Fshati francez, i ngrirë në kohë (Foto)

Këtu, më 10 qershor 1944, nazistët hynë dhe vranë burra, gra e fëmijë. Vriten 642 fshatarë, përfshirë 240 gra dhe 205 fëmijë. Të gjithë banorët nazistët i mblodhën në sheshin e fshatit, nën pretekstin e kontrollimit të dokumenteve. Burrat pastaj u dërguan në kazermat ku i prisnin skuadrat e pushkatimit. Gratë dhe fëmijët u futën në kishë, ku u dogjën.
Masakrën e kanë mbijetuar disa njerëz. Sot gjallë janë vetëm tre nga ta. Një prej tyre është 88-vjeçari Robert Hebras, i cili së bashku me dy presidentët shkoi në vendin e krimit të tmerrshëm. Atëherë ishte 19 vjeç, ndërsa shpëtoi sepse ishte i "varrosur" nën kufomat e njerëzve të pushkatuar.
"Isha i brumosur me urrejtje dhe hakmarrje, për një kohë të gjatë, shumë të gjatë”, tha Hebras, duke shtuar se presidenti gjerman Gauck erdhi në kohën e duhur. "Sikur të ndodhte më parë, do të ishte shumë herët".
"Unë jam 73 vjeç. Kam lindur gjatë luftës, ndërsa isha i zhytur në diskutimet rreth fajit tonë... Do t’ju them viktimave dhe familjeve të tyre: e dimë se çfarë është bërë”, tha presidenti gjerman në prag të vizitës së parë të një zyrtari të lartë gjerman në këtë fshat të vuajtjeve. "Gjermania, të cilën kam nderin ta përfaqësojë, është ndryshe nga Gjermania që tmerron kujtimet tuaja".
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, gjenerali Charles de Gaulle vendosi që fshati të mos rinovohet por të mbetet një memorial dhe një kujtesë e brutalitetit nazist. Fshati i ri është ndërtuar aty pranë, ndërsa më 1999 u hap edhe një muze memorial ku gjenden gjësendet e njerëzve të ekzekutuar. /Telegrafi/


























































