyzetë vite me shkrimet publicistike. Kam botuar disa libra publicistike, që janë pritur mirë, madje i ribotova. Publicistika është trajtuar me dendur të ne, janë botuar vepra të suksesshme e të shkruara me përkushtim, veçmas reportazhi është kultivuar më dendur. Kur ishim studentë pedagogët na thoshin se televizioni do ta errësojë reportazhin e shkruar, por nuk ndodhi ashtu, reportazhi edhe më tutje kultivohet nga gazetat e revistat në botë, Kultivohet edhe të ne, është një tip i kuazi letërsisë, por që mua me ka ndihmuarat të kalojë në letërsinë e mirëfilltë.

Natyrshëm vijmë të letërsia. Kur erdhe në letërsi? Cila ishte rruga juaj letrare, nga shkrimi (sajimi) i parë artistik deri të romani “Zogjtë e qyqes”, që u nderua me çmimin prestigjioz letrar “Kadare”, për vitin 2020?

Kam shkruar poezi në rini, por asnjëherë nuk mora guximin ti botoja. Shkrova edhe dy novela, por gjatë luftës (1999) mu dogjën me shtëpi e me pasuri familjare, kështu që dhjetë vjet isha si i mpirë nga kjo goditje. Nuk provova t’i rishkruaja. Ishte e pamundur. Por kapërcimi nga publicistika në letërsi nuk është i vështirë, është aq i natyrshëm.

Përmbledhjen e parë me tregime e kam botuara me 2010, pra në moshën 55- vjeçare. Deri atëherë isha gazetarë, kritikë filmi, analist politikë, kam shkruar reportazhe për shëtitë e mia nëpër botë. Pastaj mbi 18 vjet isha producent filmi, drejtor i Kosovafilmit, kryeredaktor dhe drejtor gazete etj. Pra ishte një ngarkesë e jashtëzakonshme, që s’më linte t’i kushtohesha letërsisë, edhe pse gjithnjë e kam dashur. Por një ditë kur hoqa dorë nga gazetaria aktive, u shkarkova nga disa obligime në Kosovafilm, nisa ti kushtohesha i tëri letërsisë. Dhe shkruaj me këmbëngulje së paku një roman në vit.

Ky roman brenda një kohe rekorde nga çasti që u botua në gjuhë shqipe në Tiranë, pa dritën e botimit në Paris, gjuhë frënge dhe ai roman tashmë është në duart e lexuesit frankofon, çka do të thotë kjo për një shkrimtar relativisht të ri, sikurse jeni ju?

Është mirënjohje për punën e kreacionin, është afirmim, është popullaritet dhe ndjenjë e këndshme. Kjo nuk të bënë shkrimtar më të mirë, sikurse me tha një miku im në Prishtinë, por të hap rrugë që të te njohin në hapësirë më të madhe shqiptare ndërkombëtare, të mundëson të te përkthejnë edhe në gjuhë të huaja. Secili shkrimtar ëndërron të komunikoj me lexuesin francez, të bëhet pjesë e një kulture elitare. Është ndjenjë e veçantë kur e sheh librin në një gjuhë të njohur. Të vjen mirë nëse ke arrit ta bartësh mesazhin në atë gjuhë. Ka shumë rëndësi që të depërtojmë në gjuhë të mëdha.

Shpresoj se nuk do të jetë romani im i parë që do të përkthehet në frëngjisht, italisht, anglisht a gjermanisht.

Cili ishte çelësi i suksesit: tema, stili, qasja, a informacioni që jep romani?

Unë besoj se ishin të gjitha këto së bashku. Për marrëdhëniet shqiptaro -serbe është shkruar pak në letërsinë shqipe. E dini ju se më shumë kanë shkruar shkrimtarët serbë për marrëdhëniet serbo-shqiptare, por në mënyrën e tyre. Shkrimtarëve shqiptarë nuk u lejohej. Unë jam përpjekur të gjej një mes: mos të vajtojë, por as mos t’i kriminalizojë të gjithë. Që te jetë më e besueshme rrëfimtari është kolon serb. Ai rrëfen gati në kronologji ditari nga fëmijëria deri në moshë të shtyrë. Ai paraqet kohën dyzetvjeçarë të dashurisë e të urrejtjes, të konflikteve e acarimeve, të keqkuptimeve e të paragjykimeve, që përfundojnë me një luftë në shkallë gjenocidi.

Protagonisti i romanit vrojton dhe gjykon, nga prizmi i kalamanit, pastaj me syrin kritikë të të riut, që nuk i sheh gjërat bardhë e zi, por pak më ndryshe. Bashkëkombësit e tij kolonë janë kryesisht policë, zyrtarë të UDB-së, nëpunës shteti, oficerë që i kanë dërguar me detyra speciale. Djaloshi i zgjuar e heton që i ati nuk është polici i mirë që i kap hajdutët, por është njeri i pushtetit që torturon vendas.

Rrëfimi i tij është më i besueshëm për publikun. Ai përpiqet të jetë vetja, arrin të krijojë distancë, i analizon bashkëkombësit e vet dhe thotë: ne ishim si zogjtë e qyqes. Qyqja e hedh vezën në çerdhen e huaj. Kur nisin të rritën zogjtë tjerë, zogu i qyqes i dëbon nga çerdhja e përbashkët, kurse në fund e shkatërron çerdhen dhe ikën.

Si i keni kapur këto gjëra, sikur i keni përjetuar, sepse në romanin tuaj janë portretizuar mirë personazhet serbë dhe shqiptarë?

Unë kam jetuar në një lagje të përzierë: përballë i kishim kolonët me shtëpi të reja, që ua kishte ndërtuar shteti me punë angarie të shqiptarëve vendës, ndërsa vendësit duhej të gjendeshin si të mundin. Ka në roman dromca nga fëmijëria, që me kanë ndihmuar shumë. Rrëfimi është i lehtë, sepse koloni serb i thotë gjërat me sinqeritet, habitet me ato që sheh, skandalizohet nga ato që i dëgjon nga shoku i tij shqiptar. Miqësia në mes të një koloni serb dhe një vendasi shqiptar është strumbullari i rrëfimit. Ai nuk i përfill paragjykimet e kolonëve të tjerë, dashurohet në një shqiptare, që është një dashuri fatkeqe, ashtu sikurse dashurohet edhe miku i tij shqiptar me një serbe, madje martohen, por ndërhyrjet e rrethit ia prishin harmoninë.

Çfarë të shtyri të merresh me një temë nga e kaluara, ndërsa shumica duan ta harrojnë sa më parë?

Kur e harron të kaluarën rrezik të të përsëritet në të ardhmen, thotë i mbijetuar i Holokaustit, shkrimtari Levi. Brezi i ri dinë pak për ato që kemi vuajtur, kanë lexuar diçka nga gazetat, kanë parë në televizion, dhe kaq.

Për shtysën me pyeti edhe një gazetare nga një televizion shqiptar. Unë pak si me tallje, por që kishte të vërteta i thashë: sa herë vija në Tiranë miqtë e mi kineastë me thoshin: ju jetonit mirë në Jugosllavi, Titoja ishte liberal. Përpiqesha t’u tregoja rrëfime ndryshe nga ato që dinin ata, por ata këmbëngulnin në të tyren, nuk donin të me besonin. Kot që u flisja. Kur e lexuan romanin disa miq me thanë: kurrë nuk kemi menduar sa keni vuajtur në kohën e Titos. Dmth nuk e kishin idenë për vuajtjet tona, sepse edhe në kohën e diktaturës u kishin thënë se në Jugosllavi është mirë, kënaqen në mirëqenie e në liri.

Si mendon se do ta pret lexuesi serb këtë roman?

Jam shumë kureshtar ta marr vesh. Kam biseduar me një ndërmjetës të një shtëpie botuese në Beograd, tha se do të angazhohet për një përkthim cilësor. Kam biseduar edhe me një mike nga Kroacia për botimin në Kroaci. Pastaj është edhe një arsye tjetër: në kinematografinë serbe, shqiptarët janë paraqitur të kriminalizuar, vrasës, nacionalistë, zullumqarë, dhunues të varreve etj. Polici serb, ai që vrau e përdhunoi të ne, në filmin serb paraqitet engjëll shpëtimtar. Letërsia serbe besoj se është pak më ndryshe nga filmat serb, por nuk kam lexuar roman të tyre që i tejkalon paragjykimet. Prandaj dua ta besoj se serbët duan të lexojnë diçka ndryshe. Besojë se lexuesi i pjekur, që nuk është i helmuar nga propaganda do ta lexoj më kërshëri.

Jeni autor edhe i disa veprave letrare. Sa u njeh lexuesi shqiptar.

Kam shkruar dy romane me temë nga historia “Kalorësit e Dardanisë” dhe “Zhvarrimi”. Kam tri romane nga aktualiteti “Boritë e apokalipsit”, “Nata e trazuar”, “Qyteti në ankth”, “Aventurat e Lulisë”, kam botuar edhe tri përmbledhje tregimesh: “Kujtime të trishta”, “Ilirianët” dhe “Jerina” . Lexuesit në Dardani i pëlqejnë më shumë romanet me temë nga historia. Dy nga këto romane kishin tirazh të mirë për rrethanat tona, i kam ribotuar nga dy herë, i kam botuar në vazhdime në rrjetet sociale (unë të gjitha romanet e tregimet i botojë një herë në FB a portale, por asnjëherë në revista). Në rrjetet sociale kanë lexueshmëri më të madhe. “Zhvarrimi” që po ashtu u pritë në mënyrë të jashtëzakonshme në Shqipëri, e botova në rrjetin social, pati mbi 500 shkrime-komentime dashamirëse, e mijëra “klikime’. Për këtë roman mora çmimin “Pena e Pjetër Bogdanit” një idhull i imi.

Dmth mora dy çmime me emrat e dy idhujve të mi: Ismail Kadare dhe Pjetër Bogdani.

Një pyetje që, si detyrimisht i shtrohet, në fund bisede, çdo krijues: ç’keni në duar, këto ditë.

Një roman sapo e kam përfunduar, do ta dorëzoj në shtator në shtyp. E pata filluar pothuajse njëkohësisht me romanin “Zogjtë e qyqes”.

Kam në dorë një roman tjetër për ngjarjet dramatike në ish-Jugosllavi: tetë ushtarë të kombeve të ndryshme janë ngujuar në një pllajë të alpeve sllovene dhe presin sulmin. Dhjetë vjet më parë e kisha shkruar skenar filmi. Atëherë kontaktova me një shtëpi filmike nga Sllovenia që ishte e gatshme të merrte pjesë në projekt, por Ministria jonë e Kulturës me 2010-2012 nuk kishte gatishmëri të bashkë financonte. Prapë do të angazhohem që ti realizoj në bashkëpunim me Slloveninë e Kroacinë. /ExLibris