Site icon Telegrafi

Fqinja e të dyshuarit për vrasjet masive në Pragë: Tani e di pse e mbante kutinë e kitarës në rrugë

Në Republikën Çeke, sot është ditë zie kombëtare pas masakrës së kryer të enjten nga studenti 24-vjeçar, David Kozak në Fakultetin Filozofik të Universitetit Charles.

Kujtojmë se pasditen e së enjtes Kozak vrau 14 persona dhe plagosi 25 të tjerë. Për nga numri i viktimave është rasti më tragjik i të shtënave masive në historinë e Çekisë. Gjetjet e fundit balistike tregojnë se sulmuesi është i lidhur me vrasjen e dy personave të tjerë në një pyll pranë Pragës.

Portali çek, Blesk ka publikuar informacione të reja për vrasësin masiv. Sipas tyre, vrasësi ka udhëtuar çdo ditë me autobus për në universitet, me vete ka mbajtur edhe një kuti për kitarë. Policia pretendon se armën me të cilën kreu masakrën e mbante në atë valixhe.

“Unë dhe Davidi shkonim në Pragë me autobus tre herë në javë. Kohët e fundit ai mbante një kuti kitarë, por unë nuk e dija që ai dinte të luante ndonjë instrument. Ishte e çuditshme për mua”, tha ajo.

Sipas Prassky deník, eksperti i balistikës përcaktoi se arma e përdorur nga vrasësi në pyllin Klanovicky afër Pragës, ku u vra foshnja dhe babai i saj, u gjet në shtëpinë e vrasësit, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu I dyshuari për vrasjet në Pragë kishte një armë me vlerë 8000 euro, eksperti çek: Ai nuk kishte nevojë për ndonjë trajnim të veçantë për të

Zëdhënësi i policisë, Jan Danek konfirmoi për iDNES.cz se arma e përdorur për të vrarë një burrë dhe një foshnjë në pyllin e Klanovice përputhet me atë që zotëronte sulmuesi nga Praga. Danek shton se vrasësi masiv që qëlloi mbi studentët në Pragë ka shumë të ngjarë se ka vrarë edhe dy persona në pyll.

“Hetimi është ende në vazhdim. Mbetet të presim rezultatet përfundimtare”, tha zëdhënësi i policisë. Sipas mediave lokale, një 32-vjeçar dhe vajza e tij dy muajshe janë vrarë në pyll. Shefi i Departamentit të Vrasjeve në Pragë, Ales Strach, beson se vrasësi nuk kishte vetëm një arsye specifike për vrasjet, por se ishte një kombinim i disa motiveve.

Lexo po ashtu Çfarë dimë deri më tani për vrasësin masiv nga Praga?

Për vrasjet në pyll ka folur edhe shefi i policisë Martin Vondrasek. Ai tha se, sipas informacioneve në dispozicion, sulmuesi ishte përgjegjës edhe për dy vrasje të tjera. “Po hetojmë supozimin se sulmuesi është qartësisht përgjegjës edhe për vrasjet në Klanovicë”, tha shefi i policisë, duke shtuar se viktimat i ka zgjedhur rastësisht.

Lexo po ashtu "Hej, ja ku jam, qëllo këtu!", gazetari çek konsiderohet "hero" pasi u mundua të shpërqendrojë sulmuesin në Pragë

“Sa i përket pyllit të Klanovicës, në këtë momente nuk dihet absolutisht asnjë lidhje me ato viktima, absolutisht asnjë lidhje. Për momentin jam i bindur që viktimat janë zgjedhur krejtësisht rastësisht”, shtoi ai.

Ndryshe, ministri i Brendshëm, Vít Rakusan më herët deklaroi se numri i përgjithshëm i viktimave ishte 13 dhe se i katërmbëdhjetë i vdekuri ishte sulmuesi.

Sulmuesi nga korridori i Fakultetit Filozofik ka plagosur edhe tre persona në rrugë, tha ai. Kur policia iu afrua dhe e rrethoi, ai qëlloi veten me armë. Sulmuesi nga universiteti goditi një automjet me civil dhe një të policisë. Në aksionin kundër tij kanë marrë pjesë qindra punonjës policie, asnjë prej tyre nuk është lënduar. /Telegrafi/

Exit mobile version