Nën intonimin e himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje filloi mbledhja komemorative për të nderuar figurën e tashmë të ndjerit, Haxhi Thaçi, babait të ish presidentit, Hashim Thaçi.
Djali i Hashim Thaçit, Endriti, ka mbajt një fjalim emocionues në këtë mbledhje komemorative për gjyshin e tij, Haxhi Thaçin.
Ai falënderoi të gjithë për përkrahjen, duke thënë se shpresa e gjyshit për ta takuar djalin e vet, Hashim Thaçin ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve.
“Faleminderit nga zemra për ngushëllimet për fjalët prekëse. Në emër të familjes Thaçi, në emër të babit iu falënderoj për mbështetjen. U jemi mirënjohës të gjithëve. Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta takuar babin dhe bashkëluftëtarët e tij në Hagë ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve. Besimi ishte më i madh se aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit çdo orë priste t’ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa herë. Tri orë bashkëbisedim atë ditë, iu bënë një jetë, që të dy babë e bir. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin”, tha ai.
Ai po ashtu tha se vdekjen e shpejtë të gjyshit e pa në fytyrën e babait kur doli nga spitali.
“Ai iu mbijetoi të gjitha vuajtjeve nëpër të cilat kaluam si popull. Por këto 4 vite nuk i mbijetoi dhimbjes nga padrejtësia. Sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë. Me vdekë pa u koritë, siç thoshte ai. Gjysh, as sot nuk jemi korit. Fatkeqësisht babin nuk e lejuan të jap lamtumirën e fundit bashkë me ne sot, nuk e lejuan t’ia gjuajë një grusht të dheut të Drenicës, por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina”, tha Endriti.
Edhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka ndarë një mesazh prekës për të ndjerin dhe momentet e fundit të tij.
“Në këto çaste pikëllimi për familjen Thaçi teksa do të përcillet për në banesën e tij të fundit bashkë-ndjejmë dhimbje me nënën Hyrë dhe presidentin Thaçi, djemtë e vajzat e bacit Haxhi. U përshëndetëm me përqafim të ndarë, bashkë me mallin që kishim për Hashimin dhe Burojën. Fatkeqësisht, ai atë ditë u rikthye të luftojë me vdekjen, por nuk u dorëzua. Rezistoi deri sa shuajti mallin për ta parë djalin. Pa djalin, i shtrëngoi dorën fort dhe mbylli sytë, i lehtësuar përgjithmonë, për t’u rikthyer sot dhe për ta shuajtur mallin tjetër, Burojën, me ajrin e pastër, lulet e bukura, në mesin e qindra e mijëra krushqve të lirisë”, tha Nura.
Ndryshe, sot për nder të figurës dhe jetës së Haxhi Thaçit po marrin pjesë shumë qytetarë, politikan dhe delegacione nga të gjitha trojet shqiptare. /Telegrafi/