Vepra e pestë e regjisorit amerikan Terrence Malick fillon sot projeksionet në Kinema “Millennium”. Filmi ka për protagosnitë aktorët Brad Pitt, Sean Penn, Jessica Chastain, Fiona Shaw apo Joanna Going. Në 138 minuta të xhiruara në Texas, Tennessee, Utah dhe Great South Lake vjen një histori dramatike që vë përballë dy botë, jetën e makrokozmosit dhe mikrokozmosit, universit dhe familjes.

Ngjarjet zhvillohen në Teksas në vitet ‘50. Xheku 11-vjeçar rritet mes një babai autoritar dhe kërkues e një nëne të ëmbël e mbrojtëse. Ne fillimet e tij ai bën një jetë të mrekullueshme, duke u rritur mes dy dashurish të forta dhe të ndryshme, të ndara mes tyre për të gjithë jetën. Imazhi i lumturisë zbehet kur shfaqet sëmundja dhe vuajtjet e vdekjes. Bota që dikur ishte e bukur, shndërrohet në një labirint.


Prej këtu nis historia e Xhekut të rritur, një shpirt i humbur në një botë moderne. Dalëngadalë kupton se çdo gjë që bën pjesë në botën tonë është një mrekulli e çmuar dhe e pakrahasueshme. Kështu Xhek arrin të falë babanë e tij dhe të kuptojë jetën. “Tree of life” duhet të ishte shfaqur që në dhjetor të vitit 2009, por shtyrja e herëpashershme ka ardhur pasi regjisori kërkonte të përmirësonte vazhdimisht postproduksionin për të nxjerrë sa më qartë idenë e tij. Ashtu si aktorët, edhe kritika e kanë vlerësuar këtë pritje të gjatë të filmit.

“Secili duhet ta jetojë këtë film në mënyrë personale. Çfarëdolloj shpjegimi do të ishte i tepërt, do të korruptonte procesin”, është shprehur producentja e filmit, Sarah Green. “Më ka befasuar sërish gjenialiteti i Malick, mënyra e tij e jashtëzakonshme për të ndërthurur madhështinë e universit me botën e vogël të familjes, historia e të cilës tregohet në film…”, ka thënë aktori Brad Pitt, teksa shton se do të donte që fëmijët e tij një ditë ta shihnin këtë film, i cili ndonëse është konsideruar si autobiografik, është universal dhe flet për të vegjël e të mëdhenj./Telegrafi/