LAJMI I FUNDIT:

Fjalët që tha Behgjet Pacolli para katër muajsh kur u bë bashkë me LDK-në (Video)

Fjalët që tha Behgjet Pacolli para katër muajsh kur u bë bashkë me LDK-në (Video)

Skena e njëjtë, por me aktor të ndryshëm. Sikurse më 16 maj edhe mbrëmë rezidenca luksoze e Behgjet Pacollit u bë nikoqire e njerëzve të njohur të Kosovës.

Nikoqiri ishte i njëjtë, por mysafirë tjerë.

Në karriget e njëjta ku u ulën Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj para katër muajsh ishte ulur Isa Mustafa me bashkëpunëtorët.


Ai në Hajvali nënshkroi marrëveshje për një koalicion parazgjedhor me Behgjet Pacollin.

Pas katër muajsh Pacolli ndërroi taborin. Iu bashkua koalicionit PDK-AAK-Nisma të cilët natën e njëjtë, pra më 16 maj, pesë minuta para mesnate, u bënë bashkë për të garuar në zgjedhje.

E në atë kohë kreu i AKR-së pati fjalë të mira për partnerin e tij LDK-në dhe Isa Mustafa.

Pacolli ndonëse nuk etiketoi askënd drejtpërdrejt la të kuptohet se koalicioni me LDK-në dhe partinë e tij ia kthen dinjitetin qytetarëve të Kosovës ndërsa të tjerët i quajti koalicion i krimit, i dhunës dhe i grabitjes.

Ja deklarata e tij dhënë më 16 maj pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor.

“Ky është koalicion i dinjitetshëm. Jo koalicion i dhunës, grabitjes, jo koalicion i krimit por një koalicion i cili i nevojitet tani Kosovës. Kërkoj që qytetarët ta mbështesin me çdo rrafsh. Në momentin kur e kam parë programin e LDK-së, kam parë edhe njerëzit me të cilët unë do të punoj në të ardhmen, atëherë nuk kam asnjë dilemë… Janë njerëzit të cilët garantojnë punë, garantojnë punë të sinqertë të efektshme dhe të dinjitetshme . E sigurisht një është e sigurt, jo krim, jo dhunë”, ka thënë Pacolli më 16 maj në Hajvali.

Nga marrëveshja e mbrëmshme partia e Behgjet Pacollit, që ka katër ulëse në Kuvendin e Kosovës do ta ketë postin e zëvendëskryeministrit të parë, pesë Ministri dhe shtatë zëvendësministra.