LAJMI I FUNDIT:

“Fusnota” të jetë afatizuar dhe selektive

Situata rreth përfaqësimit në konferencat rajonale të Kosovës prej kur Qeveria tha “PO” formulave të çuditshme, reagimet e partive opozitare dhe shoqërisë civile, me përpjekje sqaruese edhe të miqve tanë, pasi jo të gjithë pajtohen për këtë përfaqësim të Kosovës përmes këtij modeli, shkaktoi huti te opinioni publik. Për këtë nuk janë pyetur fare përfaqësuesit e popullit – Kuvendi i Kosovës, që momentalisht nuk janë as në ngjarje, ndërsa ka për detyrë të mbrojë interesat e qytetarëve që i kanë votuar ata deputetë. Nuk janë pyetur fare dhe nuk kemi asnjë reagim nga Kuvendi i Kosovës në këtë temë. Përderisa opinioni publik apo qytetarët nuk e kuptojnë fare domethënien e kësaj “fusnote”, që do të përdoret “në vend” dhe “pavend” në dokumentet shkruara rajonale.

Model “fusnotash” pavend dhe e pa praktikuar diku ndonjëherë në zgjidhjet e situatave të ngjashme në mes shteteve ka krijuar një gjendje konfuziteti te qytetarët, madje edhe te partitë politike, edhe pse ëto të fundit janë më shumë të informuara, por prapë sundon konfuziteti. Pse? Çka do të thotë kjo tash? Më në fund edhe diplomati Albert Rohan tha mendimin e vet se nuk ka pasoja juridike ky lloj përfaqësimi, por ai tërhoqi vërejtjen në një dimension tjetër, theksoi që në fusnotë të shkruhet: “Nuk njihet nga Serbia”.
Rohan në këtë model ashtu si është prezantuar duket shumë më real dhe efektivë në mënyrë që mos t’i bëhet ndonjë dëm tjetër shteti te Kosovës në përfaqësim më të gjerë.

Në vazhdim do të përmend disa segmente të rëndësishme të përdorimit të “fusnotës ”


1. Sidoqoftë tash është një gjendje jo e favorshme në këtë model për shtetin tonë, por pasojat duhet minimizuar në përmasa dhe instrumente veprimi që duhet definuar për një periudhë kohore p.sh një vjeçare, në pritje për zhvillime tjera që Serbia të njohë Kosovën.

2. Fusnota dhe 1244 nuk mund të përdoren në nivele dhe përfaqësime përveç atyre regjionale dhe vetëm ku është pjesëmarrëse Serbia, edhe pse Kosova është kundër çfarëdo përmendje të kësaj rezolute që është tejkaluar moti.

3. Garancionet se fusnota do të përmbaj Deklaratën e Pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që mund të jetë numër i definuar në fusnotë, varësisht nga numri i shteteve që mund të shtohet, pasi njohja e shtetit të Kosovës është në kontinuitet, si dhe numri i organizatat ndërkombëtare financiare që kanë njohur shtetin e Kosovës;

4. Ndërmjetësuesi dhe shtetet e QUINT-it duhet të garantojnë se kjo formulë e përfaqësimit është pa ndonjë pasojë tjetër juridike dhe afatshkurtë.

5. BE të përkrahë në mënyrë konsekuente integrimin e Kosovës në BE dhe në këtë rrugë liberalizimin e vizave.

Sidoqoftë ka shumë komente dhe diskutime edhe të ashpra për këtë formulë të pranuar nga Qeveria , diskutimet po ngjallën komente dhe analiza të shumta dhe sado që ato janë të tilla, efekti i përfoljes te qytetarët po rritet, pra jo vetëm te partitë dhe shoqëria civile.

Të gjithë dëshirojmë përfaqësimin e shtetit tonë në çfarëdo takimi regjional, por natyrisht në masën që nënkupton dinjitetin shtetëror të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Maturia institucionale dhe vepruese duhet të jetë në nivelin e parametrave politikë të unitetit, sepse nuk mund që partia pozitare, por në të ardhmen as partitë tjera pozitare të merren me interesin nacional “vetëm” se ato janë në pushtet, sepse interesat nacionale tejkalojnë parametrat e ngushtë politik të partive, dhe se duhet në secilin variant të dominojë interesi shtetëror i Kosovës. Nuk ka nevojë në rrethana të tilla dikush as të mbrohet as të strehohet në “kraharorë të tjerë”.

Duhet ruajtur nivelin e përgjegjësisë dhe seriozitetit në këto situata dhe duhet ruajtur nivelin dhe opinion publik, duke përkrahur linjat shtetërore dhe interesin nacional që ka Kosova. Ishte dashtë paraprakisht të merret mendimi i miqve tanë në përgjithësi, duke përfshirë në këto rrethana Gjermaninë, e cila kishte stopuar Serbinë të merr statusin e kandidatit në BE. Të gjitha këto matematika duhet të jenë bërë paraprakisht. Reagimet ndërkombëtare janë të paketa në këtë temë, nga miqtë tanë më shumë ka heshtje, me pak deklarime, e edhe ato janë shumë të përgjithësuara dhe konfirmime, sado që mediat i kanë dhënë disa deklarime të disa shteteve tona mike.