Gjyqtari i famshëm amerikan, Frank Caprio kërkoi prej miliona ndjekësve që të luten për të para se të ndërronte jetë në moshën 88-vjeçare.

Vdekja e personalitetit të njohur u bë e ditur përmes një deklaratë në rrjetet sociale, më 20 gusht, ku thuhej se ai vdiq “në paqe” pas një “lufte të gjatë dhe të guximshme me kancerin e pankreasit”.


Vetëm një ditë më parë, Caprio kishte publikuar një video nga shtrati i spitalit, ku i drejtohej drejtpërdrejt 5 milionë ndjekësve të tij nëpër platformat sociale.

“Vitin e kaluar ju kërkova të luteni për mua, dhe është shumë e qartë që e bëtë, sepse kalova një periudhë shumë të vështirë”, tha ai dhe shtoi se “për fat të keq, kam pësuar një përkeqësim. Jam rikthyer në spital”.

Caprio - i njohur për emisionin “Caught in Providence”, që u transmetua nga viti 2018 deri në 2020 dhe mori disa nominime për çmimin Daytime Emmy - kërkoi prej komunitetit që të luteshin dhe t'i dërgonin urime.

“Ju kërkoj sërish, nëse nuk është shumë, të më kujtoni në lutjet tuaja. Unë besoj shumë në fuqinë e lutjes. Mendoj se i Plotfuqishmi është duke na vëzhguar, duke na mbrojtur”, përfundoi ylli i televizionit, “prandaj, më kujtoni, në lutjet tuaja”.

Ndryshe, Caprio e kishte bërë publike për herë të parë diagnozën me kancer në pankreas në një video emocionale në Instagram në vitin 2023.

Caprio ishte i njohur për mënyrën se si drejtonte sallën e gjyqit me dhembshuri, duke bërë që videot të bëheshin virale në TikTok vitet e fundit ndërsa i solli titullin "Gjykatësi më i Mirë në Botë". /Telegrafi/